Shpenzimet për Karburante për Vetura 2014

19/05/2015

Një ndër vendimet e para të Qeverisë së Kosovës që u mor në janar të vitit 2008 ishte edhe vënia e rregullave në përdorimin e veturave zyrtare dhe shpenzimet për karburante, ku miratua edhe Udhëzimi Administrativ nr.03/2008 për Përdorimin e Automjeteve Zyrtare.

Sipas këtij Udhëzimi, Kryeministri, zëvendëskryeministrat, ministrat, zëvendësministrat, sekretari i Përhershëm i ZKM dhe Shefi i Kabinetit të Kryeministrit, kanë të drejtë të përdorin automjetet zyrtare 24 orë. Të gjithë zyrtarëve tjerë u ndalohet përdorimi i automjetet jashtë orarit të punës. Automjetet e Qeverisë së Kosovës duhet të shërbejnë për kryerjen e detyrave zyrtare dhe përdoruesit e tyre duhet t'i shfrytëzojnë ato në mënyrë sa më ekonomike dhe efikase.

Për të mbikëqyrur zbatueshmërinë e këtij udhëzimi, u krijua edhe Njësia për Monitorimin e Përdorimit të Automjeteve në kuadër të Ministrisë së Administratës Publike. Kjo Njësi ka për qëllim që të mbaj një regjistër mbi përdorimin e veturave zyrtare nga të gjitha institucionet publike, të mbaj shënime për shpenzimet e derivateve, riparimeve dhe kilometrave të kaluara për secilin automjet. Por sipas të gjeturave që dalin nga publikimi 'Menaxhimi i Shfrytëzimit të Automjeteve Zyrtare” i Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, Njësia nuk disponon informata të sakta për numrin e përgjithshëm të automjeteve qeveritare, por as për mënyrën e shfrytëzimit të tyre nga institucionet qeveritare. Si rezultat i kësaj pamundësohet monitorimi i automjeteve qeveritare dhe  rritet rreziku për shfrytëzimin e tyre për qëllime jo zyrtare.

Por, sa shpenzojnë zyrtarët publik për karburante për vetura dhe a kryhen këto shpenzime me rregull?

Nga viti 2012, Instituti GAP ka dërguar kërkesa për qasje në të dhënat e shpenzimeve të automjeteve nga kabinetet ministrore. E gjithë kjo me qëllim të rritjes së transparencës dhe llogaridhënies në shpenzimin e parasë publike.

Nga kërkesat e dërguara gjatë këtij viti tek Zyra e Kryeministrit dhe 19 kabinetet ministrore, përgjigje nuk kanë ofruar Zyra e Kryeministrit, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë.

Nga 17 ministritë që kanë pranuar të përgjigjen në kërkesën tonë, disa nga këto ministri shpenzimet për karburante i kanë deklaruar në emër të vozitësve të zyrtarëve publik apo me numër të targave të veturave zyrtare. Ministritë që kanë deklaruar në këtë mënyrë janë: Ministria e Forcës së Sigurisë, Ministria e Infrastrukturës dhe Ministria e Integrimeve Evropiane.

Nga të dhënat e e grumbulluara, del se brenda vitit 2014 kabinetet e 17 ministrive kanë shpenzuar 349,977 euro për karburant për vetura. Ashtu sikurse edhe me drekat zyrtare, edhe shpenzimet për karburant janë më të larta më 2014 se sa në vitet paraprake. Kjo është më shqetësuese kur dihet se 2014 ka qenë vit zgjedhor.

Kabineti i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale ka shpenzuar më së shumti, apo 50,859.77 euro. Pas MPMS radhitet Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovë me 30,010 euro; Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit me 27,620 euro, etj.

Ministri i cili ka shpenzuar më së shumti karburant për veturën e tij zyrtare është ish-ministri i MPMS z. Nenad Rashiq me 11,921.63 euro të shpenzuara. Pas tij vijnë ish-ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit z. Memli Krasniqi me 9,015 euro të shpenzuara, ish-ministri i Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovë z. Agim Çeku me 8,520 euro, etj.

Në rangun e zëvendësministrave, është ish-zëvendësministri i Ministrisë së Infrastrukturës z.Emin Krasniqi e mban vendin e parë me shpenzimet për karburante. Gjatë 2014 z.Krasniqi ka shpenzuar 9,883.40 euro. Pas tij radhitet ish - zëvendësministri i MPMS z. Fatmir Shurdhaj me 6,753.61 euro, ish - zëvendësministri i Ministrisë së Diasporës z. Nuredin Lushtaku me 6,575.14 euro, etj. 

Tek këshilltarët politik, ish - këshilltari në Ministrin e Forcës  z. Hafir Kryeziu ka shpenzuar 6,400 euro. Pas tij radhitet ish- këshilltari në Ministrin për Komunitet dhe Kthim z. Milosh Stankovic me 5,414 euro, ish-këshilltari në Ministrin e Administratës Publike z. Skender Sallauka me 5,378.93 euro, etj.

Të dhënat e plota të shpenzimit të karburanteve për kabinetet e 14 ministrive mund ti shikoni në linkun më poshtë.

http://www.institutigap.org/spendings/?karburante-per-vetura/2014#/~/karburante-per-vetura