A ka ndarje partiake të buxhetit?

23/11/2016

Me 31 tetor 2016, Qeveria e Kosovës miratoi Projektligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2017. Sipas Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, pas miratimit të projektbuxhetit, Qeveria e Kosovës duhet t’i dorëzojë Kuvendit të Kosovës këtë dokument jo më larg se 31 tetor të atij viti fiskal. Projektbuxheti për 2017 ishte paraparë që të diskutohet në Komisionin për Buxhet dhe Financa me datë 9 nëntor mirëpo kjo pikë e rendit të ditës është shtyrë për një javë me arsyetimin se kuvendi kishte pasur probleme me shtyp. Megjithëse ky ishte arsyetimi zyrtar, zëvendës ministri i financave z. Isni Kilaj i cili vjen nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), partia e cila qeveris së bashku me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), e kishte kritikuar buxhetin si joreal dhe i orientuar drejt realizimeve të premtimeve politike të LDK-së. Me datën 21 nëntor, Komisioni për Buxhet dhe Financa e largoi nga rendi i ditës shqyrtimin e projektbuxhet derisa partnerët e PDK-së të qartësojnë kërkesat e tyre.

Në mënyrë që të shmanget ndarja partiake e buxhetit, Instituti GAP në të kaluarën ka adresuar nevojën për publikimin e dokumenteve shoqëruese të projektbuxhetit, të cilat bëjnë lidhjen e qartë në mes të politikave dhe ndarjeve buxhetore. Vështirësitë për të kuptuar buxhetin dhe mungesa e lidhjeve në mes të programeve buxhetore dhe politikave është adresuar edhe nga Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2016. Sipas këtij raporti,  gjithashtu ka mungesë të transparencës gjatë planifikimit të buxhetit. Në një infografikë të Institutit GAP lidhur me ndarjen e investimeve kapitale në projektbuxhetin e vitit 2016, kemi vërejtur se nuk ka ndonjë kriter të qartë që e lidh ndarjen e investimeve kapitale qendrore me komuna, qoftë ai kriter i numrit të popullsisë, madhësisë territoriale të komunave apo shkallës së zhvillimit. 

Duke marrë parasysh mungesën e kritereve, orientimi i buxhetit lë hapësirë të madhe për orientim të investimeve mbi baza partiake. Prandaj qëllimi i këtij shkrimi të shkurtër është që të shohim cila është ndarja partiake e buxhetit.

Siç shihet nga figura 1, në vitin 2017 LDK do të menaxhon 80% të buxhetit të ndarë për ministri. Kjo për shkak se menaxhon tri ministritë me buxhetin më të madh siç janë: Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale  (375.5 milionë euro), Ministria e Infrastrukturës (267.9 milionë euro) dhe Ministria e Punëve të Brendshme (114.5 milionë euro).

Figura 1. Ndarja e buxhetit të ministrive sipas përkatësisë partiake 2016-2017






mm



Krahasuar me vitin e kaluar, buxheti i ministrive të menaxhuar nga LDK është rritur për 141 milionë euro apo 17%, ndërsa ai i  menaxhuar nga PDK është rritur për 9.7 milionë euro apo 5%. Nëse shikojmë ndarjen e buxhetit në bazë të peshës, në vitin 2017, LDK do të menaxhojë 80% të buxhetit të ministrive krahasuar me 78% vitin e kaluar, ndërsa PDK do të menaxhojë 18% të buxhetit të ministrive krahasuar me 19% të vitit të kaluar. 


Figura 2. Ndryshimet në buxhetet e ministrive sipas përkatësisë politike


1.2


Një matës tjetër i ndarjes partiake të buxhetit është edhe orientimi i investimeve kapitale prej disa ministrive në nivel lokal. Duke qenë se Ministria e Infrastrukturës menaxhon rreth 47% të investimeve kapitale te Qeverisë së Kosovës, kemi klasifikuar orientimin e investimeve të MI-së sipas komunave. Nga rreth 23.6 milionë euro të MI-së të cilat do të investohen në komuna, rreth 52.1% të tyre do të investohen në komunat të cilat menaxhohen nga LDK, krahasuar me 56.2% sa kanë qene vitin e kaluar. Në komunat të cilat menaxhon LDK jetojnë 34.5% e popullsisë së Kosovës dhe zënë 31.9% të territorit të Kosovës. Në komunat e qeverisura nga PDK do të investohet 26% e këtij buxheti, krahasuar me 21.8% e në vitin e kaluar. Në komunat e qeverisura nga PDK jetojnë 33.7% e popullsisë, apo në madhësi gjeografike 31.1% e territorit të Kosovës.

Figura 3. Përqindja e ndarjes së investimeve kapitale të MI-së në komuna 

1.3

Nëse e shikojmë dallimin në mes të përqindjes së investimeve kapitale dhe përqindjes së popullsisë që jeton në atë komunë, atëherë del se Komuna e Prishtinës është diskriminuar më së shumti negativisht (dallimi 9.7%), ndërsa komunat e menaxhuara nga LDK janë diskriminuar pozitivisht (dallimi 17.6%).

Krahasuar me vitin 2016, në komunat e qeverisura nga LDK, në 2017 investimet do të rriten për 570 mijë euro, apo për 5%; në komunat e qeverisura nga PDK, investimet do të rriten për 1.6 milionë euro apo 35%; në komunën e qeverisur nga VV, investimet do të rriten për 285 mijë euro, apo 16%. 

Si përfundim, kriteret për ndarjen e buxhetit nëpër ministri dhe lidhja e qartë në mes të politikave dhe ndarjes së buxhetit vazhdojnë të mungojnë. Krahasuar me vitin e kaluar, buxheti i menaxhuar nga ministritë e LDK-së do të rritet dukshëm. Edhe sa i përket nivelit lokal, duke u bazuar në investimet e MI-së, komunat e menaxhuara nga LDK do të përfitojnë dukshëm më shumë investime, dhe në disproporcion krahasuar me numrin e popullsisë apo madhësinë gjeografike. Këto investime mund të jenë të arsyeshme, duke pasur parasysh që projektet në këto komuna mund të jenë prioritare dhe me kthim më të madh ekonomik, mirëpo në mungesë të kritereve dhe informatave shtesë një gjykim i tillë bëhet i pamundur. Për këtë arsye, Instituti GAP vazhdon të kërkojë rritje të transparencës në hartimin e buxhetit nga Ministria e Financave dhe gjithashtu lidhje konkrete të politikave strategjike me buxhetin e shtetit.