Ekonomia e Veturave në Kosovë

16/10/2015

A po ndikojnë politikat qeveritare për importin dhe regjistrimin e veturave në rritjen e aksidenteve në komunikacion dhe dëmet në ambient e shëndet?

Instituti GAP sot ka mbajtur një konferencë ku publikuar një studim me titull “Ekonomia e veturave në Kosovë - Analizimi i politikave qeveritare për importin, regjistrimin dhe kontrollimin e automjeteve”.   

Në këtë studim, Instituti GAP ka analizuar politikat shtetërore rreth importit të veturave të përdorura, duke nxjerrë në pah efektet negative të këtyre vendimeve. Studimi ka analizuar edhe cilësinë e kontrolleve teknike të veturave, duke argumentuar se si lëshimet në kontrollet teknike po ndikojnë në sigurinë e trafikut rrugor dhe në ndotjen e ambientit. 

Jeton Mehmeti, drejtor i hulumtimeve në Institutin GAP, tha se mesatarja e vjetërsisë së veturave që qarkullojnë në Kosovë është 18 vite, apo 10 vite më shumë se sa mesatarja e veturave që qarkullojnë brenda Bashkimit Evropian. Kësaj mesatare të lartë, në masë të madhe i ka kontribuar vendimi i qeverisë i vitit 2011 për lejimin e importit të veturave të përdorura deri në 13 vite, nga 8 sa kishte qenë më herët. Pas këtij vendimi, importi i veturave të përdorura u rrit për 44%. Mesatarja e vjetërsisë pritet të rritet edhe më tej pas vendimit të Qeverisë për të hequr komplet kufizimin për importin e veturave të përdorura.

Studimi nxjerr në pah edhe lëshimet e shumta që ndodhin në kontrollet teknike të automjeteve, duke konkluduar se kontrollimi jo i duhur teknik po ndikon në rritjen e numrit të aksidenteve në trafik dhe në ndotjen e ambientit. Ardian Gojani, foli për ndikimin e vjetërisë së veturave në ndotjen e ambientit. Gojani tha se veturat e vjetra e ndotin më shumë ambientin sepse ato kanë kaluar distancë më të madhe, dhe rrjedhimisht motori dhe pajisjet për kontrollimin e gazrave (konvertorët katalitik) janë konsumuar. Sipas tij, djegia e një kilogrami benzinë jep 2.9 kg CO2, kurse e njëjta sasi e dizelit jep 3.1 kg CO2. Kosova importon rreth 500 milionë litra karburante në vit, rrjedhimisht djegia e karburanteve prodhon rreth 1.5 milionë ton CO2 në vit. Me futjen e veturave të vjetra pa dyshim që ky kontribut i ndotjes do të rritet edhe më.

Ministri Ferid Agani tha se sa i takon Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, janë përfunduar dokumentet e rëndësishme ligjore dhe strategjike, të cilat vënë rregull edhe në nivelin e emetimit të gazrave nga veturat. Mirëpo, zbatimi i bazës ligjore për emetimin e gazrave nga veturat është përgjegjësi e Ministrisë së Infrastrukturës, e cila duhet të monitoroj punën e qendrave të kontrollit teknik. Edhe pse udhëzimi administrativ është aprovuar më 2011, ky udhëzim nuk është zbatuar dhe MMPH është në proces të nxjerrjes së një udhëzimi të ri.

Në anën tjetër, Kolonel Sheremet Ahmeti nga Policia e Kosovës u shpreh se aksidentet me fatalitet janë rritur në dy muajt e fundit. Sipas z.Ahmeti, fajtori kryesorë për shkaktimin e aksidenteve në komunikacion mbetet faktori njeri. Sipas tij, policia e Kosovës nuk ka mundësi që të dërgoj një automjet në kontroll teknik, ngase ekziston frika tek policët se kontrollimi teknik nëse del pozitiv, atëherë pagesën e kontrollës duhet të paguaj vetë polici. Z.Ahmeti kërkoi bashkëpunim më të madh mes të gjitha institucioneve publike por edhe shoqërisë në përgjithësi për të edukuar vozitësit dhe parandaluar aksidentet.

Në fund GAP ka rekomanduar që Qeveria e Kosovës në afat sa më të shpejtë të mundshëm të zëvendësojë politikën e importit të automjeteve nga ajo aktualja e cila bazohet në vjetërsi, në atë të importit të automjeteve bazuar në “Euro standardet”. Qendrat e Kontrollimit Teknik të shtojnë masat e kontrollimit teknik, që të bëjnë matjen e nivelit të shkarkimit të gazrave të automjeteve, siç parasheh Udhëzimi administrativ për vlerat e lejuara të elementeve ndotëse nga shkarkimi i gazrave. 

Klikoni KËTU për lexuar raportin e GAP.