Stimulimi i ekonomisë përmes pakos fiskale 2.0

18/10/2017

Në mbledhjen e 149-të, Qeveria e Kosovës me vendimin nr. 08/149 ka aprovuar listën e masave të pakos fiskale 2.0 dhe obligon Ministrinë e Financave dhe institucionet tjera përgjegjëse t’i ndërmarrin veprimet e nevojshme për të përgatitur dokumentet relevante të cilat i kanë nën përgjegjësinë e tyre.

Sistemi tatimor është një instrument i fuqishëm i institucioneve publike me anë të së cilit synohet ndikimi në të ardhura, konsum apo investime që parimisht do të çonte në rritje ekonomike dhe rritje në punësim.

Pako Fiskale 2.0 përmban 22 masa që kanë për qëllim nxitjen e investimeve në Kosovë duke ofruar lehtësira për prodhues e për sektorë që kanë potencial më të madh për zhvillim. Nxjerrja e akteve nënligjore për secilën masë pretendon të konkretizojë lehtësirat dhe po ashtu t’ua hap rrugën bizneseve për të shfrytëzuar ato. Katër nga këto masa është dashur të përgatiten në korrik e tetë syresh në shtator, por bllokada politike edhe pas dy muajve që nga zgjedhjet parlamentare nuk e ka bërë të mundshme një gjë të tillë dhe nuk duket se situata do të jetë ndryshe as në muajin që pason.

Duke qenë se politikat fiskale mund të sjellin edhe efekte pozitive, për shembull rritje në investime në sektorin e bujqësisë, por në të njejtën kohë edhe efekte negative, për shembull uljen e të ardhurave të shtetit për shkak të pushimeve tatimore, shkurtimeve tatimore, apo lirimit nga tatimi mbi të ardhura të atij sektori, konstruktimi i mirëfilltë i një politike tatimore është thelbësor.

Sipas një analize të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), shumë vende me të ardhura të ulëta përdorin pushimet tatimore dhe lirime nga tatimi mbi të ardhura për të tërhequr investime. Por, në këtë analizë thuhet se këta stimuj drejtuar sektorit prodhues apo industrive nxjerrëse kanë pak ndikim në krahasim me industritë me mundësi më të madhe për eksport. Po ashtu, gjithmonë ekziston rreziku i dëmtimit të konkurrencës tatimore ndërmjet industrive.  Megjithëkëtë, infrastruktura e mirë, stabiliteti makroekonomik, sundimi i ligjit,  janë kyçe për efikasitetin e politikave të tilla.

kumtesën e Ministrisë së Financave, ministri Hoti ka thënë se masat e parapara në këtë pako kanë rrjedhur nga identifikimi i nevojave të bizneseve qoftë përmes takimeve, tryezave, apo vizitave në terren dhe po ashtu si rezultat i suksesit të pakos fiskale të funksionalizuar më 2015. Por, çka konkretisht përfshihet në listën e masave të pakos fiskale 2.0 dhe çfarë synohet me to?

Lista e masave të pakos fiskale 2.0 parasheh ndryshim/plotësimin e tri ligjeve, nxjerrjen e pesë udhëzimeve administrative (UA) , dy akteve legjislative (udhëzime administrative ose rregullore) dhe ndryshimin e një udhëzimi administrativ ekzistues krahas nxjerrjes edhe të disa procedurave administrative dhe ndryshimeve të vendimeve.

Ndër rishikimet e ligjeve hyn ai për lojërat e fatit me qëllim të harmonizimit të kërkesave ligjore me praktikat më të mira ndërkombëtare që të krijohen kushtet e nevojshme për kontrollimin dhe formalizimin e plotë të këtij sektori. Ligji do të obligojë bizneset e tilla të mbajnë tatimin në burim për lojtarët. Ai është paraparë të plotësohet në shtator 2017.

Po ashtu ligji për të ardhurat e korporatave (TAK) dhe për të ardhurat personale (TAP) do të plotësohet për të adresuar tatimin e kompanive të sigurimit dhe uljen e tatimit të mbajtur në burim për grumbulluesit e produkteve bujqësore. Edhe ligji për TVSH-në pritet të ndryshohet për të adresuar çështje si tatimin e transportit rrugor ndërkombëtar të pasagjerëve sipas direktivave të BE-së si dhe trajtimin e arit të investueshëm i cili do të përcillet edhe me një udhëzim administrativ që është një masë e veçantë e kësaj pakoje. Ari i investueshëm do të tatohet vetëm për punën e shpenzuar në stoli, ari i pastër nuk do të tatohet dhe në ligj do të trajtohet edhe pjesa e tregtimit të arit si mall i dorës së dytë, pra në rastet e  blerjes së tij nga qytetarët. Të dyja këto ligje pritet të ndryshohen/plotësohen në janar 2018.

