Sa kanë kompetenca vetanake Komunat?

08/09/2017

Instituti GAP ka mbajtur konferencën për media ku prezantoi raportin “ Sa kanë kompetenca vetanake komunat?”

 

Analiza u prezantua nga Bekim Salihu, hulumtues në Institutin GAP. Sipas të gjeturave të Institutit GAP, kompetencat vetanake të komunave, të listuara në nenin 17 të Ligjit për vetëqeverisje lokale, në masë të madhe janë kompetenca të cilat komunat i ushtrojnë nën varësi të pushtetit qendror. Shembull i tillë është furnizimi me ujë të pijes, ku edhe pse Ligji për vetëqeverisje lokale u jep kompetenca komunave dhe i mban përgjegjëse ato për furnizim me ujë, në praktikë furnizimi me ujë është kompetencë e ndërmarrjeve publike rajonale, të cilat i japin llogari Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik. Edhe menaxhimi i mbeturinave nuk është kompetencë vetanake e komunës, por kjo është detyrë e ndërmarrjeve publike rajonale për menaxhimin e mbeturinave, të cilat menaxhohen nga një konsorcium i komunave, e ku zakonisht komunat më të vogla mbivotohen nga komunat më të mëdha. Raste të ngjashme hasen edhe në fushën e emergjencave, shëndetësisë, arsimit dhe në fusha tjera. Së fundmi, përmes ndryshimeve ligjore, niveli qendror synon të zgjerojë kompetencat e veta në dëm të nivelit lokal edhe në fushën e prokurimit, mbrojtjen ligjore të komunave, etj. GAP rekomandon që institucionet publike të ndryshojnë ligjet nëpërmjet të cilave do t’u japeshin kompetenca më të mëdha komunave.

Znj. Rozafa Ukimeraj – Çuni, Sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, theksoi se legjislacioni bazik për vetëqeverisje lokale, po i afrohet një dekade të implementimit dhe rezultatet janë të dukshme në shumë fusha. Progres është nënvizuar në fushën e ligjshmërisë së akteve komunale; rritjes së performancës në ofrimin e shërbimeve; avancimit të demokracisë lokale dhe unifikimit të vetëqeverisjes lokale në shkallë vendi. Sipas znj.Ukimeraj-Çuni, “Kosova ka zhvilluar një kornizë mjaft të mirë të ligjeve dhe politikave, mirëpo zbatimi i tyre përballet me vështirësi sa i përket aspektit financiar, njerëzor, profesional dhe institucional. Duke ju referuar edhe raportit të Institutit GAP, komunat kanë një set të gjerë të kompetencave vetanake, mirëpo seti i njëjte i kompetencave vetanake komunale, për të gjitha komunat, ka lënë shumë çështje të hapura dhe në fazën e konsolidimit të vetëqeverisjes lokale në të ardhmen sigurisht se kërkojnë zgjidhje sistemore. Për këtë arsye, MAPL ka sponsorizuar Strategjinë për Vetëqeverisje Lokale 2016 – 2026, ku edhe Instituti GAP ka dhënë kontribut në përpilimin e kësaj strategjie, e cila është miratuar nga qeveria duke vendosur kështu orientimet strategjike për dhjetë vitet e ardhshme. Gjatë vitit 2017, MAPL ka miratuar rregulloren për publikimin e akteve të komunave; është në përfundim e sipër rregullorja për përformancën komunale, ndërkohë që ka përfunduar procesi i hartimit të Ligjit për kryeqytetin si dhe është në proces të ndryshimit ligji ekzistues për menaxhimin e pronës komunale, si një ndër ligjet më substanciale.”

Në fund znj.Ukimeraj-Çuni ri konfirmoi qëndrimin e ministrisë për bashkëpunim me shoqërinë civile dhe me asociacionin e komunave që së bashku të avancojnë vetëqeverisjen lokale.

Para prezantimit të analizës në Prishtinë, Instituti GAP e ka prezantuar këtë raport edhe në Gjilan, në Prizren dhe në Pejë, ku me komunat e këtyre regjioneve është debatuar për kompetencat vetanake. Qëndrimi i përfaqësuesve të të gjitha komunave që kanë marr pjesë në këto debate ka qenë se baza ligjore aktuale nuk garanton pavarësi qeverisëse për komunat.

Foto 1. Tryeza e mbajtur në Gjilan ( 23 gusht 2017)

Foto 2. Tryeza e mbajtur në Prizren ( 5 shtator 2017)

Foto 3. Tryeza e mbajtur në Pejë ( 7 shtator 2017)

Analizën e plotë të Institutit GAP mund ta gjeni të bashkangjitur në këtë email ose duke klikuar KËTU.

Gjithashtu në këtë link http://bit.ly/2xbf2LF, mund të gjeni edhe video animacionin i cili paraqet të gjeturat e raportit “ Sa kanë kompetenca vetanake komunat?”