Pas komenteve të Institutit GAP, MZHE anulon procedimin e Koncept dokumentit për agjencinë e participimeve të Kosovës

12/09/2018

Në maj të viti 2018, Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE) ka hapur konsultimin publik për Koncept dokumentin për agjencinë e participimeve të Kosovës më anë të të cilit paraqiti arsyetimet për nevojën e krijimit të një agjencie të pavarur që do të menaxhonte ndërmarrjet publike (NP-të). Pas argumenteve të Institutit GAP së themelimi i këtij agjencioni nuk do ndihmonte në përmirësimin e performancës së NP-vë dhe është në kundërshtim me objektivat për reformën në administratë publike, MZHE e ka anuluar procedimin e këtij koncept dokumenti.

Instituti GAP kundërshtoi themelimin dhe funksionalizimin e një agjencie të tillë, e cila do merrte përgjegjësinë e zbatimit të politikave dhe strategjive të qeverisë për ndërmarrjet publike duke përmendur faktin se bartja e përgjegjësive nga ministria dhe komunat në një agjenci të pavarur e cila nuk jep llogaridhënie politike, nuk do të ndikonte në përmirësimin e NP-ve, por do të arrinte efektin e kundërt. Gjithashtu, MZHE nuk kishte ofruar asnjë fakt se përse një agjenci e pavarur do të menaxhonte më mirë NP-të, dhe kostoja e themelimit të këtij agjencioni nuk ishte kalkuluar fare. Institutit GAP gjithashtu ka argumentuar se themelimi i një agjencioni të pavarur nën menaxhim të Kuvendit të Kosovës, është në kundërshtim me objektivat e reformës në administratë publike. Duke u bazuar ne këto argumente, ishte kërkuar të mos procedohet tutje ligji për Agjencinë e Participimeve në Kosovë.

Instituti GAP ka rekomanduar që zgjidhja e problemit për menaxhimin e dobët të NP-vë është depolitizimi i bordeve të NP-ve përmes rritjes së transparencës në rekrutim të këtyre bordeve si dhe fuqizimi profesional i Njësisë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike në MZHE.