Ndër masat kryesore është edhe udhëzimi administrativ për përcaktimin e kritereve për miratim të statusit të kompanive prodhuese që lirohen nga tatimi doganor për lëndën e parë për prodhim, i cili do të duhej të nxirrej në tetor 2017. Përcaktimi i kritereve dhe zbatimi i tyre në procesin e marrjes së statusit si kompani prodhuese është qenësore për mos keqpërdorim nga kompanitë që nuk janë prodhuese, por më e rëndësishmja është që kompanitë prodhuese do të stimulohen të investojnë edhe më tepër kur kostot e tyre zvogëlohen.

Po ashtu parashihet nxjerrja e udhëzimit administrativ për ndryshim/plotësim të listës së artikujve që mund t’i nënshtrohen normës së ulur 8 përqind të TVSH-së për të futur edhe aktivitetet kulturore, artistike, sportive, turistike, akomodimin dhe rekreacionin si dhe përpunimin e  peshkut për të ofruar lehtësira për këto kategori. Po ashtu, nxjerrja e udhëzimit administrativ për pushimet tatimore për periudha të caktuara për nxitjen e investimeve në sektorë të veçantë me potencial për zhvillim dhe punësim në Kosovë përfshirë këtu bujqësinë/agroprocesimin, turizmin dhe TI-në. Që të dy këto udhëzime duhet të nxirren në shtator 2017.

Të tjera udhëzime administrative që duhet përgatitur janë ai për humbjet nga prishja, avullimi apo humbja e peshës së naftës dhe produkteve të saj (korrik 2017), për kushtet e veçanta të evidentimit, kontrollit dhe shënjimit të miellit (korrik 2017) si dhe për avancimin e sistemit të fiskalizimit përmes një platforme të re të TI-së (janar 2018).

Masat tjera të pakos fiskale 2.0 janë:

 - Ndryshim/plotësimi i vendimit të qeverisë së marsit 2015 për të mundësuar heqjen e akcizës në mazut për prodhim

- Miratimi i vendimit nga qeveria për uljen e akcizës për pije të gazuara dhe pa gazuara si dhe për alkoolin etilik për përdorim në mjekësi

- Krijimi i listës së prodhuesve vendor që do të rishikohet në baza vjetore sipas procedurave administrative të përgatitura nga ATK, Dogana, MTI dhe MBPZHR

- Krijimi i kodeve tarifore të reja për disa produkte sipas praktikave të Bashkimit Evropian

- Krijimi i procedurave administrative për përcaktimin e kritereve për rejtingun (vlerësimin) e kompanive

- Krijimi i një portali të transparencës për trajtimin e kërkesave të bizneseve për licenca

- Rregullimi i tregut të shitjeve online përmes një platforme të re dixhitale për kontrollimin e tyre

- Rregullimi i tregut të shit-blerjes së telefonave mobil përmes rregullores që do të sqarojë procedurën e zhdoganimit të tyre

- Miratimi i vendimit nga qeveria për uljen e akcizës për pije të gazuara dhe pa gazuara si dhe për alkoolin etilik për përdorim në mjekësi

- Përgatitja e procedurave nga dogana për trajtimin e importit të pajisjeve parciale prodhuese dhe atë të mostrave të mallrave që janë vetëm për reklamim

- Themelimi i një komisioni ndër-ministror për shqyrtimin e ankesave të bizneseve për monopolet potenciale në treg

Pako Fiskale 2.0 do të ndihmonte një sërë biznesesh qoftë përmes lirimit nga taksat, uljes së taksave, kritereve për t’u cilësuar si kompani prodhuese, rejtingut e në të njejtën kohë shteti do të përfitonte nga një kontroll më i mirë i të ardhurave nga tatimet e ndryshme duke mos lënë hapësirë për evazion fiskal në mungesë të politikave të qarta. Po kjo tashmë ka stagnuar. Bllokada politike në vend dhe ngrirja e konstituimit të kuvendit po e çon vendin në humbje nga të gjitha anët. Jo vetëm që po i lë qytetarët duke pritur, por edhe bizneset po humbin mundësi për rritjen e investimeve me anë të uljes së kostove tatimore nga këto lehtësira e në të njejtën kohë kjo e pengon edhe hapjen potenciale të vendeve të reja të punës.