Instituti GAP mbajti konferencën për media me temë " Gjendja e prodhuesve të materialit ndërtimorë me bazë nga argjila"

26/03/2016

Instituti GAP sot ka mbajtur debat lidhur me gjendjen e prodhuesve të materialit ndërtimorë me bazë nga argjila. Në një studim një vjeçar për prodhuesit vendor, GAP ka hulumtuar problemet dhe mundësitë e prodhuesve të materialit ndërtimorë.

Sipas analizës së GAP, kërkesa vendore për material ndërtimor me bazë argjile është mjaft mirë i mbuluar nga prodhuesit vendor, të cilët mbulojnë deri në 80% të kërkesës. Aktualisht në këtë sektor të prodhimit janë të punësuar rReth 850 punonjës, në tetë fabrika prodhuese në territorin e Kosovës. Por edhe prodhuesit vendorë përballen me problem të ndryshme. Disa nga faktorë kyç të cilët ndikojnë në koston e prodhimit janë: çmimi i lartë i energjisë, kostot për licenca, normat e larta të interesit në kredi, mungesa e kuadrove, tatimi në import në lëndën e parë etj.

Mustafë Borovci nga Shoqata e Prodhuesve të Materialit Ndërtimor nga Argjila, deklaroi se që nga pas lufta nevojat dhe kërkesat për material ndërtimor nga argjila kanë qenë të mëdha, sidomos në procesin e rindërtimit pas luftës së fundit. Por ky sektor ka qenë i shkatërruar dhe vetëm nga viti 2002 ka filluar prodhimi vendorë, pas rivitalizimit dhe privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore. Tani, ky sektor ka filluar edhe me eksport, sidomos në Maqedoni. Si sektorë përballemi me probleme të shumta, të cilat mund të grumbullohen në katër pika: çmimi i energjisë elektrike, i cili është rreth 40% më i shtrenjtë se në Serbi; burokracia nga ana e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, sidomos sa i përket licencave për eksploatim të argjilës dhe shfrytëzim të saj; me Ligjin për Faljen e Borxheve nuk përfshihet edhe borxhi ndaj KPMM, pasi që një pjesë e prodhuesve kanë borxhe të grumbulluara dhe trashëguara deri më 2009; si dhe mungesa e fuqisë punëtore të përgatitur. Sipas z.Borovci, masë pozitive e ndërmarrë nga Ministria e Tregtisë së Industrisë është vendosja e masës mbrojtëse prej dy cent në import nga Serbia, e cila ka vënë një masë mbrojtëse për prodhuesit vendorë. Rreth 15-16% e kostos së prodhimit shkon në energji elektrike. Si konkurrent kryesor në këtë sektor janë prodhuesit nga Serbia dhe Shqipëria, andaj çmimet e energjisë duhet të jenë të konkurrueshme me këto dy vende.

Ymer Fejzullahu nga Zyra e Rregullatorit për Energji informoi të pranishmit se javën në vijim do të përmbyllet procesi i konsultimeve për tarifat e reja të energjisë elektrike. Sa i përket konsumatorëve shtëpiak, Kosova ka çmimet më të ulëta në rajon, kurse sa i përket konsumatorëve industrial Kosova ka çmimet më të larta se sa Bosnja dhe Mali i Zi, sipas tarifave të vitit 2014. Nëse prodhuesit vendorë konsiderojnë se çmimet e energjisë në Serbi janë më të lira, atëherë tani me liberalizim të tregut prodhuesit munden me ble energji edhe nga Serbia. 

Sytrime Dervisholli nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë u shpreh se nga qershori 2011 ekziston një masë mbrojtëse e vendosur ndaj Serbisë. Por kjo masë është anuluar dhe është vendosur masa antidamping, për shkak se materialet e importuara nga Serbia shiten me çmim më të lirë se sa në Serbi. Masat mbrojtëse kanë pasur ndikim pozitiv, çfarë ka ndikuar që të arrihet deri tek zëvendësimi i importit me prodhim vendorë. Por, sipas znj.Dervisholli, masat mbrojtëse nuk mund të mbahet pafundësisht, për shkak të obligimeve që dalin nga CEFTA, andaj prodhuesit vendorë duhet të shfrytëzojnë këtë periudhë që të forcohen në prodhim dhe të jenë të vetëqëndrueshëm.

Azem Rexhaj nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale theksoi se shumë kompani të prodhimit në këtë fushë kanë obligime të vjetra për shkak të dënimeve të shqiptuara përgjatë këtyre viteve ose mos shlyerjen e obligimeve, andaj përfshirja e KPMM në listën e institucioneve për faljen e borxheve do të ndihmonte edhe sektorin prodhues, por edhe do të lehtësonte punën e KPMM. Nuk duhet të largohet nga Ligji për Miniera dhe Minerale edhe elaborati për eksploatim, ngase kjo i ndihmon edhe prodhuesve. Kompanitë duhet të shikojnë hapësira më të mëdha për eksploatim. Renta minerare caktohet nga Kuvendi i Kosovës dhe është 13 cent për ton e cila është një takse e arsyeshme. Sipas z.Rexhaj, dokumentacioni për licencim është tepër voluminoz, por nëse kompanitë arrijnë ta plotësojnë si duhet, KPMM përgjigjet brenda 30 ditësh.



Analizën e plotë mund ta gjeni duke klikuar KËTU.