Buxheti i Komunave Sipas Projekt-buxhetit 2017

08/11/2016

Projektligji për Buxhetin e Kosovës për 2017 parasheh shpenzime për komunat e vendit në vlerë prej 440,230,866 euro. Krahasuar me vitin 2016, buxheti total i komunave për 2017 do të jetë për 18 milionë euro më i lartë. Kategoritë të cilat kanë shënuar rritje të buxhetit për komunat është ajo e investimeve kapitale dhe e pagave.

Gjatë 2016, të gjitha komunat kanë pasur në dispozicion 248,432,392 euro për paga përderisa në 2017 rritja është planifikuar të jetë për 2 milionë euro. Për investime kapitale në 2016 komunat kanë pasur në dispozicion 117,090,589 euro, përderisa në 2017 buxheti për investime kapitale parashihet të jetë 131 milionë euro. Kategoria e subvencioneve, shpenzimeve komunale dhe kategoria e mallrave dhe shërbimeve kanë mbetur në vlera përafërsisht të njëjta me 2016.

Buxheti i Kosovës për 2017 parashikon të hyra vetanake të komunave në nivel më të ulët se sa ato të 2016. Kjo bie ndesh me rekomandimet e dhëna nga Fondi Monetar Ndërkombëtar i cili disa herë i ka propozuar qeverisë që të gjej mënyra për të ulur varësinë e komunave nga buxheti qendror. Më 2017 komunat parashihet që të mbledhin të hyra vetanake prej 78,163,490 euro, apo rreth një milion euro më pak se më 2016. Grantet qeveritare për komuna më 2017 kapin vlerën 360,917,376 euro, apo rreth 15 milionë euro më shumë se më 2016.

Granti i përgjithshëm për komuna në 2017 do të jete 149,149,602 euro, përderisa në 2016 ka qenë 138,043,037 euro; granti për arsim në 2017 është propozuar në kuotën e 163,432,015 euro, rreth 2 milionë euro me i lartë se në 2016; dhe granti për shëndetësi është paraparë të jetë 44,112,683 euro, apo rreth 2,2 milionë euro me i lartë krahasuar me 2016. 

Nga 38 komunat e Kosovës, buxheti në investime kapitale ka shënuar rritje në 35 komuna. Komunat që do gëzojnë buxhet më të lartë për investime kapitale janë: Lipjani, Peja, Ferizaj, Vushtrria, Graçanica, Mitrovica e Veriut, Gjakova, Gjilani, Deçani dhe Leposaviqi. Ndërsa komunat që kanë rënie të buxhetit në investimet kapitale janë Prishtina, Prizreni dhe Kamenica.

Prishtina në 2016 ka pasur buxhet për investime kapitale prej 28,108,709 euro, përderisa në 2017 vlera e buxhetit që kjo komunë do ta ketë në dispozicion për investime kapitale do të jetë 22,731,398 euro, apo afro 5,4 milionë euro më pak. Prizreni gjatë këtij viti për investime kapitale ka pasur 17,509,568 euro, ndërsa në 2017 do të ketë 14,912,402 euro, apo afro 2,6 milionë euro më pak.  

Shumë e vogël për investime kapitale i ka mbetur Kamenicës. Kjo komunë në 2016 ka pasur në dispozicion 356,606 euro, ndërsa në 2017 do të ketë 124,795 euro, apo afro 232,000 euro më pak.

Kamenicës buxheti i është ulur dukshëm edhe në kategorinë e subvencioneve dhe atë të mallrave dhe shërbimeve. Në 2016 për subvencione komuna e Kamenicës ka pasur 100,567 euro, ndërsa në 2017 do të ketë 9,125 euro, për mallra dhe shërbime ka pasur 653,763 euro, ndërsa do të ketë 600,002 euro.

Në komunën e Kamenicës dhe atë të Prizrenit nuk e kanë të qarta arsyet që e kanë quar Ministrinë e Financave në uljen e buxhetit të tyre, veçmas në investime kapitale. Drejtoresha e Financave në Komunën e Kamenicës znj.Shenjaze Masurica ka pohuar se shkurtimet e bëra do ta kufizojnë komunën në përfundimin e planifikimeve të bëra për 2017. Njësoj janë shprehur edhe zyrtarët e Drejtorisë se Financave në Komunën e Prizrenit të cilët kanë thënë se janë duke shqyrtuar me Ministrinë e Financave shkaqet që kanë quar në rënien e buxhetit për investime kapitale.