Qeveria e Kosovës aprovoi Programin për Reforma në Ekonomi 2017

24/02/2017

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur më 27 janar 2017, me vendimin 06/129 ka aprovuar Programin për Reforma Ekonomike (PRE) për vitin 2017. Ky program përmban parashikimet afatmesme makroekonomike, planet buxhetore për tre vitet e ardhshme dhe agjendën e reformave strukturore.

Më 25 maj 2016, Komisioni Evropian ka publikuar konkluzionet për PRE 2016 për vendet kandidate dhe atyre potenciale për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Sipas këtij programi, Kosova duhet ta përforcojë planifikimin ekonomik dhe të ndërmerr hapa drejt formimit të një mekanizmi të pavarur për shqyrtimin e politikave fiskale, të garantojë vazhdimin e investimeve publike, si dhe  të trajtojë shkaqet e normave të larta të interesit të kredive bankare. Autoritetet e Kosovës janë angazhuar për implementimin e planit të veprimit për reduktimin e ekonomisë joformale, si dhe për rritjen e sigurisë të energjisë duke inkurajuar familjet të rrisin përdorimin efikas të energjisë dhe duke përgatitur një plan për të rritur gradualisht tarifat e energjisë që reflektojnë kostot aktuale. Kosova po ashtu është zotuar të krijojë një plan veprimi për trajtimin e papunësisë së të rinjve, përmirësimin e trajnimeve për mësimdhënës, rritjen e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës dhe përforcimin e rolit të agjencisë për punësim.

Objektivat e PRE 2017 të miratuar nga qeveria janë: mbajtja e deficitit fiskal dhe përbërja e buxhetit me rritje të favorshme, gjë që  krijon hapësirë për projekte të rëndësishme infrastrukturore, rritja e mëtejshme e kornizës rregullative dhe mbikëqyrëse bankare, reduktimi i pengesave të mbetura të huadhënies bankare për sektorin prodhues si dhe përmirësimi i mjedisit të biznesit të Kosovës duke përmirësuar sistemin e prokurimit publik.

Në kapitullin e tretë të PRE-së, Korniza Fiskale, është projektuar paketa e re fiskale për të përmirësuar mjedisin e të bërit biznes, për të forcuar prodhimin vendor dhe krijimin e vendeve të punës në rrugën drejt rritjes së qëndrueshme ekonomike.

Paketa fiskale për vitin 2017 përmban:

- Zgjerimi i listës së produkteve që konsiderohen si lëndë e parë për t’u liruar nga tarifat doganore;

- Ulja e normës së akcizës për naftë të papërpunuar;

- Ndryshimet/plotësimet e listës së produkteve që i nënshtrohen TVSH me 0% ose të reduktuara (8%);

- Udhëzimi administrativ për pushimet tatimore;

- Banderolat në paketat e miellit për kushtet e veçanta të regjistrimit, kontrollit dhe shënimit të miellit i cili qarkullon lirë në tregun e Republikës së Kosovës;

- Avullimi, humbja në peshë nën kushte të caktuara të cilat janë të pranuara (njohura), humbjet nga prishja, avullimi ose humbja në peshës e naftës dhe produkteve të saj.

Ndërkaq, në kapitullin katër janë paraqitur masat  e reformave prioritare për periudhën 2017 – 2019:

- Përmirësimi i prokurimit publik nëpërmjet aplikimit elektronik të prokurimit,

- Ulja e konsumit të energjisë nëpërmjet masave të efiçiencës së energjisë dhe zhvillimi i mëtejshëm i kapaciteteve prodhuese të energjisë,

- Shtrirja e infrastrukturës përkatëse të rrjetave të TIK-ut për zhvillim socio-ekonomik,

- Investimet në infrastrukturën bujqësore dhe për agro-përpunim dhe zgjerimi i fermave përmes konsolidimit dhe rregullimit të tokave bujqësore,

- Përkrahja e zhvillimit të grupimeve industriale,

- Zhvillimi i produktit turistik në rajone turistike të Kosovës,

- Miratimi i politikave të bazuara në të dhëna,

- Sigurimi i të drejtave pronësore duke adresuar informalitetin në sektorin e pronës së paluajtshme,

- Rritja e efikasitetit në gjyqësor në zgjidhjen e rasteve,

- Përmirësimi i qasjes në financa për NVM-të përmes Fondit Kosovar për Garanci Kreditore,

- Bashkimi i doganës dhe administratës tatimore, duke krijuar një agjenci të vetme për mbledhjen e të hyrave,

- Përmirësimi i kornizës së politikave dhe strategjive dhe ngritja e kapaciteteve për hulumtim dhe inovacion,

- Rritja e efikasitetit për kosto të transaksioneve ndërkombëtare tregtare,

- Përmirësimi i infrastrukturës së cilësisë,

- Harmonizimi i ofertës dhe kërkesës përmes hartimit të standardeve të profesionit dhe rishikimit të kurrikulave,

- Zbatimi dhe përmirësimi i sistemit të karrierës për mësimdhënës,

- Përmirësimi i shërbimeve të punësimit nëpërmjet krijimit të Agjencisë për Punësim dhe masave aktive të tregut të punës,

- Përmirësimi i shërbimeve sociale dhe shëndetësore.

Këto reforma do të financohen nga buxheti i Kosovës si dhe  nga financimi i jashtëm përmes institucioneve financiare, granteve dhe nga asistenca teknike e partnerëve zhvillimor. Ndikimi i përgjithshëm buxhetor që rrjedh nga zbatimi i 20 reformave strukturore të parashikuara arrin në 273 milionë euro për periudhën 2017-2019.