Instituti GAP mori pjesë në dëgjimin publik për Ligjin për RTK-në

02/03/2017

Me 1 mars 2017, Instituti GAP mori pjesë në dëgjimin publik të thirrur nga Komisioni Parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, ku u diskutua mbi ndryshimin e Ligjit për RTK.  Jeton Mehmeti, Drejtor i Hulumtimeve në GAP, ofroi disa komente dhe rekomandime sa i përket amandamentimit të neneve ku flitet për bordin dhe financimin e RTK.

Sa i përket Bordit të RTK-së, Instituti GAP propozoi që numri i anëtarëve të Bordit të zvogëlohet nga 11 në 7 anëtarë. Aktualisht transmetuesi publik i Kosovës përveç që ka një ndër bordet më të mëdha në rajon, ka edhe mëditjet më të larta për anëtarët e bordit krahasuar me shtetet fqinje. Sa për krahasim, kompensimi mujor për anëtarët e bordit në shtetet tjera është me sa vijon: Shqipëri 257 euro, Kroaci 270 euro, Maqedoni 360 euro, Serbia 400 euro, Mal të Zi 490, kurse në Kosovë çdo anëtar i bordit merr mesatarisht 1,159 euro në muaj. Përpos kësaj, shumica e institucioneve të tjera të pavarura në vend kanë borde më të vogla. Shumica nga 36 institucionet dhe agjencitë e pavarura kanë bord më të vogël se RTK, sikurse Komisioni i Pavarur i Medieve: 7 anëtarë, Universiteti i Prishtinës: 9 anëtarë, Agjencia Kosovare e Privatizimit: 8 anëtarë, Banka Qendrore e Kosovës: 5 anëtarë, e kështu me radhë. Sa për krahasim, bordi i transmetuesit publik në Bosnje ka 4 anëtarë, në Mal të Zi 9 anëtarë, kurse në Serbi 9 anëtarë.

Instituti GAP gjithashtu propozoi që përzgjedhja e anëtarëve të bordit të bëhet nga një kompani profesionale me arsyetim se  përbërja e Komisionit parlamentar i cili ka intervistuar dhe rekomanduar anëtarët për Bord të RTK në të kaluarën ka reflektuar fuqinë politike në Kuvend. Andaj, për të shmangur ndërhyrjet partiake,GAP propozoi që anëtarët e Bordit të intervistohen dhe selektohen nga një kompani profesionale rekrutuese. Për këtë vetëm se ekziston një precedent, pas nënshkrimit të memorandumit në mes të Kryeministrit, Kryetarit të Kuvendit dhe Ambasadorit Britanik për përzgjedhjen e zyrtarëve në pozitat kyçe në institucionet publike.

Ndërsa sa i përket financimit të RTK-së, GAP propozoi që të largohet financimi i rregullt nga buxheti i shtetit me arsyetim se kjo mënyrë e financimit është kritikuar çdo vit në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, dhe se kjo formë e financimi nga shteti ka qenë e  paraparë për një periudhë tranzitore tre vjeçare e cila veç ka përfunduar. GAP rekomandoi që financimi i RTK të bëhet me parapagim nga qytetarët. Kjo është forma kryesore e financimit të transmetuesit publik në Shqipëri, Bosnje, Kroaci, Maqedoni, Serbi dhe Slloveni. Propozimi i komisionit që parapagimi të bëhet përmes një tarife fikse mujore prej 2.5 euro në faturat e energjisë elektrike, është metodë e përshtatshme, bazuar në përvojën e RTK-së për vitet 2003-2009. Nëse numri i parapaguesve në Kosovë  është rreth 400,000, atëherë buxheti vjetor i RTK-së do të ishte rreth 12 milion euro në vit nga parapagimi. Ky buxhet do të ishte më i madh se buxheti i ndarë nga shteti në vitin 2016 prej 9.6 milion euro. Nëse i shtohen kësaj edhe të hyrat vetanake të RTK-së, të cilat sillen nga 2-3 milion euro, buxheti vjetor i RTK-së do të ishte në rreth 15 milion euro në vit. Kjo formë e financimit do të krijonte një lidhje më të fortë në mes të transmetuesit publik dhe qytetarëve. Edhe në vitin 2011 Instituti GAP pat bërë thirrje që financimi i transmetuesit publik të bëhet nga parapagimi, në analizën me titull “Qëndrueshmëria financiare e RTK-së: Gjetja e alternativave për financim të transmetuesve publik”.  

GAP kundërshtoi propozimin e komisionit parlamentar që RTK-së t"i ndahet çdo vit deri në 0.4% e buxhetit të shtetit, duke propozuar që kërkesat për fonde për investime në teknologji apo në fushën e digjitalizimit RTK mund t"i bëjë përmes plan-projekteve të veçanta, të drejtuara qoftë në institucionet vendore apo ato të Bashkimit Evropian, por jo në bazë të përgjithshme (paushall) duke kërkuar çdo vit që t"i ndahet 0.4% (rreth 5 milion euro) në vit nga buxheti i shtetit.  

Lajmin zyrtar të Komisionit parlamentar për media mund ta lexoni duke klikuar këtu.