Instituti GAP mbajti konferencën për media me temë "Sfidat e Komunave në Zbatimin e Ligjeve"

21/06/2016

Sot, Instituti GAP ka mbajtur konferencën për media me titull “Sa i zbatojnë ligjet komunat e Kosovës ?”

Bekim Salihu nga Instituti GAP prezantoi të gjeturat kryesore të raportit “Sfidat e komunave në zbatimin e ligjeve” rreth nivelit të zbatimit të ligjeve nga komunat e Kosovës. Ky hulumtim është zhvilluar në 32 komuna të Kosovës, ku nga 402 ligje që janë aktualisht në fuqi në Kosovë, 52 prej tyre nxjerrin obligime edhe për nivelin lokal. Pjesa më e madhe e këtyre ligjeve nuk arrijnë të zbatohen dhe shkaqet në disa raste lidhen me mungesën e burimeve të kualifikuara njerëzore, kufizimeve buxhetore, mungesën e konsultimit dhe koordinimit ndër institucional, mos përputhshmërnë dhe dykuptimësinë e ligjeve, si dhe mungesën e llogaridhënies dhe përgjegjësisë nga ana e zyrtarëve komunal. Ai gjithashtu theskoi se mos përfshirja e komunave në procesin e hartimit të ligjeve ndikon në shfaqjen e pengesave në zbatim dhe ndryshimin e shpeshtë të ligjeve. Të dhënat e dala të këtij hulumtimi tregojnë se, në fushën e menaxhimit të pyjeve, 42% e komunave  nuk menaxhojnë me pyje, përderisa 52% e komunave deklarohen se janë përgjegjëse në menaxhimin e resurseve pyjore. Ndërsa,  60% e komunave nuk e kanë krejtësisht të qartë procesin e legalizimit të ndërtimeve pa leje dhe  87% e komunave ju kanë drejtuar Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për të kërkuar sqarime për procesin e legalizimeve, ku prej tyre 64% nuk kanë qenë të kënaqura me shpejtësinë e përgjigjes nga ministria ose nuk kanë marr përgjigje të plotë në kërkesat e parashtruara. Në 80% të komunave akoma nuk është përmbyllur hartimi i të gjitha planeve rregulluese, ndërsa në 68% të komunave nuk ekziston strategjia për mbrojtjen e ujërave. Në 50% të komunave nuk ekziston zyrtari për efiçiencë të energjisë, në 52% të komunave nuk ekziston i instaluar sistemi i alarmimit, në 71% të komunave nuk ekziston plani për mbrojtjen e ajrit dhe në 84% të komunave nuk ekziston plani për mbrojtje nga zhurma.

z. Naim Ismajli nga Asociacioni i Komunave të Kosovës theksoi se të gjeturat e raportit të Institutit GAP do të mund të shërbejnë si për  nivelin lokal edhe për atë qendror. Ai theksoi se problemi qëndron në cilësinë e ligjeve dhe në nivelin e zbërthimeve të ligjeve në akte normative si dhe  në mungesën e resurseve financiare Sipas z. Ismajli, Asociacioni i Komunave të Kosovës ka komunikim të mirë me nivelin qendror, edhe pse absorbimi i komenteve  është më i vogël nga ana e ministrive. Gjithashtu, z. Ismajli deklaroi se komunat duhet të inkuadrohen që në fazat e para të draftimeve të ligjeve, në mënyrë që të rrisin kontributin e tyre me pjesëmarrje aktive dhe se të mos bëhet nxjerrja e ligjeve pa udhëzime administrative pasi që kjo e rrit nivelin e mos-zbatueshmërisë së këtyre ligjeve në terren.

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, z. Zenun Pajaziti,  u pajtua me rëndësinë e zbatueshmërisë së ligjeve nga ana e komunave  dhe shtoi se hapësirat ligjore nuk lejojnë performancën e mirë të komunave edhe pse ka shumë raste kur komunat nuk i zbatojnë ligjet.  Andaj, ai ndër të tjera deklaroi se komisioni që ai e udhëheq do të jetë i gatshëm që të bashkëpunojë me komunat që të punojnë së bashku për përmirësimin e kësaj gjendjeje. 

Në anën tjetër, z. Agron Maxhuni nga Zyra Ligjore e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) , tha se kjo ministri ka paraparë identifikimin e ligjeve që nuk janë në harmoni me njërin tjetrin dhe që duhet të ndryshohen. Ai gjithashtu theksoi edhe mungesën financiare dhe madhësinë e administratave nëpër komuna por edhe mungesën e burimeve njerëzore sidomos në komunat e vogla. Në fund, ai premtoi se si ministri do të jenë të gatshëm që t’i adresojnë këto rekomandime të dala nga raporti i Institutit GAP. 


Raportin e plotë mund ta gjeni  duke klikuar KËTU.