Fuqizimi i Kuvendit të Kosovës

March 17, 2009 – 2:32 pm

Agron Demi Në një konferencë të para disa ditëve ku ...

No Comments »

Funerali Falas

July 28, 2008 – 9:59 am

Albin Kurti Prishtinë, 20 korrik 2008 TMK-ja është mbase rrëfimi më i ...

No Comments »

Natyra e Kulturës Politike në Kosovë

July 17, 2008 – 10:46 am

Ramadan Ilazi (Iniciativa per Progres - INPO) Cila është natyra e ...

1 Comment »

2+2 dhe konferenca e donatorëve

July 15, 2008 – 9:23 am

Shpend Ahmeti E kishin intervistuar njëherë matematikanin, kontabilistin dhe ekonomistin për ...

2 Comments »

Për Juristin dhe Kualitetin e Studimeve në Kosovë

June 25, 2008 – 4:56 pm

Agron Demi Në fillim te këtij muaji, Shërbimi Doganor i UNMIK-ut ...

1 Comment »

Welcome to GAP blog!

April 8, 2008 – 11:29 am

Feel free to comment and discuss on issues that are ...

1 Comment »

Fuqizimi i Kuvendit të Kosovës

March 17, 2009 – 2:32 pm

Agron Demi

Në një konferencë të para disa ditëve ku po diskutohej politika e jashtme e Kosovës, një deputet i pozitës mori fjalën dhe në fjalën hyrëse të tij shprehu shqetësimin e tij se debati i tryezës po i ngjante një debati parlamentar në Kuvendin e Kosovës?! Deklarimi i tillë nga një anëtar i institucionit më të lartë qeverisës, dëshmon edhe një herë atë që Kuvendi i Kosovës është institucion puna e të cilit ka devijuar nga roli i tij kushtetues. Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, por edhe më herët sipas Kornizës Kushtetuese, Kuvendi është institucioni më i lartë qeverisës, i cili zgjedh kabinetin qeveritar, presidentin dhe gjyqtarët. Tri funksionet kryesore të këtij institucioni, dhe të çdo legjislature demokratike në vendet parlamentare, janë: përfaqësimi, bërja e ligjeve dhe përzgjedhja dhe monitorimi i ekzekutivit. Që nga themelimi i tij në dhjetor 2001, Kuvendi i Kosovës ka dështuar të ushtroj rolin e tij monitorues ndaj ekzekutivit. Deri më 17 shkurt 2008 Kuvendi ka qenë i anashkaluar si nga mospërfillja e ekzekutivit, po ashtu edhe nga vendimet ekzekutive të PSSP-së, ku në shumë raste është injoruar Kuvendi me rastin e marrjes së vendimeve. Pas 17 shkurtit 2008 është pritur të ushtroj kompetencat e tij qeverisëse, mirëpo deri më tani, Kuvendi i Kosovës jo që nuk ka arritur që të monitoroj ekzekutivin, por ndodh e kundërta, ekzekutivi kontrollon dhe përcakton agjendën e legjislativit.

 

Ushtrimi i funksionit mbikëqyrës nga legjislativi është i vështirë edhe në vendet me sistem parlamentar të qeverisjes të cilat kanë traditë të gjatë parlamentarizmi. Kjo i ndodhë edhe parlamentit britanik, i cili njihet si institucioni më i vjetër parlamentar. Pamundësia e legjislativit për të monitoruar dhe kërkuar përgjegjësi nga ekzekutivi ndodh për tri arsye kryesore: përqendrimi i figurave kryesore politike në degën e ekzekutivit, administrata mbështetëse jo funksionale dhe mungesa e vullnetit politik nga ana e deputetëve që përbëjnë shumicën.

 

Zakonisht, synimi politik kryesor i udhëheqësve partiakë që konkurrojnë në zgjedhjet e përgjithshme është sigurimi i një posti në degën e ekzekutivit. Kandidatët që kanë rol më simbolik brenda partive politike zakonisht synojnë ulësen e deputetit, natyrisht nëse arrijnë të marrin edhe votat e zgjedhësve. Deputetët e partisë shumicë e kanë të vështirë të kërkojnë llogari nga kolegët e tyre në ekzekutiv, nga frika se mund të humbasin përkrahjen brenda partisë së tyre. Këtij fakti deri më tani i ka kontribuar shumë edhe sistemi zgjedhor me lista të mbyllura, që i lejonte hapësirë të madhe kryetarëve të partive që sipas bindjes së tyre të bëjnë renditjen e kandidatëve në listat zgjedhore. Mirëpo, me hapjen e listave zgjedhore, deputetët tani e tutje më shumë duhet ti kenë frikën votës së qytetarëve se sa mbështetjes së liderit të tyre partiak.

 

Problem tjetër me të cilin përballet Kuvendi i Kosovës është edhe administrata e dobët. Zakonisht rregullat kushtetuese të një vendi vendosin se cili është institucioni më i lartë qeverisës, por në praktikë administrata është ajo që përcakton se cila degë qeverisëse është me e efektshme. Punonjësit e administratës së Kuvendit janë shërbyesit civil më të privilegjuar në krahasim me të gjithë shërbyesit tjerë të institucioneve qeveritare, megjithëkëtë Kuvendit të Kosovës i mungojnë kapacitetet për monitorim të ligjeve, organizim të debateve publike, amendamentim të projektligjeve, hulumtime, etj. Administrata e Kuvendit është një nga pikat e dobëta e cila kritikohet në të gjitha raportet e progresit të Komisionit Evropian.

