Përmbushja e premtimeve zgjedhore të dhëna nga kryetarët e komunave në zgjedhjet e fundit lokale të vitit 2017

10/10/2018

Instituti GAP ka publikuar në platformën online dinamikën e realizimit të premtimeve zgjedhore të dhëna nga kryetarët aktual të komunave në zgjedhjet e fundit lokale të mbajtura në tetor dhe nëntor të vitit 2017.  

Prej mbi 900 premtimeve të dhëna në 26 komuna, për pjesën e parë të këtij mandati janë përmbushur plotësisht 95 premtime, pjesërisht të përmbushura rezultojnë 53 premtime, ndërsa në 301 premtime ka pasur nisma në përmbushjen e tyre, përderisa 455 premtime akoma nuk kanë nisur së realizuari.

Numri më i madh i premtimeve të realizuara është shënuar në fushën e infrastrukturës, arsimit dhe administratës. Ndërsa fushat ku ka më së paku lëvizje në përmbushjen e premtimeve është ajo e ekonomisë, shëndetësisë, bujqësisë, shërbimeve publike si dhe në fushën e urbanizimit.

Disa nga kryetarët aktual nuk kanë zhvilluar fushatë zgjedhore, gjë që e bën vlerësimin e premtimeve të pamundur. Komunat si Skënderaj, Mamushë dhe  10 komunat e banuara me popullatë shumicë serbe, nuk kanë shpalosur ndonjë program zgjedhor dhe nuk kanë dhënë premtime konkrete.

Instituti GAP vlerëson faktin se kandidatët për kryetarë të komunave gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2017 kanë qenë më të kujdeshshëm në dhënien e premtimeve, zgjidhja e të cilave është kompetencë e niveleve tjera të qeverisjes.

Përmes vlerësimit të premtimeve zgjedhore, Instituti GAP ka për qëllim që të mbajë të përgjegjshëm kryetarët e zgjedhur për premtimet e dhëna dhe të ruajë besimin e qytetarëve rreth procesit zgjedhor. Në vazhdimësi, kjo bëhet edhe në bashkëpunim me organizatat lokale të cilat duhet të fuqizohen edhe më tej në monitorimin e qeverisjes lokale.

Për të parë detajet e premtimeve të dhëna, ju lutem vizitoni platformën elektronike të Institutit GAP http://www.komunat.institutigap.org/Premtimet