Projekti i papunësisë

06/03/2013 Shkruan Agron Demi

Apo, si termocentrali i ri “Kosova e Re” ndikon negativisht në uljen e punësimit në sektorin e energjisë?

Publikuar në Gazetën "Tribuna", 6 mars 2013
Javën që lamë pas, Qeveria e Kosovës edhe një herë konfirmoi se gjatë marsit do të përsëris thirrjen finale për aplikime për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”. Projektet aktuale energjetike të cilat janë të dizajnuara nga Qeveria e Kosovës, me mbështetjen e Bankës Botërore dhe USAID, kanë mangësi të shumta, si nga pikëpamja mjedisore, shëndetësore, sociale, por më e rëndësishme janë projekte të dëmshme ekonomikisht dhe në aspektin e punësimit.

Në Strategjinë e Partneritetit të Bankës Botërore për Kosovën 2012-2015, thuhet se ndërtimi i TC “Kosova e Re” ndikon në ngritjen e punësimit. Mirëpo askund në këtë dokument strategjik nuk thuhet se si ndërtimi i këtij termocentrali do të ketë ndikim në punësim.

Aktualisht, KEK-u ka të punësuar 7419 veta. Prej tyre, 2377 veta janë të punësuar në divizionin e furnizimit dhe rrjetit. Jo të gjithë nga këta punonjës do të arrijnë të punojnë edhe pas privatizimit. Së pari, konsorciumi turk do të sjell një numër të konsiderueshëm punëtorësh nga Turqia, ashtu siç është vepruar edhe me autostradën Morinë-Besi dhe me aeroportin. Së dyti, të gjithë këta punonjës do të arrijnë të mbajnë vendet e tyre të punës deri në fund të 2013 vetëm për faktin se pagat e tyre do të paguhen edhe më tutje nga Qeveria e Kosovës. 

Njësoj pritet të ndodhë edhe pas ndërtimit të “Kosovës së Re”. Qeveria dhe Banka Botërore kanë mashtruar punonjësit dhe publikun duke deklaruar se pas mbylljes së Kosovës A, të gjithë të punësuarit do të barten në termocentralin e ri. Aktualisht në “Kosovën A” janë të punësuar 870 punonjës, kurse në “Kosova B” 595 punonjës. Në rast të ndërtimit, “Kosova e Re” do të ketë të punësuar sa gjysma e “Kosova B”. Çfarë do të thotë se mbi gjysma e të punësuarve në Kosova A do të mbeten të pa punë. Edhe vendet e punës në sektorin e mihjeve do të shkurtohen, i cili aktualisht ka të punësuar 3150 veta. Përkundër asaj se në rast të ndërtimit të “Kosovës së Re” do të zgjerohen edhe mihjet, numri i punonjësve do të ulet për shkak të përdorimit të teknologjisë më të avancuar.

Aktualisht, në vendet e zhvilluara, efiçienca e energjisë dhe prodhimi i energjisë nga burimet e ripërtëritshme gjenerojnë më shumë vende të punës krahasuar me projektet e prodhimit të energjisë nga qymyri. Edhe Kosova do të duhej të orientojë investimet sa më parë në këto dy fusha. Në rast se Qeveria e Kosovës do të investonte 1 miliard euro në efiçiencë të energjisë, në vend të ndërtimit të Kosova e Re, ndikimi ekonomik dhe punësimi do të ishte shumë më i madh. Në të njëjtën kohë, kërkesa për energji do të ulej dukshëm. Sipas analizave të Universitetit të Berkeleyt në Kaliforni, për 2.5 milion euro të investuara në projekte nga qymyri, krijohet një vend i ri pune; kurse për të njëjtën shumë të investuar në burimet alternative të energjisë krijohen dy vende pune. 

Pikërisht për shkak se “Kosova e Re” do të ndikoj keq në fushën e punësimit në sektorin energjetik, Banka Botërore dhe Qeveria e Kosovës nuk kanë publikuar ende asnjë studim sa i përket asaj se si do të ndikojnë projektet energjetike të Qeverisë në fushën e punësimit. 
Loading Facebook comments ...

From authorArchive

“Stupcat” against corruption

07.10.2014 Shkruan Agron Demi