Projekt-Buxheti 2016- Përparësitë dhe Sfidat

30/11/2015

Instituti GAP sot ka publikuar analizën me titull "Projekt-Buxheti 2016- Përparësitë dhe Sfidat"

Më 30 tetor 2015, Qeveria e Kosovës aprovoi Projektligjin për Buxhetin për vitin 2016. Me anë të kësaj analize të shkurtër, Instituti GAP ofron një përmbledhje të zhvillimeve kryesore në këtë buxhet, duke potencuar përparësitë por edhe sfidat që nuk i adreson ky buxhet.   

Të hyrat në vitin 2016 pritet të jenë rreth 1.6 miliardë euro, apo 62.8 milionë euro (4%) më shumë se vitin në vitin 2015. Kjo rritje pritet të vjen në masë të madhe nga rritja e normës së TVSH nga 16% në 18% dhe rritja e akcizave, e më pak nga rritja e efikasitetit në mbledhjen e taksave apo qarkullimit të bizneseve. Në anën tjetër, shpenzimet planifikohen të jenë rreth 1.68 miliardë euro apo rreth 82 milionë euro më shumë se sa të hyrat. Pjesa më e madhe e buxhetit (60%) do të shfrytëzohet për paga e meditje si dhe për subvencione e transfere.

Projekti më i madh kapital do të jetë autostrada Prishtinë - Hani i Elezit (108 milionë euro) dhe në përgjithësi projektet infrastrukturore do të zënë peshën më të madhe të investimeve kapitale. Kjo, ngase 50% e shpenzimeve kapitale qendrore do të menaxhohen nga Ministria e Infrastrukturës. Sa i përket ndarjes së investimeve kapitale qendrore nëpër komuna, të gjeturat tregojnë për një ndarje  joproporcionale në mes të nivelit të investimeve dhe madhësisë së popullsisë në komuna. Gjilani dhe Peja janë komunat që do të përfitojnë më së shumti investime.  

Duke marrë parasysh që Kosova renditet ndër shtetet me sundimin më të dobët të ligjit, mund të konsiderohet pozitive rritja e stafit dhe e buxhetit për disa institucione që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit siç janë Prokurori i Shtetit dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Gjithashtu, edhe rritja e stafit në Dogana dhe Administratë Tatimore të Kosovës dhe rritja e buxhetit në disa agjencione të pavarura që rregullojnë tregun, është hap i cili mund të ndihmojë në rritjen e të hyrave buxhetore.

 

Sfida kryesore është se Buxheti i Kosovës për 2016 nuk reflekton objektivat e paraqitura në Programin Kombëtar për Reforma Ekonomike, pasi se shumë objektiva të paraqitura në këtë program nuk gjejnë mbështetje në Buxhetin e vitit 2016. Po ashtu, Buxheti 2016 lë pa adresuar shumë sfida të rëndësishme të evidentuara nga Raporti i Progresit për Kosovën 2015. Përveç kësaj, disa ligje të rëndësishme dhe vendime qeveritare nuk janë buxhetuar, si për shembull Ligji për Fondin e Sigurimeve Shëndetësore, apo edhe Fondi për Punësim dhe Investime.