Fondi për Kuadro: Program financimi për pozita deficitare apo menaxheriale?

29/09/2015

Instituti GAP sot ka publikuar një analizë me titull "Fondi për Kuadro: Program financimi për pozita deficitare apo menaxheriale?"

Këto ditë kur Qeveria e Kosovës është duke përpiluar listat e përfituesve të Fondit për Kuadro për vitin 2015, Instituti GAP ka analizuar funksionimin e Fondit për Kuadro që nga themelimi i tij në vitin 2008. Qëllimi i themelimit të Fondit ka qenë tërheqja e specialistëve të nivelit të lartë për të plotësuar pozitat deficitare në Qeveri.

Në prezantimin e të gjeturave, Jeton Mehmeti, analist i politikave në Institutin GAP, tha se me kalimin e viteve Fondi për Kuadro ka devijuar nga qëllimi i tij origjinal, është keqkuptuar dhe mund të jetë keqpërdorur nga ministri të ndryshme. Të gjeturat tregojnë se shumica e përfituesve nuk kanë shkollim të avancuar universitar. Nga 222 zyrtarë përfitues të Fondit në vitin 2014, gjashtë janë me titull doktor shkence, 94 me titull master dhe 122 të tjerë, apo 55% e përfituesve nuk dihet nëse kanë të paktën diplomë universitare. Kjo është në kundërshtim me qëllimin origjinal të Fondit për tërheqjen e njerëzve me shkollim sa më të avancuar. Pastaj, shumica e përfituesve të Fondit më 2014 kanë qenë njerëz të brendshëm, që kanë qenë duke punuar në ministrinë përkatëse, dhe të cilët më pas janë futur në kategorinë e përfituesve. Kjo është bërë praktikë brenda ministrive që Fondin e kanë kuptuar si një lloj shtese për t"i shpërblyer disa punonjës. Edhe kjo praktikë është në kundërshtim me idenë origjinale të Fondit, ku përmes konkurseve do të tërhiqeshin njerëz deficitar. Në mesin e shumë përfituesve janë drejtorët, zëvendësdrejtorët, udhëheqësit e divizioneve brenda ministrive, pra janë kryesisht pozita menaxheriale. Por, edhe shumë pozitat tjera të përfituesve nuk janë pozita deficitare në tregun e Kosovës.

Duke marrë për bazë idenë origjinale të krijimit të Fondit për Kuadro, duke parë Rregulloren për Funksionimin e Fondit për Kuadro, dhe duke analizuar shpërndarjen e pozitave përfituese në vitin 2014, Instituti GAP rekomandon që Komisioni për Fondin për Kuadro të bëjë fillimisht një vlerësim individual të secilit përfitues të Fondit për vitin 2014. Gjatë vlerësimit të shikohet nëse përfituesi ka plotësuar kriteret bazë të përzgjedhjes së kandidatëve, sidomos sa i përket posedimit të diplomës në fushën relevante, njohjen e gjuhës angleze, dhe përvojën paraprake në atë fushë. Në të ardhmen ky Komision të mos aprovojë pozita dhe kandidatë që janë në kundërshtim me Rregulloren. Qëllimi primar i Fondit do duhej të ishte plotësimi i pozitave deficitare për të cilat Qeveria ka nevojë. Për të qenë më transparent, lista e pozitave përfituese, bashkë me emrat e kandidateve dhe nivelin e shtesës duhet të jetë publike.

KËTU mund ta lexoni analizën e GAP.