 

Pengesë tjetër në mos ushtrimin e rolit monitorues të Kuvendit të Kosovës është edhe mungesa e vullnetit politik të deputetëve. Në vendet parlamentare si Kosova, Qeveria formohet falë koalicioneve parlamentare që përbëjnë shumicën e cila pastaj zgjedhë ekzekutivin dhe mbështet vendimet e ekzekutivit. Kjo shumicë parlamentare është e prirur që të mbështesë çdo iniciativë të ekzekutivit të vendit, edhe nëse kjo bjen ndesh me kërkesat dhe qëndrimet e tyre personale dhe të zgjedhësve të tyre. Meqë Kosova ka sistem zgjedhor me një zonë elektorale dhe deri vonë kishte sistem zgjedhor me lista të mbyllura, deputetët e bllokut shumicë të Kuvendit të Kosovës, janë më të prirur që në Kuvend të mbrojnë më parë politikat e Qeverisë se sa interesat e vetë institucionit pjesë e të cilit janë; duke mos mbrojtur me vendosmëri interesat e zgjedhësve. Kurse, deputetët që përbëjnë opozitën parlamentare, janë të prirur të kundërshtojnë çdo nismë të Qeverisë, edhe nëse ajo është e arsyeshme për interesat e vendit dhe të zgjedhësve të tyre, si dhe kritikat e tyre nuk i mbështesin në bazën e argumenteve dhe hulumtimeve, por vetëm në bazë të bindjeve të tyre politike që përkthehet në atë se “duhet kundërshtuar”.

 

Si të tejkalohen këto tri probleme me qëllim që Kuvendi i Kosovës të marr rolin e tij kushtetues? Edhe më tutje liderët partiakë do të kenë synim postet ekzekutive. Por, me hapjen e listave zgjedhore, çdo anëtar brenda partisë ka fuqi më të madhe politike dhe mund të imponoj mendimin e tij, pa u frikuar se zemërimi i liderëve të partisë së tij mund ta lë atë jashtë apo në fund të listës zgjedhore. Hapja e listave zgjedhore ka ndikuar që kandidatët për deputet të zhvillojnë fushata ndaras nga partitë të tyre politike, pas të cilave fshiheshin në zgjedhjet paraprake me lista të mbyllura zgjedhore. Për këtë, në prag të zgjedhjeve qendrore të nëntorit 2007, shumë kandidatë për deputet kishin hapur edhe sajtet e tyre personale në internet si dhe kishin shtypur një numër të pafund të kartave të biznesit. Mirëpo, pas zgjedhjes së tyre, deputetët nuk kanë treguar gatishmëri që të mbajnë lidhjet e tyre me zgjedhësit. Lidhja e tyre e vazhdueshme me zgjedhësit është jetike për karrierën e tyre politike si dhe në fuqizimin e rolit të tyre brenda partisë. Andaj, deputetët duhet të guxojnë më shumë tu kundërvihen edhe liderëve të tyre partiakë që mbajnë pozita në ekzekutiv. Kuvendi i Kosovës duhet që të publikoj vendimet individuale të deputetëve për çdo vendim të marrë në seancat plenare dhe në mbledhjet e komisioneve. Më 15 shkurt 2008 Kuvendi ka marrë vendim që nga kjo datë të publikohen gjithnjë me rregull votimet e deputetëve, vendim i cili nuk po zbatohet edhe pas më shumë se një viti nga dita e marrjes së këtij vendimi. Publikimi i votimeve të deputetëve në komisionet parlamentare dhe në seancat e Kuvendit është shumë i domosdoshëm për ngritjen e llogaridhënies individuale të deputetëve. Si votues, do të dëshiroja të dija se një deputet që më kërkon votën, si ka votuar ai për një ligj të caktuar, si ka votuar për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, si ka votuar për ngritjen e TVSH, sa herë ka kërkuar përgjegjësi nga ekzekutivi përmes pyetjeve parlamentare, sa herë ka ngritur për diskutim çështje të cilat i preokupojnë qytetarët e Kosovës?! Në bazë të një pasqyre të tillë të aktiviteteve të një deputeti, qytetarët do ta kishin më të lehtë të vendosnin për votën e tyre. Për të realizuar vullnetin politik të deputetëve për monitorim të ekzekutivit dhe ligjeve në fuqi, Kuvendi i Kosovës nuk ka nevojë për vetura zyrtare për çdo deputet, por nevojitet reformimi dhe modernizimi i administratës së tij. Për krijimin e një administrate më efikase, nuk mjafton vetëm bllokimi i qasjes në “messenger”, “youtube” dhe “facebook”, ashtu siç ka bërë Sekretaria e Kuvendit, por afrimi i ekspertëve të rinjë ligjor, kuadro që dijnë se si të formulohet një amendament, kuadro që dijnë të përdorin teknologjinë informative dhe që njohin së paku një gjuhë të huaj. Në gjendjen në të cilën ndodhet administrata e Kuvendit, nuk ka kapacitete të mjaftueshme për bartjen e iniciativave për monitorim të zbatimit të ligjeve, monitorim të punë së ekzekutivit, shqyrtim analitik të projektligjeve që vijnë nga ekzekutivi, përdorim më të mirë të teknologjisë informative më të avancuar. Këto reforma janë të domosdoshme për të përmbushur të gjitha detyrimet në rrugën drejt anëtarësimit në BE, pasi që në këtë rrugë, legjislativi është ai që bart përgjegjësinë kryesore në përmbushjen e kushteve për anëtarësim.

 

Tejkalimi i këtyre tri problemeve, do të ndikonte që Kuvendi i Kosovës të ushtroj rolin e tij kushtetues, në mënyrë që ekzekutivi të jetë më i përgjegjshëm dhe i monitorueshëm, si dhe posti i deputetit do të fitonte rëndësinë e duhur, dhe për një personalitet politik për të qenë deputet nuk do të ishte satisfaksion i vetëm paga dhe privilegjet tjera materiale.