Konferencë për media “Adresimi i Përgjegjësisë – Njohuritë e Qytetarëve me kompetencat e Komunave”

03/04/2017

Sot, Instituti GAP ka mbajtur konferencë për media ku ka prezantuar të gjeturat e hulumtimit “Adresimi i Përgjegjësisë – Njohuritë e Qytetarëve me kompetencat e Komunave”.  

Nora Latifi - Jashari, Drejtoreshë Ekzekutive në Institutin GAP, tregoi se qëllimi i këtij hulumtimi është  matja e njohurive të qytetarëve me kompetencat e nivelit qendror dhe lokal dhe adresimi i përgjegjësive në mes të dy niveleve të qeverisjes. Zakonisht, gjatë fushatave zgjedhore kandidatët për kryetarë komunash japin premtime për zgjidhjen e problemeve edhe në fushat të cilat nuk bien në kompetencat e komunave. Si për shembull, janë dhënë premtime për zgjidhjen e problemit të energjisë elektrike, hapje te fabrikave, hapje të aeroportit, etj. Pastaj, pas marrjes së mandatit, kryetarët shpesh ankohen se prej tyre po kërkohet më shumë llogari se sa që kanë kompetenca. Instituti GAP ka zhvilluar një anketë në 38 komuna të Kosovës me 1,000 qytetarë të Kosovës ku popullata e përgjithshme është ndarë në bazë të përkatësisë etnike dhe vendbanimeve. Qytetarët janë pyetur për çështje të ndryshme të shërbimeve publike, si menaxhimin e mbeturinave, furnizimin me ujë të pijshëm, mirëmbajtjen e rrugëve, rritjen e pagave në arsim e shëndetësi, etj. Gjithashtu edhe nga ana e aspektit ligjor, ekziston një ndërthurje dhe konflikt kompetencash në mes të dy niveleve. Ajo theksoi se është e rëndësishme që të qartësohen kompetencat dhe të rritet vetëdija e qytetarëve të Kosovës me qëllim që të rritet angazhimi qytetar dhe presioni për ofrim të shërbimeve më të mira.

Bekim Salihu, Hulumtues i lartë në Institutin GAP, prezantoi të gjeturat kryesore të hulumtimit. Ai theksoi se qytetarët kanë njohuri të mjaftueshme për institucionet përgjegjëse për kryerjen e shërbimeve të ndryshme publike. Mbi 85% e qytetarëve dinin se menaxhimi i mbeturinave është kompetencë e komunës dhe kompanisë rajonale për menaxhimin e mbeturinave. Ndërsa afër 80% e qytetarëve janë në dijeni se furnizimi me ujë është kompetencë e kompanisë rajonale për furnizim me ujë, kurse vetëm 13,3 % mendojnë se kjo është kompetencë vetëm e komunës.  Por, ai gjithashtu theksoi se janë disa fusha ku qytetarët nuk kanë njohuri të mjaftueshme për ndarjen e kompetencave në mes të nivelit qendror dhe atij lokal. Në disa raste, qytetarët gabimisht i lënë përgjegjësi nivelit qendror për çështjet që janë në kompetencë të komunës. Një shembull i tillë është përzgjedhja e mësimdhënësve në shkolla. Afër 49% e qytetarëve janë të mendimit se kjo është kompetencë e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, kurse 33.5% janë në dijeni se kjo është kompetencë vetanake e komunave. Në disa raste tjera, qytetarët mbajnë përgjegjës komunën për çështje që bien në kompetencë të nivelit qendror. Të pyetur se në cilin institucion duhet aplikuar për t'u pajisur me letërnjoftim dhe pasaportë, mbi 50% e të anketuarve mendojnë se adresa për këtë është komuna, kurse 34.3% janë në dijeni se adresa e saktë është Ministria e Punëve të Brendshme.

Disa nga përfundimet nga ky hulumtim janë:

- Përkundër bindjes së krijuar se qytetarët nuk kanë njohuri për kompetencat e komunave dhe kanë tendencë të fajësojnë kryetarët e komunave për gjithçka, ky hulumtim tregon se qytetarët kanë njohuri mjaft të mëdha për shërbimet publike dhe përgjegjësit për kryerjen e tyre

- Pasi që është vit i zgjedhjeve lokale, kandidatët për kryetarë të komunave duhet të përmbahen nga dhënia e premtimeve të cilat nuk bien në fushën e kompetencave vetanake të komunave

- Instituti GAP në bashkëpunim me institucionet publike do të ndërmarr një kampanjë informuese për të njoftuar qytetarët për kompetencat e komunave, në ato pika në të cilat shumica e të anketuarve kanë dhënë përgjigje të gabuar

- Gjithashtu, Instituti GAP do të avokojë tek institucionet publike për eliminimin e konfliktit ligjor në mes të Ligjit për qeverisje lokale dhe ligjeve të tjera të cilat ndërhyjnë në kompetencat vetanake të komunave.

Raportin e plotë mund ta gjeni duke klikuar Këtu.