Shpenzimet për karburant për vetura për vitin 2016

06/10/2017

Për të rregulluar shfrytëzimin e automjeteve zyrtare nga punonjësit e institucioneve publike, në janar të vitit 2008, Qeveria e Kosovës  ka vënë disa rregulla rreth përdorimit të veturave zyrtare dhe shpenzimeve për karburante, ku edhe ka miratuar edhe Udhëzimin Administrativ nr.03/2008 për Përdorimin e Automjeteve të Qeverisë së Kosovës.

Sipas këtij udhëzimi, kryeministri, zëvendëskryeministrat, ministrat, zëvendësministrat, sekretari i përgjithshëm i ZKM dhe shefi i kabinetit të kryeministrit, kanë të drejtë të përdorin automjetet zyrtare 24 orë. Të gjithë zyrtarëve tjerë u ndalohet përdorimi i automjetet jashtë orarit të punës përveç në raste specifike të cilat kërkojnë vendimin e ministrit-es të ministrisë përkatëse. Automjetet e Qeverisë së Kosovës duhet të shërbejnë për kryerjen e detyrave zyrtare dhe përdoruesit e tyre duhet ti shfrytëzojnë ato në mënyrë sa më ekonomike dhe efikase.

Për të mbikëqyrur zbatueshmërinë e këtij udhëzimi, u krijua edhe Njësia për Monitorimin e Përdorimit të Automjeteve në kuadër të Ministrisë së Administratës Publike. Kjo njësi ka për qëllim që të mbajë një regjistër mbi përdorimin e veturave zyrtare nga të gjitha institucionet publike, të mbajë shënime për shpenzimet e derivateve, riparimeve dhe kilometrave të kaluara për secilin automjet.

Por, sa shpenzojnë zyrtarët publik për karburant për vetura dhe a raportohen këto shpenzime sipas rregullave?

Shpenzimet për karburant për vetura hyjnë në kategorinë ekonomike të mallrave dhe shërbimeve. Sipas raportit vjetor financiar 2016 të Ministrisë së Financave, gjatë vitit 2016 nga buxheti i Kosovës janë shpenzuar 6.9 milionë euro për karburant për vetura apo 3.8% të shpenzimeve për mallra dhe shërbime. Në krahasim me vitin 2015 dhe 2014 gjatë këtij viti shpenzimet për karburant për vetura kanë qenë me trend rënës.

Në kërkesën e dërguar nga Instituti GAP për shpenzime për karburant për vetura për vitin 2016, nuk kanë pranuar të japin përgjigje Zyra e Kryeministrit, Ministria e Financave, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ministria e Punëve të Jashtme. Ndërsa Ministria e Drejtësisë publikon raporte javor të shpenzimeve që përfshijnë edhe shpenzimet për karburant për vetura, por jo në formatin e kërkesës sonë. Nga 13 ministritë që kanë pranuar të përgjigjen në kërkesën tonë, Ministria e Infrastrukturës na është përgjigjur me shpenzimet totale vjetore. Ministria për Komunitet dhe Kthim ka raportuar shpenzimet me targa të veturave, Ministria e Integrimeve Evropiane ka dërguar  raport të shpenzimeve totale mujore, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë për shpenzimet e këshilltarëve ka raportuar si total për të gjithë dhe një pjesë tjetër me targa të veturave ndërsa Ministria e Forcës dhe Sigurisë së Kosovës raportin e shpenzimeve për karburant për vetura e ka përcjellë me emrat e vozitësve zyrtar të kabinetit të ministrisë.

Nga të dhënat e grumbulluara, del se brenda vitit 2016 kabinetet e 13 ministrive kanë shpenzuar 185,865 euro për karburant për vetura.

Kabineti i Ministrisë për Komunitete dhe Kthim ka shpenzuar më së shumti, apo 28,045 euro. Pas saj radhitet Ministria e Infrastrukturës me 26,594 euro, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural me 16,128 euro.

Gjatë vitit 2016 për karburant për veturë zyrtare më së shumti ka shpenzuar: Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar me 7,436 euro të shpenzuara. Pas tij vjen ish ministri i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Ljubomir Maric me 7,432 euro të shpenzuara, pastaj zëvendës ministri i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Avni Kastrati me 5,472 euro.

Në këtë link, janë paraqitur në formë infografike shpenzimet për karburant për 13 ministri gjatë vitit 2016 dhe personat përgjegjës për secilin shpenzim.