Qeveria përsëri me shtesa në paga pas shuarjes së Fondit për Kuadro

11/03/2016

 Nga viti 2009 e deri në vitin 2015, një numër i përzgjedhur i nëpunësve civil brenda Qeverisë së Kosovës kanë përfituar nga Fondi për Kuadro. Numri i përfituesve kishte filluar me tetë dhe kishe përfunduar me 222 të tillë. Por, që nga viti 2016 nuk ka një buxhet të ndarë për Fondin për Kuadro, që nënkupton edhe shuarjen e këtij fondi. Megjithatë, me 4 mars 2016, Qeveria ka marrë një vendim përmes së cilit aprovon shtesat prej 50% mbi pagën bazë për një numër të nëpunësve civil të Ministrisë së Financave. Përfituesit e këtyre shtesave do të kompensohen në mënyrë retroaktive nga 1 shkurti 2016.

Në mënyrë retroaktive Qeveria kishte kompensuar edhe përfituesit e Fondit për Kuadro një vit më parë. Në prill të vitit 2015 Qeveria e kishte pezulluar Fondin për Kuadro. Por, më 12 gusht 2015, në një vendim tjetër të saj, Qeveria e kishte rikthyer Fondin për Kuadro, por duke shkurtuar buxhetin nga një milion euro në 500 mijë euro, si dhe duke vendosur limite që niveli i shtesave në pagë për përfituesit të jetë nga 100 deri në 500 euro në muaj.

Pas rikthimit të Fondit për Kuadro, Instituti GAP pat publikuar një analizë e cila nxjerr si përfundim se Fondi për Kuadro me kalimin e viteve ka devijuar nga qëllimi i tij origjinal, dhe se nga një fond për pozita deficitare ishte shndërruar në fond për pozita menaxheriale. Analiza po ashtu konstaton se shumë nga përfituesit e kësaj skeme nuk i plotësonin kriteret e parapara me Rregulloren për Fondin për Kuadro. Shumica e përfituesve nuk posedonin shkollim të avancuar universitar, ndërsa shumë nga pozitat përfituese nuk ishin pozita deficitare në treg. Qeveria e kishte themeluar Fondin për Kuadro në fund të vitit 2008, në bazë të propozimit të Instituti GAP.