Shpenzimet për Dreka Zyrtare 2014

08/05/2015

Një zyrtar i lartë publik, gjatë punës së tij zyrtare, i bie të mbaj takime të shumta, brenda dhe jashtë institucionit, si dhe të pres delegacione të shumta. Një numër i konsiderueshëm i këtyre takimeve shoqërohen me dreka e darka. Shpenzimet e zyrtarëve të lartë publik për dreka e darka zyrtare klasifikohen si shpenzime të reprezentacionit.

Me qëllim që zyrtarët e lartë publik të kenë mundësi të kryejnë punët e tyre dhe të zhvillojnë agjendat e punës, Udhëzimi Administrativ nr. 01/ 2008 për Caktimin e Shpenzimeve të Reprezentacionit për Zyrtarët e Institucioneve të Qeverisë së Kosovës, i aprovuar më 12 shkurt 2008, ua cakton limitet zyrtarëve të lartë publik se sa mund të shpenzojnë brenda një muaji buxhet për shpenzime të reprezentacionit.

Sipas këtij udhëzimi, Kryeministri dhe zëvendësit e tij nuk do të kenë fare kufizime në këtë kategori shpenzimesh. Ministrat kanë të drejte që të shpenzojnë deri në 500 euro në muaj, zëvendësministrat deri 200 euro, këshilltarët politik deri 100 euro, shefat e kabineteve të ministrive deri 50 euro, e kështu me radhë.

Shpenzimet e reprezentacioni përdoren vetëm për mbulimin e shpenzimeve të takimeve zyrtare dhe nuk mund të përdoren për qëllime tjera. Këto shpenzime duhet të arsyetohen me fatura dhe në rast të tejkalimit të kufizimeve shuma e tejkaluar duhet të mbulohen nga zyrtari që ka tejkaluar shumën.

Mirëpo, sa shpenzojnë këta zyrtar publik për dreka zyrtare dhe a kryhen këto shpenzime me rregull?

Deri më tani, institucionet publike dhe raportet periodike të Ministrisë së Financave nuk i deklarojnë këto shpenzime. Shpenzimet e reprezentacionit në të shumtën e rasteve përfshihen në kuadër të kategorisë së shpenzimeve për 'Mallra dhe Shërbime”.

Me qëllim të rritjes së transparencës dhe llogaridhënies në shpenzimin e parasë publike, nga viti 2011 Instituti GAP rregullisht kërkon të dhëna nga të gjitha ministritë për kategorinë e shpenzimeve për dreka zyrtare. Këto të dhëna i kërkojmë sipas Udhëzimit Administrativ të cekur më lartë, si dhe me emrat e personave përgjegjës për kryerjen e atyre shpenzimeve.

Në kërkesën e dërguar nga GAP për shpenzimet e reprezentacionit për vitin 2014, nuk kanë pranuar të japin përgjigje Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Punëve të Jashtme.

Nga 18 ministritë që kanë pranuar të përgjigjen në kërkesën tonë, disa nga to kanë deklaruar se shpenzimet e reprezentacionit të ministrisë janë faturuar në emër të ministrit, e jo në llogari të ministrisë. Ministritë që kanë deklaruar një gjë të tillë janë Ministria e Administratës Publike, Ministria e Bujqësisë dhe Ministria e Kulturës. Kjo formë e mbajtjes së financave nga ana e disa ministrive nuk është konform Udhëzimit Administrativ dhe rregullave të menaxhimit të financave publike.

Nga të dhënat e 17 ministrive të cilat kanë pranuar ti përgjigjen kërkesës së GAP, del se në total më 2014 janë shpenzuar 312 mijë e 957 euro për dreka zyrtare. Kjo është shifra më e lartë e regjistruar për dreka zyrtare, prej kohës kur kemi filluar mbledhjen e këtyre të dhënave.

Duke marr parasysh se 2014 ka qenë vit zgjedhor dhe kur dihet se për rreth gjashtë muaj kemi pasur ngërÇ institucional, e rrjedhimisht aktivitet më të ulët politik nga ana e ministrave e zëvendësministrave në largim, të dhënat e shpenzimeve për dreka zyrtare tregojnë se shpenzimet për këtë kategori nuk janë bërë konform Udhëzimit Administrativ.

Më 2014, Kabineti i Ministrisë së Ministria e Integrimeve Evropiane ka shpenzuar më së shumti, apo 32, mijë e 285 euro e 79 cent. Pas saj radhitet Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal me 29,021.50 euro, Ministria e Infrastrukturës me 24,511.04 euro, etj.

Ministri i cili ka shpenzuar më së shumti për dreka zyrtare është ish- ministri i Ministrisë së Forcës dhe Sigurisë së Kosovës (MFSK) z. Agim Çeku. Ai gjatë vitit 2014 ka shpenzuar 21,902 euro. Pas tij radhiten ish ministri i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) z. Slobodan Petrovic me 17,789 euro dhe ish-ministrja e Ministrisë së Integrimeve Evropiane znj.Vlora Çitaku, që vetëm për gjysmë viti ka shpenzuara 15,567 euro për dreka zyrtare. Ministrat e lartë cekur kanë tejkaluar shumëfish kufizimin mujorë prej 500 euro, bashkë me ta edhe pesë ministra të tjerë.

Kurse në rangun e zëvendësministrave, është ish- zv.ministri i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë z. Avni Kastrati ai i cili e mban vendin e parë me shpenzimet për dreka zyrtare. Gjatë 2014 ai ka shpenzuar 3,269 euro. Pas tij radhitet ish-zv.ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme z. Sasha Rashiq  me 2,530.9euro, ish-zv.ministri i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë z. Cuneyd Ustaibo me 2,450 euro.

Ndërsa në radhën e këshilltarëve politik, nuk ka pasur tejkalime të mëdha sa i përket kësaj kategorie.

Në këtë link, janë paraqitur në formë infografike shpenzimet e reprezentacionit për 17 ministri gjatë vitit 2014 dhe personat përgjegjës për secilin shpenzim.

http://www.institutigap.org/spendings/?drekat-zyrtare/2014#/~/drekat-zyrtare