Shkolla të tepërta? Nevoja për ristrukturimin e institucioneve edukativo-arsimore parauniversitare

11/05/2021

Sot, Instituti GAP organizoi një diskutim virtual ku u publikua raporti "A kemi shkolla të tepërta? Nevoja për ristrukturimin e institucioneve edukativo-arsimore parauniversitare”.

Në fjalën hyrëse, Fjolla Kaçaniku nga Universiteti i Prishtinës, theksoi se pas vendimeve nga Komuna e Kamenicës dhe e Drenasit për mbylljen e disa institucioneve shkollore si dhe zhvendosjen e nxënësve në disa shkolla të tjera, Instituti GAP ka zhvilluar një hulumtim për të parë se a do të mund të i përdorin këto praktika edhe institucionet tjera arsimore. 

Bekmi Salihu, Hulumtues i lartë në Institutin GAP, shpalosi të gjeturat e raportit të cilat tregojnë se nga viti shkollor 2008/2009 deri në vitin shkollor 2019/2020, numri i nxënësve ka rënë për 26%, apo për 114,323 nxënës. Në bazë të të dhënave të siguruara nga 19 komuna, del se janë 340 klasa që kanë pesë e më pak nxënës dhe 642 klasa që kanë më pak se dhjetë nxënës. Përderisa ka rënie të numrit të nxënësve, të dhënat tregojnë se personeli arsimor (mësimdhënës, personel administrativ dhe ndihmës) është rritur për 2% për të njejtën periudhë krahasuese. Përveç Komunës së Fushë Kosovës, Komunës së Zveçanit dhe asaj të Novobërdës, të cilat kanë rritje të numrit të nxënësve, në të gjitha komunat tjera është shënuar rënie e numrit të nxënësve. Rënie më e madhe është shënuar në komunat Kamenicë (-44%), Junik (-42%), Viti (-39%), Dragash (-39%) Prishtinë (- 13%) Pejë (-24%) Prizren (-24), Gjilan (-36%), Gjakovë (-32%). Ministria e Arsimit në asnjërin nga dokumentet e saj strategjike nuk ka adresuar problemin e rënies së numrit të nxënësve nëpër komuna. Vetëm nga kjo ministri, gjatë viteve 2015-2020 janë investuar 134 milionë euro në ndërtimin e shkollave nëpër komuna.

Shqipe Bruçi, Zv. Drejtore e Departamentit për Arsimin Parauniversitar, nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), tregoi se ministria planifikon që në strategjinë e ardhshme për arsimin parauniversitar, të përfshihet edhe nevoja për ristrukturimin e shkollave në nivel komunal. I tërë ky proces do të bëhet në bashkëpunim me nivelin lokal dhe se pritjet janë që do të caktohen kritere, afate dhe modele të përshtatshme për të gjitha komunat.

Qëndron Kastrati, Kryetar i Komunës së Kamenicës e konsideroi reformën e ndërmarrë nga komuna që ai e udhëheq si të domosdoshme, ngase nga katër shkolla që janë mbyllur kanë qenë gjithesej 19 nxënës, ndërsa 15 mësimdhënes. Ai këtë proces e quajti të nevojshëm për t’u ndërmarr edhe nga komunat e tjera, ndërsa kërkoi që pushteti qendror të mos bëhet pengesë në reformat e nisura.

Naim Qelaj, Avokati i Popullit, theksoi se ky raport i Institutit GAP është edhe një thirrje për të gjitha institucionet që kjo temë të trajtohet dhe të gjendet një zgjidhje. Ai poashtu theksoi si të nevojshme koordinimin në mes të institucioneve të nivelit lokal dhe qendror.

Në këtë diskutim kontribuan edhe pjesëmarrës të tjerë nga drejtoritë komunale të arsimit dhe shoqëria civile.

Raportin mund ta gjeni duke klikuar këtu.

Diskutimin e plotë mund ta gjeni në këtë link: https://bit.ly/3hir1y8