Sa janë reale projektimet dhe sa respektohen Kornizat Afatmesme të Shpenzimeve?

05/05/2015

Analizë e Kornizave Afatmesme të Shpenzimeve

Me 29 prill 2015, në mbledhjen e rregullt të Qeverisë së Kosovës u aprovua Korniza Afatmesme e Shpenzimeve (KASH) 2016-2018. KASH është dokument strategjik trevjeÇar, i cili hartohet nga Ministria e Financave, në bazë të nenit 19 të Ligjit për Menaxhimin e Financave dhe Përgjegjësitë. Që nga viti 2009, KASH dorëzohet në Kuvend më së largu më datë 30 prill. KASH paraqet vlerësimet për tri vitet e ardhshme fiskale dhe përmban:

  • Parashikime makro ekonomike dhe fiskale për Periudhën Buxhetore të KASH, të cilat përfshijnë treguesit kryesor ekonomik;
  • Parashikime të të hyrave si dhe një plan të shpenzimeve të përgjithshme buxhetore sipas kategorive ekonomike;
  • Parashikime të borxhit të brendshëm dhe të jashtëm për Periudhën Buxhetore të KASH;
  • Një vlerësim të burimeve të nevojshme për kthimin e borxheve të brendshme dhe të jashtme gjatë Periudhës Buxhetore të KASH;
  • Një analizë të investimeve kapitale të cilat financohen nga buxheti si dhe një vlerësim të volumit të tyre për Periudhën Buxhetore të KASH;
  • Një rishikim të politikës së pagave për Periudhën Buxhetore të KASH;
  • Një analizë të punësimit dhe përpjesëtimit të pagave në sektorin buxhetor si dhe vlerësimin e ndikimit të ndonjë politike për reformimin e pagave;
  • Një propozim për përshtatjen e politikës së përpjesëtimit të pagave me kornizën makrofiskale të përcaktuar në KASH me qëllim të sigurimit të përkrahjes përkatëse financiare;
  • Nivelet e vlerësuara të granteve për secilën komunë, të llogaritura sipas formulës dhe procedurave të përcaktuara në LFPL; dhe
  • Tavanet e vlerësuara të shpenzimit për secilën organizatë buxhetore e cila nuk është komunë ose agjenci me të ardhura të dedikuara.

 

Por, sa është respektuar KASH dhe sa kanë qenë të sakta vlerësimet e paraqitura në KASH për gjatë viteve?

 

Instituti GAP ka analizuar Kornizat Afatmesme të Shpenzimeve nga 2010 e deri tek ajo e fundit 2015-2017, duke i krahasuar ato me Projektbuxhetet për vitet që korrespondojnë me shtrirjen kohore të KASH. Kemi krahasuar KASH me Projekt-buxhetin dhe jo me raportin buxhetor, ngase hartimi i KASH dhe projektbuxhetit bëhen në një periudhë të afërt kohore.

 

Nga rezultatet e paraqitura në tabelën 1, dalin këto të gjetura:

 

  1. Të hyrat e planifikuara me KASH gjithnjë janë më të ulëta se sa të hyrat e projektuara me projektbuxhet. Sa i përket vitit të parë të projektimeve, mos përputhja më e madhe në mes të projeksioneve të të hyrave me KASH dhe Projektbuxhet ka ndodhur më 2011, kur me Projektbuxhetin për 2011 u projektuan 114 milion euro më shumë të hyra se sa me KASH 2011-2013. Sa i përket vitit të dytë të projektimit, mospërputhja më e madhe ka ndodhur në mes KASH 2014-2015, ku në këtë dokument janë projektuar rreth 135 milion euro më pak të hyra së në Projekt Buxhet. Përafrimi më i madh në mes të projeksioneve të të hyrave me Projektbuxhet dhe KASH ka qenë më 2015, kur dallimi është për 4 milion euro.
  2.  Në krahasim me të hyrat, projeksionet e shpenzimeve më KASH dhe projektbuxhet kanë      qenë më reale. Por, edhe në kategorinë e shpenzimeve, me projektbuxhet janë projektuar shpenzime më të mëdha se sa me KASH, në përjashtim të vitit 2013, kur me KASH 2014-2016 janë planifikuar   shpenzime më të larta se sa me Projektbuxhetin e 2014.
  3. Kategoria e shpenzimeve për paga ka qenë kategoria kryesore e cila ka ndikuar në daljen nga korniza të KASH. Shkeljet më të mëdha të KASH në kategorinë e pagave kanë ndodhur sidomos në vitet zgjedhore, respektivisht më 2011 dhe 2014. Me Projektbuxhetin e 2011 u projektuan 67 milion euro më shumë se sa me KASH 2011-2013. KASH 2011-2013 ishte aprovuar para caktimit të datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, të cilat u mbajtën në dhjetor 2010, kur edhe u premtua rritja e pagave. Njësoj, edhe pse më KASH 2014-2016 parashihej që brenda kësaj periudha, kategoria e pagave të mos kaloj shumën prej 451 milion eurove më 2016, kjo shifër u rrit dukshëm që më 2015, ku me Projektbuxhetin e 2015 janë projektuar mbi 560 milion euro për paga.
  4. Rritja artificiale e pagave, ka ndikuar që projeksionet e KASH për investime kapitale të afektohen negativisht, sidomos në vitet e zgjedhjeve (më 2011 dhe 2014). Me Projektbuxhetin e 2011 u planifikuan 39 milion euro më pak, se sa që ishin projektuar me KASH 2011-2013. Po ashtu, me Projektbuxhetin për 2014 u projektuan 75 milion euro më pak, se sa me KASH 2014-2016.
  5. Projeksionet e rritjes ekonomike thuajse gjithnjë kanë qenë më të mëdha, se sa rritja reale. Pothuajse në të gjitha KASH, rritja vjetore e Bruto Produktit Vendor (BPV) është projektuar shumë më e lartë, se sa që është dëshmuar në vitet më pas.

 

Rekomandime:

  • Me qëllim të shmangies së jostabilitetit fiskal dhe përdorimit të parasë publike për qëllime politike, në Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Llogaridhënie (LMFPLL) duhet të përfshihet një rregull e cila rregullon rritjen e pagave të punonjësve të sektorit publik. Për të siguruar që ekonomia e Kosovës mbetet konkurruese dhe pagat përcaktohen në bazë të nivelit të produktivitetit, kjo rregull duhet të bazohet në zhvillimin real ekonomik.
  • Kuvendi i Kosovës, respektivisht Komisioni Parlamentar për Buxhet dhe Financa, në mënyrë aktive të monitorojë zbatimin e objektivave të përcaktuara në KASH dhe përputhjeve në mes projeksioneve të KASH dhe Projektbuxheteve.
  • Ministria e Financave të rrisë kapacitetet planifikuese dhe të bëjë një koordinim më të mirë në mes të politikave dhe shpërndarjes së buxhetit.