Qeveria tërhiqet nga ndryshim/plotësimi i Ligjit të punës

04/10/2016

Në mbledhjen e mbajtur më 30 shtator 2016, Qeveria e Kosovës ka vendosur që Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 03/L-212 të punës, të tërhiqet nga programi legjislativ i vitit 2016. Ndryshim/plotësimi i Ligjit të punës ka qenë në planin e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale për këtë vit. Në prill 2016, kjo ministri kishte ndarë projektligjin e ri për konsultim publik me të gjitha grupet të cilat mbrojnë interesat e punëmarrësve dhe punëdhënësve. Ndryshimet më të theksuara të këtij projektligji kishin të bënin me pushimin e lehonisë, kohëzgjatjen e kontratave të punës dhe angazhimin e fëmijëve në punë.

Projektligji parashihte që pushimi i lehonisë të shkurtohej nga 12 muaj sa është tani në nëntë muaj, ku tre muajt e parë do duhej të paguheshin nga punëdhënësi me 70% të pagës, tre muajt e dytë të paguheshin nga Qeveria e Kosovës me 50% të pagës mesatare në Kosovë, kurse tre muajt a fundit të pushimit të lehonisë të jenë pa pagesë. Organizatat që mbrojnë të drejtat e punëmarrësve kanë rekomanduar që nëse shkurtohet periudha e kompensimit nga punëdhënësi nga gjashtë në tre muaj, atëherë duhet të rritet periudha e kompensimit nga ana e qeverisë nga tre në gjashtë muaj. Kjo do të nënkuptonte që buxheti për pushimin e lehonisë do duhej të dyfishohej. Numri i grave që kanë shfrytëzuar kompensimin e pushimit të lehonisë është dyfishuar që kur ka hyrë ligji në fuqi. Në vitin 2011 kishin përfituar vetëm 748 gra, kurse në vitin 2015 kanë përfituar gjithsej 1,432 gra. Buxheti i ministrisë i shpenzuar për kompensimin e pushimit të lehonisë për vitin 2015 ishte 958,677 euro.

Sa i përket kohëzgjatjes së kontratave, projektligji i ri parashihte që kontrata për periudhë të caktuar nuk mund të lidhet më e gjatë se tri vite, nga dhjetë sa është e paraparë me ligjin aktual. Ndërkaq në lidhje me angazhimin në punë të fëmijëve nën moshën 15 vjeç, projektligji i ri parashihte që kjo t"u lejohet, por vetëm në disa sektorë të caktuar.

Kjo është përpjekja e dytë që bën Ministria e Punës për ndryshimin e Ligjit të punës, e që më pas e ka tërhequr atë nga programi legjislativ. Ligji i punës ka hyrë në fuqi në fund të vitit 2010, ndërsa në qershor 2011 Instituti GAP pat publikuar një analizë mbi sfidat e zbatimit të këtij ligji në gjashtë mujorin e parë.