Monitorimi i Agjendës për Reforma Evropiane për periudhën Janar-Shtator 2018

30/10/2018

Instituti GAP së bashku me Institutin e Prishtinës për Studime Politike (PIPS) dhe Grupin për Studime Politike dhe Juridike (GLPS) publikuan “Raportin e Monitorimit të Agjendës për Reforma Evropiane për periudhën Janar-Shtator 2018”.

Ky monitorim ka për qëllim vlerësimin e arritjeve dhe ngecjeve në kuadër të Agjendës për Reforma Evropiane (ARE). Fokusohet në vlerësimin e institucioneve të Kosovës në realizimin dhe zbatimin e masave dhe veprimeve të ARE. Tre organizatat e përfshira në këtë raport, Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS), Grupi për Studime Politike dhe Juridike (GLPS) dhe Instituti GAP, kanë monitoruar procesin vazhdimisht në mënyrë intensive në ministritë përkatëse dhe kanë përmbledhur vlerësimet e tyre.

Raporti i Agjendës për Reforma Evropiane (ARE) në kuadër të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim (MSA) fokusohet në tre shtylla kryesore:

1) Qeverisja e Mirë dhe Sundimi i Ligjit – monitoruar nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike;

2) Konkurrueshmëria dhe Klima e Investimeve – monitoruar nga Instituti GAP;

3) Punësimi dhe Arsimi – monitoruar nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike.

Në tre mujorim e tretë (Korrik-Shtator) 2018, në shtyllën e parë (Qeverisja e Mirë dhe Sundimi i Ligjit) janë paraparë të realizohen 11 masa, me gjithsej 37 veprime nga të cilat janë plotësuar gjithsej 62% e veprimeve, 24% janë plotësuar pjesërisht dhe kanë mbetur të paplotësuara rreth 14% të tyre. Tutje, në shtyllën e dytë (Konkurrueshmëria dhe Klima e Investimeve) janë paraparë të realizohen 12 masa, me gjithsej 44 veprime. Prej 44 veprimeve të identifikuara, 20 veprime apo 46% prej tyre janë plotësuar në tërësi, katër veprime apo 9% janë realizuar pjesërisht, 15 veprime apo 34% e tyre mbesin të paplotësuara dhe 5 veprime apo 11% janë në realizim e sipër. Dhe në fund, në shtyllën e tretë (Punësimi dhe Arsimi) janë paraparë të realizohen 6 masa, me gjithsej 27 veprime nga të cilat janë plotësuar vetëm 12 veprime apo 44% prej tyre, janë plotësuar pjesërisht 9 veprime apo 33% dhe të pa plotësuara mbesin 6 prej të tyre ose 22%.

Në tërësi, në të gjitha shtyllat e lartëpërmendura për periudhën Janar-Shtator 2018, janë identifikuar gjithsej 108 veprime. Ndër to, të plotësuara janë vetëm 51% të veprimeve ose 55 prej tyre, ndërsa 20% ose 22 e veprimeve mbesin pjesërisht të plotësuara. Në anën tjetër, 24% apo 26 veprime janë të pa plotësuara, dhe për pjesën e mbetur prej 5% ose 5 veprime, ka mungesë të informacionit. Mungesa e informacionit vjen si rezultat i refuzimit ose mos bashkëpunimit të institucioneve përgjegjëse.

Si përfundim, nga 29 prioritetet kyçe, vetem 5 prej tyre janë plotësuar në tërësi. Institucionet e Kosovës janë tashmë një vit me vonesë dhe ka ende shumë punë për të bërë. Nevojitet seriozitet më i madh nga organet kompetente në përmbushjen e kritereve sepse kjo e ngadalëson procesin e Kosovës drejt integrimit Evropian.

 

Raportin e plotë mund ta gjeni duke klikuar këtu