Emigrimi i fuqisë punëtore të Kosovës në Gjermani

27/02/2020

Instituti GAP, në bashkëpunim me organizatën gjermane Expert Council of German Foundations on Integration and Migration (SVR) kanë organizuar një tryezë diskutimi në Berlin, ku është prezantuar raporti i përbashkët me titull “Emigrimi i fuqisë punëtore të Kosovës në Gjermani”.

Raporti vlerëson efektet pozitive dhe negative të emigrimit në ekonomitë e të dy vendeve. Të dhënat zyrtare tregojnë se shtetasit e Kosovës prijnë për nga numri i aplikimeve dhe pajisjes me viza pune në krahasim me vendet tjera të rajonit. Gjatë viteve 2016-2018, nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, janë shqyrtuar për aprovim gjithsej 204,638 kontrata pune, prej të cilave rreth 80% janë miratuar. Por, vetëm 40% e tyre janë pajisur me viza pune, ku 24% e tyre, apo 15,824 kanë qenë për kosovarët. Raporti ofron edhe të dhëna mbi sektorët dhe profesionet në të cilat shtetasit e Kosovës kanë arritur të sigurojnë viza pune, ku prijnë ndërtimtaria, hotelieria dhe shërbimet e kujdesit, ndërsa profesionet me më së paku aplikime të suksesshme janë sektori i financave, i sigurimeve dhe i edukimit. Raporti poashtu pasqyron edhe potencialin për emigrim edhe më të madh pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri të emigrimit në Gjermani në mars 2020. Duke krahasuar vendet e lira të punës në secilin sektor të tregut gjerman të punës me trendet aktuale të punësimit në Kosovë, Instituti GAP ka bërë edhe projeksione mbi rreziqet e emigrimit të profesionistëve të Kosovës në vitet e ardhshme.

Raporti është mirëpritur nga të pranishmit meqë për herë të parë në diskutimet publike jo vetëm që janë ofruar të dhëna mbi numrin e punëtorëve nga vendet e Ballkanit Perëndimor, por janë analizuar edhe efektet e dëmshme që paraqet kjo valë e migrimit.

Në fjalën e tij, Ambasadori i Kosovës në Gjermani, z.Beqë Cufaj, përmendi integrimin e shpejtë të qytetarëve të Kosovës në tregun e punës në Gjermani, pa lënë anash edhe disa prej barrierave që po punohet që të tejkalohen sikurse njohja e patent shoferëve. Analisti nga organizata gjermane European Stability Inititative (ESI), z.Adnan Cerimagic, foli për emigrimin si fenomen të përbashkët për gjithë rajonin, me theks në vendin e tij të origjinës Bosnje dhe Hercegovinë. Z.Jan Schneider, nga organizata partnere SVR, tha se rregullat e emigrimit të fuqisë punëtore të Gjermanisë u japin përparësi shtetasve të Ballkanit, por qeveria gjermane duhet të anaalizojë edhe pasojat ekonomike dhe socio-kulturore të Kosovës dhe rajonit para se rregulli i emigrimit të vazhdohet përtej vitit 2020. Përfaqësuesja e Ministrisë së Punëve të Jashme të Gjermanisë, znj. Christiane Hullmann tha se synimi i vendit të saj nuk është vetëm të tërheq njerëzit e kualifikuar nga Kosova por edhe të ndihmojë që Kosova të jetë vend atraktiv për qytetarët e saj. Ndërkaq, z. Helge Tolksdorf përfaqësues nga Ministria e Ekonomisë së Gjermanisë, përmendi rastin e kampit të teknologjisë dhe inovacionit në Prizren, si shembull të angazhimit gjerman për të krijuar vende pune në Kosovë. Në diskutim morën pjesë edhe përfaqësues nga Unioni i Ndërtuesve Gjerman, Agjenica e Punësimit të Gjermanisë, shoqata të bizneseve gjermane, përfaqësues të fondacioneve të ndryshme gjermane, si dhe analistë nga organizata kërkimore.

Të gjeturat e raportit do të diskutohen në një tryezë të ndarë edhe në Prishtinë në ditët në vazhdim.  

Raportin mund ta gjeni këtu