Paqartësitë e Qeverisë rreth procedimit të Ligjit për pagat në sektorin publik

29/11/2016

Në mbledhjen e mbajtur më 23 nëntor, Qeveria ka marrë vendim për tërheqjen e një numri të projektligjeve nga Programi legjislativ 2016 për t’u bartur në Programin legjislativ 2017. Në këtë grup janë edhe dy nga tri projektligjet themelore për reformën e administratës publike: 1) Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për shërbimin civil dhe 2) Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për administratën shtetërore. Projektligji i tretë i cili nuk është tërhequr nga Programi legjislativ 2016 është Projektligji për pagat që realizohen nga buxheti i Kosovës.

Ky vendim i Qeverisë është në kundërshtim me marrëveshjen në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Komisionit Evropian që të tri ligjet themelore për reformën e administratës publike të hartohen në pako, të miratohen në Qeveri si pako dhe si të tilla të dërgohen në Kuvend për diskutim dhe miratim. Vetëm një muaj më herët, përkatësisht me 9 nëntor 2016, Qeveria e Kosovës ka miratuar Agjendën për Reforma Evropiane (ARE) sipas së cilës pakoja e planifikuar legjislative që mbulon shërbimin civil, pagat dhe organizimin e administratës shtetërore do të përgatitën në mënyrë të koordinuar dhe bazuar në koncept dokumentet e dakorduara në nivel të qeverisë. Koncept dokumentet për të tri ligjet në fjalë janë në proces të hartimit në Ministrinë e Administratës Publike (MAP) dhe sipas planifikimeve do të dërgohen për miratim në qeveri gjatë muajit shkurt 2017. Pas koncept dokumenteve do të punohet në hartimin e tri ligjeve dhe sipas planifikimeve të MAP, të tri projektligjet do të jenë gati për miratim në qeveri rreth muajit nëntor 2017.

Arsyetimi i Kryeministrit për të proceduar me Ligjin për pagat ka të bëjë me atë se ky projektligj është përgatitur më herët dhe është i gatshëm për miratim. Në mbledhjen e mbajtur me datë 23 nëntor, Kryeministri kërkon nga Ministri i MAP që projektligjin për pagat në sektorin publik t’a përgatitë sa më shpejt.  Megjithatë, në bazë të plotësim ndryshimit të Programit legjislativ 2016 të datës 23 nëntor 2016, projektligji do të quhet për pagat që realizohen nga buxheti i Kosovës dhe jo për pagat në sektorin publik. Për më keq, me këtë ngutje të Qeverisë për të proceduar me Projektligjin për pagat do të anashkalohet Rregullorja e punës e Qeverisë, përkatësisht neni 32 mbi konsultimet publike i cili e obligon Qeverinë (organin propozues të projektligjit) të zhvillojë konsultime publike me organizata jo-qeveritare lidhur me projektligjin dhe i njëjti të bëhet publik nga organi propozues.

Paqartësitë e Qeverisë rreth pagave në sektorin publik rrjedhin të paktën nga viti 2015. Në Programin legjislativ 2015, Qeveria kishte planifikuar hartimin e tri projektligjeve për pagat: 1) Projektligjin për pagat e funksionarëve publikë, 2) Projektligjin për pagat dhe kompensimet e nëpunësve publik të cilët nuk janë pjesë e shërbimit civil, dhe 3) Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për pagat e nëpunësve civil. Në korrik 2015, Qeveria merr vendim për fuzionimin e këtyre tri projektligjeve në Projekligjin për pagat që realizohen nga buxheti i Kosovës. Sipas këtij vendimi, afati kohor për përgatitjen e këtij projektligji ishte data 17 gusht 2015. Tani jemi në dhjetor 2016 dhe ende Qeveria nuk është e përcaktuar nëse do të procedojë këtë vit me Ligjin për pagat dhe nëse ky ligj do të jetë Ligj për pagat që realizohen nga buxheti i Kosoves apo Ligj për pagat në sektorin publik.