Ndryshim-Plotësimet e shumta në Programin Legjislativ 2016

03/02/2016

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur më 15 janar 2016 ka miratuar Programin Legjislativ 2016. Ky program përmban projektligjet të cilat ministritë e caktuara dhe Zyra e Kryeministrit kanë paraparë të hartojnë gjatë 2016. Nga 19 ministri sa ka Qeveria, katër ministri nuk kanë planifikuar hartimin e ndonjë projektligji: Ministria e Diasporës, Ministria për Komunitete dhe Kthim, Ministria e Integrimit Evropian dhe Ministria e Punëve të Jashtme.

Të 15 ministritë tjera dhe Zyra e Kryeministrit kanë planifikuar të hartojnë 88 projektligje nga të cilat 45 janë plotësim ndryshim i ligjeve ekzistuese derisa 43 tjera janë projektligje për t'u bërë ligje të tjera në Kosovë. Me numrin më të madh të projektligjeve janë Ministria e Financave, Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Drejtësisë. SiÇ vërehet lehtë në program, numër më i madh i projektligjeve është planifikuar për plotësim ndryshim të ligjeve ekzistuese në krahasim me numrin e projektligjeve të reja. Ky është një tregues i mirë i cilësisë së hartimit të projektligjeve e deri te miratimi i tyre në Kuvend. është bërë tashmë e zakonshme që disa ligje i nënshtrohen plotësim ndryshimit ende pa filluar mirë zbatimi i tyre në praktikë, apo që disa ligje të miratuara nuk kanë gjetur zbatim për shkak të defekteve të tyre dhe shumë shpejt janë provuar të pa zbatueshme.

Tabela 1. Ministritë dhe numri i projektligjeve të planifikuara gjatë 2016

Nje trend i tillë i programeve legjislative me numër më të madh të projektigjeve për plotësim ndryshim të ligje ekzistuese në krahasim me projektligjet që të bëhen ligje të reja, vërehet tani e disa vite. Nga një analizë e shkurtër e programeve legjislative nga viti 2011 vërehet se gjithmonë numri i projektligjeve për plotësim ndryshim ka qenë më i madh se numri i projektligjeve që janë planifikuar si ligje të reja në Kosovë. Për shembull, vitin e kaluar ishin planifikuar 74 projektligje si plotësim ndryshime dhe 55 si ligje të reja.

Grafi 1. Numri i projektligjeve si plotësim ndryshim dhe projektligje të reja në programet legjislative 2011-2016