Kosova nënshkruan marrëveshje me BERZH për rritjen e kapaciteteve të sektorit privat

30/05/2017

Më 5 maj 2017 në Londër, Qeveria e Kosovës dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me qëllim të mbështetjes së zhvillimit konkurrues të sektorit privat nëpërmjet investimeve, rritjes së kapacitetit të brendshëm të kompanive dhe përmirësimit të mjedisit të biznesit në Kosovë. Qëllimet e marrëveshjes do të arrihen përmes angazhimit të të dyja palëve të punojnë brenda kompetencave të tyre duke i ofruar njëra-tjetrës mbështetjen e nevojshme.

Roli i qeverisë, sipas marrëveshjes, është mbështetja ndaj BERZH-it për zhvillimin e produkteve financiare që synojnë lehtësimin e investimeve dhe forcojnë konkurrencën e sektorit privat si dhe zhvillimin dhe zbatimin e reformave të politikave dhe asistencës teknike kundrejt përmirësimit të klimës së investimeve. Ndërkaq, BERZH synon të mbështesë zhvillimin e sektorit privat në Kosovë përmes tri shtyllave kryesore: operacioneve për investime në sektorin privat, ofrimin e shërbimeve këshilluese për biznese si dhe iniciativës për klimën e investimeve dhe qeverisjes.

Lehtësimi i investimeve dhe rritja e konkurrencës nga ana e qeverisë do të mundësohen përmes rritjes së kapaciteteve të autoriteteve përkatëse të konkurrencës, zhvillimit të zonave ekonomike të reja industriale, ndarjes së rrezikut për financimin e ndërmarrjeve të agrobiznesit si dhe zbatimit të ligjeve aktuale mbi falimentimin dhe anti-monopolin, ndër të tjera.

Kurse BERZH do të financojë drejtpërdrejt korporatat e Kosovës dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM), do të financojë indirekt ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM) nëpërmjet bankave partnere lokale dhe do të ndihmojë në zhvillimin e zonave të reja industriale për të zbutur rreziqet e investimeve në sektorin privat. Po ashtu, do të ofrojë shërbime këshilluese për NVM-të, të promovojë modernizimin, efikasitetin dhe konsolidimin e sektorit të agrobiznesit, si dhe do të angazhohet në fusha të tilla si adresimi i informalitetit, raportimi financiar dhe ndërtimi i kapaciteteve të përgjithshme të menaxhimit, qeverisja e korporatave. BERZH do të ndihmojë edhe në rritjen e bashkëpunimit publiko-privat përmes ofrimit të asistencës teknike të autoriteteve relevante vendore për zbatimin e politikave dhe ligjeve përkatëse.

Deri më tani, BERZH ka investuar rreth 228 milionë euro në 51 projekte të ndryshme. Portofoli aktual i BERZH-it në Kosovë arrin vlerën e 157 milionë eurosh, përfshirë shumën ende të pa paguar, ku 31 milionë euro janë duke u investuar në energji, 22 milionë euro në industri, tregti dhe agrobiznes, 42 milionë euro në institucione financiare si dhe 62 milionë euro në infrastrukturë.

Megjithëse BERZH përshkruan misionin e vet në Kosovë si të përqendruar në mbështetjen e zhvillimin e sektorit privat, sektori privat merr pjesë me vetëm 29% në portofolin e investimeve të tanishme dhe atë më së shumti me investime në institucione financiare apo të komunikimit dhe teknologjisë informative, pra në sektorin e shërbimeve.

Sa për ilustrim, në sektorin privat, 12 milionë euro i janë dhënë kompanisë sllovene “Telekom Slovenije” në formë të emetimit të obligacioneve pesë  vjeçare ku shuma totale e këtyre investimeve kap vlerën 100 milionë euro. Gjeografikisht, shumica e investimeve do të ndahen për Slloveninë, e ndjekur nga Kosova.

Ndërkaq, në sektorin publik, për projekte individuale jepen shuma më  të mëdha. Për shembull, në vitin 2014, BERZH ka dhënë kredi deri në 30 milionë euro për Operatorin e Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe 70 milionë euro për ndërtimin e Autostradës Kijevë-Zahaq  në afërsi të Pejës.

 Edhe pse BERZH ka qenë e angazhuar në sektorin privat, kjo marrëveshje bashkëpunimi mund të shquhet si thellim i bashkëpunimit në këtë sektor me ç’rast mbetet të shihet nëse do të ndikojë që pjesa e sektorit privat të portofolit të tanishëm të investimeve të BERZH-it në Kosovë do të rritet.