Aprovohet raporti i tretë mbi planifikimin dhe implementimin e klauzolës për investime

27/04/2017

Në mbledhjen 137 të datës 14 mars 2017, Qeveria e Kosovës ka marr vendimin 10/137 për aprovimin e raportit të tretë mbi planifikimin dhe implementimin e “Klauzolës së Investimeve”.

Në vitin 2012, si pjesë e marrëveshjes Stand-by mes Kosovës dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), Kuvendi i Kosovës aprovoi ndryshime në Ligjin për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë (LMFPP), duke përfshirë edhe adoptimin e Rregullores Fiskale, që ndër të tjera kufizon mundësinë maksimale të huamarrjes shtetërore në baza vjetore në 2% të Bruto Produktit Vendor (BPV).

Në fillim të vitit 2015, Ministria e Financave (MF) dhe Banka Qendrore e Kosovës filluan diskutimet me FMN për mundësinë e ndryshimit të kufizimit ligjor të deficitit, për të mundësuar kështu investime kapitale të financuara nga institucione financiare ndërkombëtare, nga Bashkimi Evropian, qeveritë e huaja apo nga agjencitë ndërkombëtare zhvillimore.

Pas hyrjes në program me FMN-në, MF ka përgatitur ndryshimet e nevojshme për ndryshimin e Rregullores Fiskale, në atë mënyrë që kufizimi i deficitit buxhetor të mos vlejë për projektet e reja të investimeve kapitale të financuara nga institucione financiare ndërkombëtare dhe agjencitë ndërkombëtare zhvillimore. Ky ndryshim u bë në Ligjin për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, duke shtuar një  nen të ri për klauzolën e investimeve. Sipas nenit të ri rritja e deficitit mbi nivelin 2% të BPV mund të bëhet vetëm për investime kapitale të cilat financohen nga institucione financiare ndërkombëtare dhe donatorët në pajtim me kriteret e përcaktuara me ligj.

Ndryshimet që u propozuan pas bisedimeve me FMN-në ishin këto:

- Të përjashtohen nga kufizimi i deficitit të rregullt prej 2% të gjitha shpenzimet për projekte kapitale të financuara nga institucione financiare ndërkombëtare dhe donatorët;

- Këto përjashtime vlejnë vetëm për projektet e reja, të kontraktuara pas hyrjes në fuqi të ndryshimit ligjor – pra kreditë e marra për financim të projekteve kapitale të kontraktuara më herët nuk mund të përjashtohen nga deficiti i rregullt;

- Këto përjashtime vlejnë deri në momentin kur borxhi total i qeverisë kalon ose ka mundësi të kaloj 30% të BPV; dhe

- Këto përjashtime skadojnë pas dhjetë viteve nga hyrja në fuqi e ligjit.

Në kuadër të klauzolës për investime përfshihen edhe huamarrjet për financimin e projekteve kapitale të ndërmarrjeve publike, nëse këto huamarrje garantohen nga qeveria. Kjo për arsye se çdo garancion i qeverisë, sipas Ligjit për borxhin publik, llogaritet si pjesë e borxhit total të Qeverisë.

Në Raportin mbi planifikimin dhe implementimin e klauzolës për investime janë të përfshira 19 projekte kapitale, e cila listë mund të zgjerohet me projekte të tjera të aprovuara nga Këshilli Kombëtar për Investime.

Ndërsa në Ligjin për Buxhetin e Republikёs sё Kosovёs pёr vitin 2017 janë planifikuar 105 milionë euro investime kapitale si pjesë e klauzolës së investimeve, por pa u specifikuar në projekte.  Ky fond do të ndahet në dy ministri,  78.8 milionë euro në Ministrinë e Financave (Kontigjenca për Financim nga Fondet e Klauzolës së Investimeve) dhe 26.2 milionë euro në Ministrinë e Infrastrukturës (Rehabilitimi i Rrugëve – 7 milionë euro dhe Transport Hekurudhor – 19.2 milionë euro).

Projektet e klauzolës për investime

Në listën e mëposhtme të projekteve që janë pjesë e klauzolës së investimeve, financuesi më i shpeshtë i mundshëm është BERZH, pastaj Banka Botërore, Austrian Soft Loan, dhe financues të tjerë. Nga klauzola e investimeve do të përfitojnë pesë ndërmarrje publike: Infrakos, Ibër-Lepenci, Trafiku Urban Prishtinë, KOSTT dhe Kompania e Ujitjes Radoniqi. Nga ministritë zbatuese të projektit do të jenë Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ministria për Zhvillim Ekonomik, Ministria për Kulturë Rini dhe Sport dhe Ministria e Shëndetësisë. Ndërsa komunat që do të përfitojnë nga klauzola e investimeve janë: Podujeva, Gjilani, Graçanica dhe Shtimja.

Lista e projekteve të përfshira në klauzolën e investimeve:

- Rehabilitimi i Rrugës Hekurudhore 10, 195.4 milionë euro.

- Ndërtimi dhe modernizimi i linjës hekurudhore Prishtinë – Fushë Kosovë – Aeroporti i Prishtinës “Adem Jashari”, 40.2 milionë euro.

- Rehabilitimi i Ibër – Lepencit, 22 milionë euro.

- Rehabilitimi i rrugëve rajonale, 29 milionë euro.

- Ndërtimi i rrugës N9 Prishtinë – Pejë (SEETRO Rruga 6 A) pjesa nga Kijevë –Klinë deri Zahaq, 142 milionë plus 4.5 milionë euro.

- Rehabilitimi i përgjithshëm i linjës hekurudhore lindore dhe jugore (kufiri me Serbinë – Podujevë –Fushë Kosovë, Klinë –Prizren), 158.8 milionë euro.

- Zgjerimi i sistemit të ujitjes së Kompanisë “Radoniqi” – faza e II – të.

- Ndërtimi i magjistrales së re nga Prishtina –Gjilan – Dheu i Bardhë (kufiri me Serbinë – 68 km), 272 milionë euro.

- Projekti për Transportin Publik, Komuna e Prishtinës, 10 milionë euro.

- Përmirësimi i Rrjetit të Transmisionit, Faza VI-VII, 25.5 milionë euro (nën huazim nga Qeveria e Kosovës tek KOSTT).

- Konkurrushmëria dhe Gatishmëria për Eksport, rreth 14.3 milionë euro.

- Ndërtimi i kolektorit kryesor për ujëra të zeza në Komunën e Podujevës si dhe përmirësimin e sistemit të kanalizimeve në Komunën e Gjilanit, 5.3 milionë euro plus 7.5 milionë euro (në total 12.5 milionë euro).