Thirrje për Aplikim – Gara për Ese për nxënësit e klasave 10, 11, dhe 12

09/11/2020

Instituti GAP në bashkëpunim me Ambasadën Amerikane në Kosovë, në kuadër të projektit “Women’s Structural Unemployment in Kosovo” organizon një garë për ese për të rinjtë e Kosovës në përpjekje për të shfrytëzuar kreativitetin e tyre për promovimin e një kulture gjithëpërfshirëse pa paragjykime gjinore në profesione.

Tema e përgjithshme: “Paragjykimet gjinore në profesion”

Tema të mundshme: 

- “Tregoni ndonjë ngjarje, kur një person punon në një profesion që në Kosovë paragjykohet si jo-adekuat për gjininë e personit. Në çfarë sfida hasin ata apo ato, dhe si duhet tejkaluar këto paragjykime?”

- Për shembull kur një grua punon si auto-mekanike, shofere e autobusit/taxit, programuese apo në ndonjë profesion te dominuar nga burrat, përkundër një burri që punon si infermier, edukator etj. - profesione të dominuara nga gratë.

- Argumentoni se si mund të paragjykoheni ju me përzgjedhjen e një profesioni që dominohet nga gratë ose burrat?

Inkurajoheni të krijoni temën dhe argumentet tuaja nga çështjet që iu preokupojnë më së shumti, ndërsa çështjet e mësipërme t’i merrni vetëm si inspirim.

Publikime në lidhje me paragjykimet sikurse dallime gjinore në Kosovë mund të gjeni në faqen e Institutit GAP (http://www.institutigap.org/publikime). 

Udhëzimet për shkrim:

     - Të drejtë konkurrimi kanë nxënësit e klasave 10, 11, dhe 12.

     - Shkrimet duhet të jenë origjinale dhe jo të kopjuara. 

     - Shkrimet duhet të shkruhen nga një ose dy autorë.

      - Shkrimet duhet të jenë deri në 750 fjalë.

      - Nëse përdorni të dhëna në shkrim, duhet të iu referoheni qartë burimeve prej të cilave vijnë.

Dorëzimi:

   - Shkrimet duhet të jenë të shkruara në mënyrë elektronike (MS Word), dhe duhet të dërgohen në emailin info@institutigap.org.

   - Në titullin e-emailit (Subject) shkruani Ese për paragjykimet gjinore, Emri dhe Mbiemri.

   - Afati i fundit për dorëzim të shkrimeve është më 10 dhjetor 2020 në mesnatë. 

Formati i Shkrimeve:

   - Hyrje

   - Paragrafi hyrës duhet të përfshijë qëllimin e shkrimit, duke i njoftuar lexuesit rreth temës kryesore të tij. Nuk duhet përdorur të dhëna ose fakte thelbësore që mbështesin argumentet tuaja në këtë seksion.

   - Përmbajtja

   - Vendosni të gjitha të dhënat dhe faktet këtu. Organizoni idetë në sa më shumë paragrafë të nevojshëm që mbështesin qëllimin e shkrimit tuaj. Nëse keni tri argumente, shkruani ato në tre paragrafë duke i radhitur sipas rëndësisë dhe potencialit për t’i mbështetur ato.  

Përfundimi

   Mos vendosni informacione apo të dhëna të reja në këtë paragraf. Vetëm përmblidheni mirë shkrimin duke ripërmendur argumentet kryesore të tij dhe duke sinjalizuar fundin e tij apo duke bërë një "thirrje për veprim" nëse shkrimi juaj do të shkruhet në atë mënyrë që të bind lexuesit të veprojnë kundrejt diçkaje.

Vlerësimi i shkrimeve:

Instituti GAP do të përzgjedhë një panel vlerësues nga tre analistë dhe hulumtues brenda organizatës.

Paneli vlerëson në mënyrë të pavarur të gjithë finalistët në bazë të kritereve të mëposhtme

   - Kreativiteti (eseja përmban ide kreative dhe origjinale)

   - Struktura dhe kuptueshmëria (eseja duhet të jetë e shtjelluar mirë, të ketë ndërlidhje me temën, dhe të ketë një strukturë të qartë)

   - Stili i shkrimit, gramatika, drejtshkrimi, pikësimi dhe citimi

Çdo anëtar/e i/e panelit vlerësues do të lexojë dhe vlerësojë përmbajtjen e përgjithshme dhe thelbin e shkrimit dhe pastaj do të notojë me pikë pesë shkrimet më të mira.

Fituesit do të lajmërohen veçanërisht.

Çmimet: 

Nxënësve fitues do të iu dhurohen kupona për blerje të librave në ndonjë librari të vendit

Vendi i parë: kupon në vlerë prej 150 Euro dhe certifikatë

Vendi i dytë: kupon në vlerë prej 120 Euro dhe certifikatë

Vendi i tretë: kupon në vlerë prej 100 Euro dhe certifikatë

Vendi i katërt: kupon në vlerë prej 80 Euro dhe certifikatë

Vendi i pestë: kupon në vlerë prej 70 Euro dhe certifikatë

Për formatin pdf kliko këtu.