GAP organizoi tryezën mbi Ndërmarrjet Publike në Kosovë - Ndikimi i Ambientit të Biznesit dhe Menaxhimit në Performancë

27/01/2015

Prishtinë, 27 janar 2015 – Instituti GAP ka organizuar sot tryezë diskutimi me titull “Ndërmarrjet Publike në Kosovë - Ndikimi i Ambientit të Biznesit dhe Menaxhimit në Performancë”. Ky projekt është zhvilluar me mbështetje nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë, projekt i cili synon përmirësimin e politikave publike ndaj ndërmarrjeve publike duke identifikuar më mirë problemet në ambientin e të bërit biznes dhe qeverisjen korporative të këtyre ndërmarrjeve.

Në këtë tryezë u prezantuan dy studimet e fundit të Institutit GAP “ Ndërmarrjet Publike Legjislacioni dhe Bashkëpunimi me Institucionet Zyrtare” dhe “ Menaxhimi i Ndërmarrjeve Publike”.  Këto hulumtime  janë bazuar në intervistimin e zyrtarëve të 22 ndërmarrjeve publike dhe në raportet e ndryshme për ndërmarrjet publike.

Berat Thaqi (GAP) prezantoi të gjeturat e analizës ku ndër të tjera theksoi se problematikat kryesore në menaxhimin  e ndërmarrjeve publike mbeten mosfunksionimi i gjyqësorit, mungesa e inspektimeve, problemet politike me veriun e Kosovës, paqartësitë në legjislacion dhe koordinimi në mes të institucioneve qendrore dhe lokale si dhe koordinimi në mes ndërmarrjeve publike dhe institucioneve qendrore dhe atyre lokale.  Në anën tjetër Ligji për Ndërmarrjet Publike ka nevojë që të ndryshohet në mënyrë që të sigurohet transparencë në zgjedhjen e bordeve të drejtorëve si dhe në qartësimin e kompetencave dhe përgjegjësive të akterëve të ndryshëm të përfshirë në zinxhirin  e menaxhimit të ndërmarrjeve publike si: Kryeshefave ekzekutiv, bordeve, Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Kuvendit.

z. Muhamet Mustafa (Kryetar i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri) theksoi se do të duhet të shqyrtohet mundësia që të qartësohen përgjegjësit e bordeve dhe ato të raportojnë para komisionit parlamentar që mbikëqyrë ndërmarrjet publike.

z. Ian Cliff (Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë) foli mbi mënyrën e organizimit të ndërmarrjeve publike në Mbretërinë e Bashkuar.  Ai përmendi se struktura e bordeve në ndërmarrjet publike në Angli është e ndryshme nga ajo e Kosovës e cila përbëhet tërësisht nga ekspertë të fushave përkatëse. Ai ndër të tjera theksoi nevojën se si bordet e ndërmarrjeve publike duhet të jenë kompetente dhe tërësisht lojale ndaj ndërmarrjes e jo ndaj partive politike.

Z Shpend Ahmeti ( Kryetar i Komunës së Prishtinës) shpjegoi rendësin e ofrimit të shërbimeve të Ndërmarrjeve Publike Lokale . Ai theksoi se në mungesë të ndërmarrjeve Publike Lokale ka mungesë të shërbimeve të cilat duhet të ofrohen. Komunat në përgjithësi duhet që të luftojnë që të kenë më shumë kompetenca dhe të ngritën diskutime mbi nevojat që komunat i kanë dhe të krijohen ndërmarrje të reja për përmirësim të shërbimeve të qytetarëve. Ai poashtu paraqiti nevojën për një rishikim strategjik lidhur me atë se cilat ndërmarrje publike lokale  të trashëguara nga periudha e paraluftës do të duhej të shuheshin.

Z Blerand Stavileci ( Ministër i Zhvillimit Ekonomik) rekomandoj se Qeveria duhet të krijojë një dokument strategjik ku do të caktohen kritere se si dhe kur duhet të formohet një ndërmarrje publike.  Ai gjithashtu theksoi se ekspertiza e një anëtari të bordit duhet të jetë element kyç në vlerësimin e kandidatëve.

Në diskutimin e mëtejmë kontribuuan edhe shumë kryeshefë ekzekutiv të pranishëm, të cilët paraqitën problemet e ndërmarrjeve të tyre qoftë në raport me procedurat apo me koordinimin me institucione të nivelit lokal dhe qendror dhe gjykatat.


Analizat mund ti gjeni duke klikuar këtu.