Qeveria aprovon nismën për miratimin e protokollit 5 të CEFTA-s

03/04/2017

Në mbledhjen e 137-të,  me vendimin nr. 04/137, Qeveria e Kosovës ka aprovuar në parim nismën e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI) për miratimin e Protokollit shtesë numër 5 të CEFTA-s. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është përgjegjëse për negocimin e dispozitave të këtij protokolli për Kosovën, ndërsa në grupin negociator merr pjesë edhe Dogana e Kosovës.

Ky protokoll synon të zgjerojë bashkëpunimin në mes të vendeve anëtare për të lehtësuar tregtinë si rrjedhojë e kërkesave të bizneseve që operojnë në të gjitha vendet e palëve të marrëveshjes për të eliminuar procedurat burokratike të tepërta dhe për të përshpejtuar importin dhe eksportin e mallrave. Sipas OBT-së, lehtësimi i tregtisë do të thotë "thjeshtimi dhe harmonizimi i aktiviteteve, praktikave dhe formaliteteve të përfshira në mbledhjen, paraqitjen, komunikimin dhe përpunimin e të dhënave të nevojshme për lëvizjen e mallrave në tregtinë ndërkombëtare". Si rrjedhojë, protokolli shtesë numër 5 merr për bazë Marrëveshjen për Lehtësimin e Tregtisë  të  OBT-së e cila u kompletua në konferencën ministrore të kësaj organizate në Bali në vitin 2013.

Protokolli nuk vlen vetëm për doganën, por për të gjitha autoritetet e tjera që veprojnë në kufi. Kosova ka ndërmarrë disa masa për fillimin e ratifikimit të këtij protokolli duke themeluar Komitetin Nacional për Lehtësimin e Tregtisë si dhe duke nënshkruar Memorandumin e Mirëkuptimit mes Agjencive Kufitare (Dogana e Kosovës, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës, Policia Kufitare, Agjencia Kosovare për Produkte Medicinale). Protokolli shtesë numër 5  duhet të ratifikohet nga të gjitha vendet anëtare të CEFTA-s.

Dispozitat e përgjithshme të protokolli shtesë numër 5  janë:

-Thjeshtimi i inspektimeve për procedurat e zhdoganimit dhe ulja e formaliteteve sa më shumë që të jetë e mundur

- Shkëmbimi i të dhënave në mes të autoriteteve doganore aq sa i lejojnë ligjet vendore

- Njohja reciproke e Programeve Kombëtare të Operatorëve Ekonomikë të Autorizuar (OEA) të secilës palë të CEFTA-s përderisa ato programe janë të harmonizuara me acquis përkatës të BE-së

- Inkurajimi i zgjerimit të bashkëpunimit në mes palëve duke harmonizuar të gjitha aspektet e procedurave doganore përfshirë ketu themelimin e një pikë kontrolle të vetme kufitare

Bazuar në dispozitën për shkëmbimin e të dhënave, protokolli shtesë numër 5 parasheh që secili shtet të shkëmbejë të dhënat në mënyrë elektronike dhe që të përqëndrohen në kontrollat doganore për dërgesat me rrezik të lartë dhe të përshpejtojnë ato me rrezik të ulët.  Po ashtu, palët duhet të krijojnë sisteme për menaxhimin e riskut jo më vonë se tri vjet pasi që protokolli në fjalë të hyjë në fuqi. Kontrollat, inspektimet dhe njoftimet duhet të publikohen në mënyrë elektronike në uebfaqet e autoriteteve kompetente të secilës palë në gjuhën kombëtare dhe angleze duke u bërë pjesë e Pakos së Transparencës së CEFTA-s.

Sikurse për publikimin e njoftimeve, duhet të bëhet edhe publikimi elektronik i tarifave, ngarkesave dhe gjobave në lidhje me importimin dhe eksportimin në gjuhën kombëtare dhe angleze. Gjithashtu, palët duhet të lirojnë nga tatimi ato mallra të cilat janë të destinuara për ri-eksportim brenda një periudhe të caktuar kur ato mallra nuk pësojnë asnjë ndryshim përveç amortizimit.

Formalitetet e lidhura me importimin, eksportimin dhe kalimin transit duhet të thjeshtohen në mënyrë që të bëhet lëshimi dhe zhdoganimi i shpejtë i mallrave dhe reduktimi i kostos. Kjo pritet të arrihet përmes memorandumeve të mirëkuptimit në mes të të gjitha palëve për pranimin e kopjeve elektronike të dokumenteve doganore nga autoriteti i asaj pale që mban origjinalin.

Përveç këtyre dispozitave,  protokolli parasheh edhe rritjen e lirimit të kalimit transit duke koordinuar pagesat, kërkesat ligjore dhe operimin praktik të tyre. Ndërkaq për shkëmbimin e të dhënave çoftë brenda vendit apo në mes të vendeve anëtare, palët obligohen të përdorin infrastrukturën e ndërtuar enkas për këtë qëllim, t’i publikojnë në kohë reale, të jenë konfidenciale dhe të përdoren vetëm për qëllime të protokollit.

Protokolli parasheh edhe mundësinë e mosmarrëveshjeve në mes të palëve dhe ofron alternativa për zgjidhjen e tyre duke u bazuar në nenin 42 të marrëveshjes së CEFTA-s i cili parasheh që: “Nëse një palë konsideron se një palë tjetër nuk ka përmbushur një detyrim në bazë të kësaj marrëveshjeje, dhe konsultimet dypalëshe, ndërmjetësimi ose Komiteti i Përbashkët nuk kanë mundur të arrijnë një zgjidhje bashkërisht të pranueshme brenda 90 ditëve (...) pala përkatëse mund të  marrë masa provizore ri-balancuese (...).

Sipas një analize të Institut GAP mbi CEFTA-n, Kosova është më e dëmtuara nga marrëveshja, meqenëse importi në Kosovë ka qenë vazhdimisht shumë më i lartë se eksporti duke penguar kështu bizneset vendore në konkurrencë me ato të rajonit. Përveç kësaj, për të eksportuar në Serbi, prodhuesit Kosovarë duhet të përdorin një vend të tretë (transit) pasi që Serbia nuk pranon vulat doganore me emblemë të Kosovës.

Një ndër rekomandimet e Institutit GAP ishte ndërmarrja e masave provizore ri-balancuese ashtu siç parashihet në nenin 42 të marrëveshjes së CEFTA-s, ngaqë të gjitha masat e ndërmjetësimit brenda CEFTA-s ishin shterrur, mirëpo Kosova nuk ka ndërmarrë asnjë masë të tillë. Në të njejtën kohë, pas ratifikimit të këtij protokolli, Kosova mund të dëmtohet sërish po qe se ndan të dhënat e veta me autoritetet përkatëse të Serbisë, por ata nuk e bëjnë të njejtën gjë. Mbetet të shihet nëse Komiteti i Përbashkët i CEFTA-s do t’i marrë këto rezultate potenciale parasysh dhe të jetë më serioze në zgjidhjen e problemeve të tilla.