Mësimet nga Shqipëria dhe Bullgaria

28/02/2013 Shkruan Agron Demi

Apo, si dështimi i CEZ në menaxhimin e rrjetit të energjisë në Shqipëri dhe fryrja e faturavenëBullgari, japin indikacione se çfarë e pret Kosovën në vitet në vazhdim pas privatizimit të rrjetit të energjisë elektrike

Publikuar në "Gazeta Tribuna", 27.02.2013

Gjatë procesit të tenderimit për shitjen e Kompanisë për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KEDS), i’a kishim lakmi vendeve të rajonit për atë se kishin arritur që në vendet e tyre të sillnin kompani kredibile botërore për të investuar në këtë fushë. Kurse tek ne, të vetmit të cilit kishin shpallur interesim ishin disa gjysmë-kompani energjetike nga Turqia dhe Egjipti.

Së fundmi, në disa vende për rreth u shfaqën probleme të mëdha me distribucionin e energjisë elektrike. Së pari në Shqipëri, ku për shkak të mos përmbushjes së obligimeve kontraktuale, rritjes së vazhdueshme të çmimit të energjisë dhe pamundësinë e qytetarëve për të paguar faturat, shteti u detyra t’i heq licencën CEZ Shpërndarjes, duke e kthyer atë në pronësi publike. Në Bullgari, i njëjti grup energjetik i cili menaxhon me rrjetin e shpërndarjes së energjisë, i fryu faturat e konsumatorëve, protestat e të cilëve detyruan dorëheqjen e Qeverisë. Romania është një vend tjetër në të cilin pritet që CEZ të ketë vështirësi, si pasojë e uljes së përfitimeve të kompanisë nga viti në vit.

Shqipëria dhe Bulgaria janë tregje më të mëdha energjetike se sa Kosova. Kompanitë përgjegjëse për shpërndarjen e energjisë elektrike në këto vende u privatizuan nga CEZ – një ndër kompanitë më të mëdha energjetike botërore. CEZ menaxhon me rrjetin e shpërndarjes në Çeki, Turqi, Rumani dhe Bullgari dhe është përgjegjëse për shpërndarjen e 31 TWh energji elektrike në të gjithë këto vende.

Kosova është një ndër tregjet më të vogla energjetike në Evropë. Rrjeti i energjisë elektrike është një ndër më jo efecientët. Kompanive të cilëve u është besuar “shpëtimi” i rrjetit të energjisë, janë kompani të pa dëshmuara deri më tani në fushën e energjisë elektrike. Së bashku, Çalik&Limak kanë në menaxhim tri kompani të ndara të shpërndarjes së energjisë elektrike në Turqi, të cilat u shërbejnë 4.7 milion konsumatorëve.

Ende pa filluar zyrtarisht menaxhimi i KEDS nga ana e privatizuesve, probleme të shumta janë shfaqur, të cilat japin indikacione se rasti i Kosovës do të jetë edhe më i rëndë se ai në Shqipëri dhe Bullgari. Përkundër privatizimit, Qeveria edhe më tutje vazhdon të investoj në rrjetin e energjisë. Mjetet e Çalik&Limak nga shitja e KEDS, po ju kthehen atyre në investim të menjëhershëm nga Qeveria. Në bazë të marrëveshjes për shitjen e KEDS, investimet në rrjet kushtëzohen me rritjen e çmimit të energjisë elektrike. ZRRE është në proces të marrjes së vendimit për rritjen progresive të çmimit të energjisë për rreth 13% për çdo vit, në pesë vitet në vazhdim. Çfarë do të thotë se, çmimi i energjisë do të rritet, gjersa fuqia blerëse e konsumatorëve pritet të jetë në nivel të njëjtë ose me një ngritje simbolike. Kjo situatë, pashmangshëm do të qoj në pamundësinë e qytetarëve për të paguar faturat e energjisë.

Rrjetet energjetike, për shkak të natyrës së tyre monopoliste në treg, është mirë të menaxhohen nga shteti. Jo gjithçka arrin të rregulloj tregu dhe privatizimi. Këto dy koncepte nuk funksionojnë sidomos në rastet e monopoleve. Ngase ajo çfarë është interes ekonomik për investitorin privat, mund të mos jetë në interes të publikut. Andaj, menaxhimi privat i rrjetit të distribuimit dhe furnizimit me energji elektrike është i destinuar të dështoj edhe në Kosovë. Shumë më shpejt se në vendet tjera.

Loading Facebook comments ...

From authorArchive

“Stupcat” against corruption

07.10.2014 Shkruan Agron Demi