Ndikimi ekonomik i DokuFest 2015

01/03/2016

Instituti GAP sot ka publikuar një analizë me titull “Ndikimi Ekonomik i DokuFestit 2015 si dhe parashikimet për 2016 -2018.”

Blend Hyseni nga Instituti GAP prezantoi analizën e cila përmban të dhënat për ndikimin ekonomik të DokuFestit për qytetin e Prizrenit dhe ekonominë kosovare në përgjithësi në një periudhë afatmesme katër vjeçare.

Ky është raporti i dytë me radhë i Institutit GAP, i cili vlerëson ndikimin ekonomik të DokuFest-it, raporti paraqet ndikimin direkt dhe indirekt të festivalit në Bruto Produktin Vendor si dhe parashikime makroekonomike për vitet 2016-2018.

Përfituesit kryesor nga ky festival ishin bizneset lokale në qytetin e Prizrenit, si: hotelet, qiradhënësit, restorantet, kafe-baret, shitësit ambulant, por edhe bizneset në nivel kombëtar, si avio-kompanitë, bankat dhe kompanitë e telekomunikacionit. Ky festival po ashtu njihet për krijimin e mundësive për punësim, krijimin e investimeve të reja, ngritjen e të hyrave tatimore, dhe stimulimin e ekonomisë lokale përmes turizmit.

Duke u bazuar në të dhënat e grumbulluara gjatë festivalit të fundit 2015, ishin të pranishëm më shumë se 15,000 pjesëmarrës. Mostra e të anketuarve ka qenë me 1,015 respodent, paraqet 1/15 e vizitorëve total të DokuFest-it, ose çdo i katërti person qe ka blerë diçka në dyqanet e DokuFest. Kjo mostër konsiderohet gjithëpërfshirëse dhe e pranuar. Hulumtimi është bërë me vizitorë rezident dhe jorezident të qytetit të Prizrenit. Hulumtimi ka zgjatur nëntë ditë. Nga ta, rreth7,000 apo 48%, merrnin pjesë për herë të parë, ndërsa mosha mesatare e tyre ishte rreth 26 vjet. Që nga viti 2011 e deri më tash, numri i pjesëmarrësve është rritur për më shumë se 50% dhe bazuar në trendet paraprake, ky numër do të vazhdojë të rritet edhe më shumë në vitet e ardhshme. Si rezultat, ndikimi i DokuFest 2015 në Bruto Produktin Vendor kap vlerën vjetore prej 2.4 milionë euro. Nëse llogariten edhe shpenzimet për konsum, ndikimi vjetor vlerësohet të jetë mbi 4.7 milionë euro.

Të dhënat e shpenzimeve tregojnë se një numër i madh i konsumit është i koncentruar tek shërbimet, e të cilat janë kryesisht vendore. Mirëpo me qarkullimin e parasë, në bazë të të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK),  48% e produkteve të konsumuara importohen, për dallim me analizën e ndikimit ekonomik të DokuFest 2011, kur prirja për importim ishte supozuar 20% e që ka ndikim më të vogël në uljen e GDP-se se vlera e vitit 2015 që është 48%. Po ashtu, rritje në të hyra janë regjistruar edhe në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK). Në krahasim me muajin korrik 2015, gjatë mbajtjes së DokuFest, të hyrat tatimore janë ngritur për 44%. Ndikimi ekonomik nuk kufizohet vetëm me qytetin e Prizrenit, ngase rritja e aktivitetit ekonomik përmes multiplikatorit qarkullon paranë në tërë Kosovën.

Venton Nurkollari nga DokuFest u shpreh se janë të zhgënjyer me përkrahjen  që e kanë nga Komuna e Prizrenit, duke e parë buxhetin që operon DokuFest është shumë fish me i vogël se sa të hyrat që i gjeneron vetë festivali për qytetin e Prizrenit dhe ekonominë në përgjithësi. Duke u bazuar në faktet nga të dhënat e kësaj analize dhe nga  Administrata Tatimore e Kosovës del se gjatë muajit Gusht kur mbahet Dokufesti të hyrat tatimore janë ngritur për 44%.

Andaj, DokuFesti si ngjarje kulturore më e madhe në Prizren si dhe në tërë Kosovën,  duhet të përkrahet më shumë, jo vetëm nga Komuna e Prizrenit  por edhe nga Ministria e Kulturës, që ta konsiderojnë festivalin si ambasador ku e përfaqësojnë Kosovën në vende të ndryshme të botës.

Ndërsa Agron Demi Drejtor në Institutin GAP, rekomandoi që të ketë një linjë buxhetore të veçantë nga Ministria e Kulturës dhe Komuna e Prizrenit që Dokufest të renditet si ngjarje kulturore e interesit nacional në Kosovë.


Analizën e plotë mund ta lexoni duke klikuar KËTU.