GAP prezantoi analizën "Madhësia e Administratës Publike"

21/07/2015

Prishtinë, 21 korrik 2015 - Në një konferencë për media, sot Instituti GAP ka prezantuar analizën me titull “Madhësia e Administratës Publike në Kosovë – Propozim për Uljen e numrit të të punësuarve në Administratën Publike”.

Në Kosovë ekziston një numër i madh i institucioneve të administratës publike, dhe një numër i madh i të punësuarve në të. Përkundër premtimeve për uljen e numrit të ministrive, ministrave, Qeveria aktuale vetëm sa ka shtuar numrin e ministrave – nga 20 në 21. Përveç kësaj, ministritë dhe Zyra e Kryeministrit kanë krijuar edhe mbi 70 organe qendrore të administratës shtetërore (apo agjenci ekzekutive), dhe po ashtu Kuvendi ka krijuar 34 institucione dhe agjenci të pavarura. Sektori publik në nivel qendror dhe lokal numëron mbi 91 mijë të punësuar.

Visar Rushiti (GAP) prezantoi të gjeturat e analizës. Ai theksoi se janë tri ligje bazë që rregullojnë funksionet e administratës publike: Ligji për Shërbimin Civil, Ligji për Pagat e Nëpunësve Civil dhe Ligji për Administratën Shtetërore. Duke u bazuar në këto tri ligje, nga 2010 e deri në korrik 2015, janë nxjerrur edhe 86 akte nënligjore (rregullore dhe udhëzime administrative). Janë të paktën dy probleme me kornizën ligjore në këtë fushë: 1) plotësim ndryshimi i ligjeve ende pa u zbatuar ligjet mirë në praktikë; dhe 2) kolizioni në mes të akteve nënligjore dhe ligjeve.

Ai gjithashtu theksoi se gjatë hulumtimit është vërejtur se nuk ka kritere se sa departamente dhe divizione duhet të ketë një ministri. Brenda një ministrie ekzistojnë divizione që raportojnë në departament, departamente që raportojnë tek Sekretari i Përgjithshëm, por edhe departamente dhe divizione tjera si struktura të veçanta të cilat i raportojnë drejtpërdrejt ministrit.

Përveç numrit të madh të ministrive, në kuadër të tyre janë krijuar edhe një numër i madh i organeve qendrore të administratës shtetërore, që në komunikim të përditshëm quhen agjenci ekzekutive apo thjeshtë agjenci. Baza ligjore për krijimin e tyre nuk është e qartë dhe Ligji për Administratën Shtetërore përmend vetëm organet qendrore të administratës shtetërore, por jo edhe agjencitë ekzekutive.

Nga numri prej 19 ministrive sa ka Qeveria, vetëm gjashtë ministri nuk kanë agjenci ekzekutive brenda tyre. Agjencitë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit krijojnë konfuzitet sa i përket pozitës institucionale të tyre por edhe përgjegjësisë që kanë këto agjenci në kuadër të institucionit.

Ekzistojnë shumë divizione me nga dy të punësuar ku njëri është udhëheqësi i divizionit e tjetri punëtor i atij divizioni. Për më keq, ka divizione me nga një të punësuar.

Në shkurt 2015, Qeveria e Kosovës ka miratuar Katalogun e vendeve të punës në shërbimin civil. Megjithatë, deri tani nuk është e qartë se si do të jetë harmonizimi i këtij katalogu me rregulloret e Qeverisë të miratuara për secilën ministri për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës. Çdo vit mbi një mijë shërbyes publik dalin në pension. Brenda periudhës pesë vjeçare (2015-2019), 7.179 shërbyes publik dalin në pension.

Për të adresuar madhësinë e administratës publike si strukturë dhe numër, Instituti GAP i rekomandon Qeverisë që të aplikojë një politikë të uljes së numrit të shërbyesve publik dhe civil e cila do të zbatohej përmes pensionimit të rregullt të tyre pas moshës 65 vjeçare, bazuar në Ligjin për Shërbimin Civil dhe Ligjin e Punës.

Për t’u aplikuar kjo politikë, Qeveria do të duhej të mos rekrutonte shërbyes civil tjerë në ato pozita që mbesin të lira, por të mbulojë ato pozita me stafin aktual, dhe të aplikojë një politikë të ri-alokimit të shërbyesve civil në ato pozita që vlerësohen si kuadër deficitar.

Një politikë e tillë do të duhej të zbatohej fillimisht për një periudhë pesë vjeçare (2015-2019), efektet e së cilës do të shiheshin pas një analize mbi të. Qeveria duhet të procedojë për miratim Ligjin për Qeverinë me çka do të precizonte nevojën dhe procedurën e krijimit të ministrive përmes plotësim ndryshimit të ligjit në Kuvend. Qeveria duhet të krijojë një Komision për të rishikuar funksionalitetin dhe nevojën e ekzistimit të mbi 70 organeve qendrore të administratës shtetërore.

Po ashtu, Kuvendi duhet të nisë procedurat e njëjta për rishikimin e funksionalitetit dhe arsyeshmërisë së ekzistencës së 34 agjencioneve të pavarura.

Analizën e plotë mund ta lexoni duke klikuar Këtu