Instituti GAP organizoi debat me temën “A garanton Buxheti 2016 një raport më të mirë të Komisionit Evropian për Kosovën?”

16/03/2016

 

Sot, Instituti GAP, në bashkëpunim me institucionet publike, mbajti debat me temën “A garanton Buxheti 2016 një raport më të mirë të Komisionit Evropian për Kosovën?”.

Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën (deri më 2014 i njohur si Raporti i Progresit) u publikua më 11 nëntor 2015. Pak ditë pas kësaj, Kuvendi aprovoi në parim Ligjin për Buxhetin 2016, duke lënë pak hapësirë që sfidat e shënuara në raport të Komisionit Evropian të trajtoheshin edhe me Buxhetin e 2016.

Në këtë debat, Instituti GAP ka prezantuar analizën “Kapacitetet buxhetore për një Raport më të mirë për Kosovën 2016”, analizë e cila identifikon ndarjet buxhetore krahas rekomandimeve të Raportit të Komisionit Evropian për Kosovën. GAP rekomandon rritje të buxhetit për disa politika dhe institucione publike, si: Departmenti për Menaxhimin e Reformës në Administratë Publike, Instituti i Kosovës për Administratë Publike, Agjencia për Efiçiencë të Energjisë, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, etj.

Zëvendësministri i Ministrisë së Integrimit Evropian z.Ramadan Ilazi vuri në pah ndryshimin e metodologjisë dhe formatin e raportit të Komisionit Evropian, i cili që nga 2015 quhet “raport për vendin” dhe jo “raport i progresit”. Sipas z.Ilazi, fokusi kryesor i institucioneve publike në kuadër të përmbushjes së kritereve për anëtarësim është në zbatimin e Marrëveshjes për Stabilizim Asocim (MSA), për të cilën është aprovuar edhe Plani Kombëtar për Zbatimin e MSA, ndihmë për të cilin ka ofruar edhe Republika e Kroacisë. Zëvendësministri Ilazi potencoi edhe një herë pikat ku kërkohet përmirësim më i madh, siç janë transparenca buxhetore, përputhja e planifikimeve buxhetore me strategjitë afatgjata zhvillimore. Ashtu sikurse janë marr në konsideratë rekomandimet dhe vërejtjet e organizatave të shoqërisë civile, po ashtu edhe në proceset në vijim MIE do të bashkëpunoj ngushtë me sektorin jo qeveritar, deklaroi zëvendësministri Ilazi.

Përfaqësuesi i Ministrisë së Financave z.Salvador Elmazi deklaroi se shumë nga sfidat e identifikuara me Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën 2015 janë adresuar me plan të punës së Qeverisë për 2016. Si sukses për këtë periudhë z.Elmazi përmendi politikat e reja fiskale, sidomos largimin e ndikimit të politikës ditore nga projeksionet fiskale; adaptimi i rregullit financiar i cili ndërlidh rritjen e pagave në sektorin publik me rritjen e gjithëmbarshme ekonomike, fillimin e raportimit të statistikave financiare konform kërkesave të FMN, etj.

Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane znj.Teuta Sahatqija, potencoi rendësinë e ngritjes së kapaciteteve mbikëqyrëse të Kuvendit, me qëllim të kryerjes së detyrave shtesë që dalin nga MSA, duke përfshirë edhe rritjen buxhetore për këto detyra. Po ashtu, znj.Sahatqija rekomandoi edhe shikimin e mundësive për përdorim më efikas të fondeve të IPA dhe donacioneve tjera me qëllim të adresimit të sfidave për Kosovën, duke marr parasysh se jo të gjitha mund të mbulohen vetëm me buxhetin e shtetit. 

Në emër të Zyrës së Komisionit Evropian në Kosovë në këtë debat foli z.Thomas Gnocchi, i cili arsyetoi metodologjinë e re të Komisionit Evropian për raportet për vendet kandidate për anëtarësim. Sipas metodologjisë së re, Komisioni Evropian nuk mat vetëm progresin nga vitet e kaluara, por jep një pasqyrë më gjithëpërfshirëse për gjendjen aktuale në vend. Raportet për vitin 2016, të cilat vetëm se kanë filluar të hartohen, do të përmbajnë edhe fusha të reja të raportimit. Z.Gnocchi vuri në pah se jo të gjitha sfidat e paraqitura në Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën kërkojnë edhe buxhet. Një pjesë e madhe e tyre kërkojnë vetëm vullnet politik për tu zgjidhur. Por ka shumë sfida të tjera të cilat pa burime financiare nuk mund të tejkalohen. Edhe pse ka një përmirësim në buxhetin e institucioneve gjyqësore, prapë se prapë mbeten sfida të mëdha buxhetore në këtë fushë. Sipas z.Gnocchi, për shkak se buxheti është i kufizuar dhe sfidat janë të mëdha, nevojitet prioritizim më i mirë i politikave, me qëllim që të adresohen së pari sfidat më të mëdha, zgjidhja e të cilave bën dallim substancial.

Panelistët në këtë debat u pajtuan që të vazhdohet debati në format të këtillë edhe më tutje, dhe jo vetëm në ditët pas publikimit të Raportit për Kosovën. Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën 2016 pritet të publikohet në muajin nëntor.


Analizën e plotë mund ta gjeni duke klikuar KËTU.