Instituti GAP dhe GLPS organizuan tryezë të rrumbullakët me temën “Pas-Parisit, Pas-Brexitit – Perspektivat për Ballkanin Perëndimor”

09/11/2016

Instituti GAP dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) kanë organizuar  tryezë të rrumbullakët me temën “Pas-Parisit, Pas-Brexitit – Perspektivat për Ballkanin Perëndimor”. Tryeza dhe debati u mbajtën në përcjellje/në ndjekje të  Forumit Reflektiv “Ballkani Perëndimor në Bashkimin Evropian: Perspektiva të reja për Integrim?” organizuar në Paris në maj 2016 si dhe të “Forumit të Shoqërisë Civile si pjesë e serive të samiteve të Ballkanit Perëndimor” që u mbajt në Paris në korrik 2016. Tryeza ofroi forum për shkëmbim informatash dhe reflektim mbi të arriturat e procesit deri më tani si dhe ndihmoi në krijimin e kontributeve të reja per hapat e mëtutjeshëm.

Fisnik Korenica, Drejtor Ekzekutiv i Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) foli për sfidat me të cilat ballafaqohet Kosova  në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, në rrugën  drejt integrimit në BE. Florent Marciacq, Hulumtues i Asocuar në Qendrën Austro-Franceze për Afrim në Evropë diskutoi rreth procesit të zgjerimit të BE-së. Valerie Hopkins, Gazetare në Rrjetin Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) foli për sfidat me të cilat vendet e Ballkanit Perëndimor po ballafaqohen në zbatimin e projekteve për të cilat janë pajtuar gjatë samitit të Berlinit, Vienës dhe Parisit. Diskutimi në panel u moderua nga Jeton Mehmeti, Drejtor i Hulumtimeve në Institutin GAP.

Edhe pse diskutimi nxori në pah mendime të ndryshme nga panelistët, një çështje e diskutuar në detaje ishte se procesi i Berlinit si ide ishte mjaft tërheqëse, por zbatimi i tij nuk është në nivelin më të mirë. Një aspekt pozitiv i përmendur këtu është përfshirja e OSHC-ve në të gjithë procesin, veçanërisht hapat konkrete të ndërmarra deri më tani në krijimin e Zyrës Rajonale të Komunitetit të të Rinjve (RYCO).

Një tjetër pikë që u ngrit ishte e lidhur drejtpërdrejt me përdorimin e procesit të Berlinit nga Kosova në krahasim me dy vendet fqinje Shqipërinë dhe Serbinë. Në fakt, besohet se këto të fundit kanë përdorur mirë procesin e Berlinit gjë që  mund të dëshmohet me hapjen e negociatave të integrimit të Shqipërisë në BE. Megjithatë, përdorimi i procesit të Berlinit në Kosovë ka ngecur mbrapa si rezultat i mungesës së një strategjie me vizion të qartë për përdorimin e këtij procesi. 

Në tryezë morën pjesë edhe diplomatë të huaj që shërbejnë në Kosovë, anëtarë të Komisionit Parlamentar të Kosovës për Integrim Evropian, si dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile. Tryeza e rrumbullakët u sponzorizua nga Qendra Ndërkombëtare për Trajnime Evropiane (CIFE), dhe është e treta me radhë pas tryezave të Tiranës dhe Beogradit. Tri ngjarje të ngjashme do të mbahen deri në fund të vitit në kryeqytetet e mbetura të vendeve të Ballkanit Perëndimor.