Ambasadori i SHBA Greg Delawie vlerëson suksesin e Institutit GAP në bindjen e qeverisë për të anuluar vendimin e saj që fali borxhet e ambaluzhuesve të ujit

22/06/2018

Në dhjetor të vitit 2017, koalicioni i Javës Kundër Korrupsionit, përkatësisht Instituti i Kosovës për Drejtësi, Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Instituti GAP, Iniciativa për Progres, Instituti  Columbus, Çohu dhe Instituti i Kosovës për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave, kanë raportuar raste të shumta të korrupsionit që i kishin hulumtuar dhe ndaj të cilave kishin reaguar.

Më 22 qershor, ambasadori i SHBA-së Greg Delawie dhe përfaqësuesit e koalicionit mbajtën një konferencë për shtyp për të diskutuar rezultatet e rasteve të raportuara dhe efektet e tyre në përpjekjet kolektive kundër korrupsionit në gjashtë muajt e fundit.

Ambasadori Delawie tha se jo çdo çështje e diskutuar është zgjidhur dhe puna vazhdon me sfida, por ka premtuar se Ambasada e SHBA-së  do të vazhdojë mbështetjen e saj ndaj koalicionit dhe punës që bëjnë ata, pasi që lufta kundër korrupsionit është një nga prioritetet e punës së ambasadës së tij në Kosovë.

Ambasadori Delawie veçoi dhe vlerësoi suksesin e Institutit GAP në bindjen e qeverisë për të anuluar vendimin e saj të mëhershëm për faljen e borxheve të grumbulluara nga ambalazhuesit e ujit, i cili nuk kishte bazë ekonomike apo ligjore. Ai shtoi se presioni i GAP dhe përpjekjet për ndërgjegjësimin e publikut e bënë të mundur këtë gjë.