Instituti GAP ka organizuar një konferencë rreth vlerësimit të strategjisë së punësimit

18/12/2013

Sot Instituti GAP ka organizuar një konferencë me ç"rast ka prezantuar analizën me titull "Vlerësimi i Strategjisë së Punësimit-nevoja për një strategji konkrete". Publikimi i kësaj analize është mbështetur nga Friedrich Ebert Stiftung (FES), zyra në Prishtinë.

Prishtinë, 18 dhjetor 2013 - Sot Instituti GAP ka organizuar një konferencë me ç"rast ka prezantuar analizën me titull "Vlerësimi i Strategjisë së Punësimit-nevoja për një strategji konkrete". Publikimi i kësaj analize është mbështetur nga Friedrich Ebert Stiftung (FES), zyra në Prishtinë.

Të gjeturat e hulumtimit janë prezantuar nga Jeton Mehmeti, drejtor i hulumtimeve në Institutin GAP. Strategjia e Punësimit 2010-2012 ishte një dokument i Qeverisë së Kosovës i cili synonte krijimin e vendeve të punës përmes investimit në tri fusha kryesore: në përmirësimin e klimës së investimeve, në arsimin formal dhe trajnimin profesional të kapitalit njerëzor dhe në modernizimin e institucioneve të tregut të punës. Katër vite pas miratimit të kësaj strategjie, Instituti GAP ka analizuar efikasitetin e saj në përmirësimin e ambientit të punësimit në vend, duke arritur në përfundim se: strategjia ka qenë shumë e përgjithësuar, asaj i kanë munguar objektiva të qarta dhe të matshme, ajo nuk ka përmendur mekanizma për krijimin e punëve afatgjate, si dhe strategjia nuk përmbante pako stimuluese financiare për zgjerimin e firmave të vogla dhe të mesme dhe kalimin e bizneseve nga ekonomia joformale në atë formale. Kështu që kjo strategji nuk ka pasur ndonjë ndikim real në krijimin e punëve afatgjate.

Tregu i punës dhe punësimit në Kosovë karakterizohet me një shkallë të lartë të papunësisë (30.9%), me një shkallë të ulët të punësimit (25.5%), me një shkallë shumë të lartë të popullsisë që janë në moshë pune por që nuk janë ekonomikisht aktiv (63.1%), me një shkallë të lartë të papunësisë së të rinjve (55.3%), me një shkallë shumë të ulët të punësimit të femrave (10.7%), si dhe me papunësi afatgjate ku 90% e të papunëve të regjistruar janë të papunë afatgjatë (mbi 12 muaj). Andaj, duke marrë parasysh gjendjen jo të mirë të punësimit në vend, Instituti GAP ka rekomanduar ndër të tjera që:

- Kosova ka nevojë për një strategji të re të punësimit

- Strategjia e re duhet të ketë objektiva të qarta dhe të matshme, duke specifikuar se sa vende pune synohen të krijohen ndër vite, sa persona synohen të trajnohen dhe aftësohen për punë, sa biznese synohen të kalojnë nga ekonomia joformale në atë formale dhe sa familje përfituese të asistencës sociale synohet të kalojnë në kategorinë e të punësuarve.

- Qeveria e Kosovës, sikurse në rastin e Shqipërisë dhe Maqedonisë, duhet të vendosë marrëdhënie kontraktuale me punëdhënës për ta rritur numrin e punëtorëve.

Pjesëmarrës në këtë konferencë ishin përfaqësues të institucioneve publike dhe përfaqësues të bizneseve. z. Hafiz Leka nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale tha se rekomandimet e Institutit GAP janë tepër të rëndësishme për ne dhe jemi të interesuar që strategjia e re e punësimit 2014-2020 t"i përmbajë këto elemente që janë shumë relevante. Si të arritur tjetër ai përmendi edhe miratimin e Ligjit për Agjencionin Kombëtar të Punësimit. z. Cuneyd Ustaibo nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë foli për reformat që janë bërë sa i përket procedurave të hapjes së bizneseve në Kosovë dhe për mbështetjen e NVM-ve. Znj. Time Kadriaj nga Komisioni Parlamentar për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale foli për statistikat e ndryshme rreth tregut të punës që ofrojnë institucionet qeveritare, duke u bërë thirrje që ato t"i bashkërendojnë qëndrimet e tyre dhe në Kosovë të kemi një numër të saktë të papunësisë.

Në anën tjetër z. Arian Zeka nga Oda Ekonomike Amerikane tha se ne Këshillit Kombëtrat të Zhvillimit Ekonomik në asnjë prej propozimeve për ndryshimin e ligjeve ekzistuese apo çfarëdo politike të re asnjëherë nuk i jemi referuar Strategjisë së Punësimit. Ai kërkoi lehtësime fiskale për sektorin privat, e sidomos për sektorin e prodhimtarisë. Ndërkaq z. Bardhyl Meta nga Oda Ekonomike Gjermane kërkoi që strategjia e re e punësimit të diskutohet dhe debatohet publikisht para se të hyjë në funksion.