Fillojnë hetimet rreth monopolit në homologim pas ankesës së Institutit GAP

23/11/2016

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka njoftuar se ka nisur të hulumtojë shkeljet kushtetuese dhe ligjore me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes mes Ministrisë së Transportit dhe Post Telekomunikacionit dhe kompanisë Eurolab për homologimin e veturave që regjistrohen për herë të parë në Kosovë. Sipas kësaj marrëveshjeje, kjo kompani gëzon të drejtën për veprimtari ekskluzive dhjetëvjeçare 2009-2019. Në prill 2016, Instituti GAP ka publikuar një analizë me titull Monopoli i Homologimit, në të cilën i bën thirrje Autoritetit Kosovar të Konkurrencës ta interpretojë këtë monopol duke u bazuar në këto shkelje kushtetuese dhe ligjore:

1.    Ministria ka anashkaluar procedurat e tenderimit me rastin e dhënies së këtij shërbimi duke shkelur kështu parimin e konkurrencës së lirë.

2.    Përmes kësaj kontrate Ministria i ka dhënë ekskluzivitet vetëm një kompanie, duke krijuar kështu monopol në fushën e homologimit për një periudhë dhjetë vjeçare.

3.    Pronarët e automjeteve janë të kushtëzuar që kontrollin e parë teknike ta kryejnë tek institucioni i autorizuar për homologim.

4.    Kompania e autorizuar njëherit është edhe qendër e autorizuar për mbikëqyrjen e të gjitha qendrave të kontrollit teknik.

Instituti GAP ka kërkuar edhe nga Ministria e Infrastrukturës që ta eliminojë këtë monopol, duke i kujtuar se mos eliminimi i kësaj dukuri paraqet edhe shkelje të vendimit të Qeverisë së Kosovës, e cila më 12 gusht 2015 ka marrë vendim i cili i obligon të gjitha ministritë që t"i evidentojnë dhe rishikojnë të gjitha barrierat që e kufizojnë konkurrencën e lirë. Deri më tani kjo ministri nuk ka ndërmarrë ndonjë hap në këtë drejtim.