Instituti GAP mori pjesë në diskutimin e draft analizës mbi investimet kapitale të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal

13/12/2016

Me ftesën e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Instituti GAP mori pjesë në panelin e diskutimit rreth të gjeturave të analizës me titull ”Analizë mbi investimet kapitale në komunat e Republikës së Kosovës”. Në këtë diskutim morën pjesë MAPL, Asociacionit i Komunave të Kosovës, përfaqëueses të projektit  "Advancing Kosovo Together" të USAID dhe Ministria e Financave.

Në analizë u prezantuan trendet e investimeve kapitale nëpër komuna për një periudhë pesë vjecare. Përveç paraqitjes se investimeve kapitale të realizuar nga komunat, kjo analizë gjithashtu ka përfshirë edhe investimet kapitale të realizuara nga niveli qendror në komuna. Këto investime janë rreth 158 milionë euro për tri vite, apo sa 44% e investimeve kapitale të planifikuara nga komunat.

Instituti GAP ka ngritur shqetësimin lidhur me mungesën e transparencës sa i përket kritereve të orientimit të një pjese të investimeve kapitale të realizuara nga niveli qendrorë në komuna. Mungesa e transparencës dhe planifikimit të duhur në orientimin e investimeve kapitale, ka rezultuar me mungesë të efektivitetit të disa prej projekteve kapitale. Gjithashtu, mungesa e transparencës lë hapësirë të madhe për orientim partiak të investimeve kapitale nga niveli qendrorë në atë lokal.

Duke marrë parasysh këta faktorë, është e nevojshme që të rikonsiderohet modeli i tanishëm i ndarjes së investimeve kapitale nga niveli qendror në komuna. Një opsion do të ishte që të rritet përfshirja e publikut gjatë fazës së planifikimit të buxhetit të ministrive, veçanërisht komunave. Gjithashtu, të bëhet më e qartë lidhja në mes të buxhetit dhe strategjive për zhvillim. 

Shqetësimet e njëjta me Institutin GAP janë ngritur edhe nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, ndërsa MAPL ka premtuar përfshirjen e këtyre rekomandimeve në analizë.