Strategjia e Zhvillimit të Paqëndrueshëm

13/03/2013 Shkruan Agron Demi

Disa probleme rreth Draft-strategjisë së BERZH për Kosovën

Publikuar ne gazeten "Tribuna", 13 mars 2013.

Në fillim të këtij muaji, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), publikoi Draft-Strategjinë e BERZH për Kosovën për periudhën tre vjeçare. Ky dokument strategjik është përgatitur pas takimeve të BERZH me zyrtarët qeveritar dhe sektorin privat, por duke anashkaluar shoqërinë civile në procesin e draftimit të strategjisë.

BERZH është prezent në Kosovë që nga viti 1999. Në 29 projekte të ndryshme gjatë këtyre viteve, ata kanë investuar rreth 66 milion euro. Pasi që në dhjetor Kosova u bë anëtare e 66 e BERZH, ky institucion i rëndësishëm financiar e ka mundësinë që të mbështes sektorin privat dhe projektet e partneritetit publiko-privat me shuma më të mëdha financiare se deri më tani. Fushat në të cilat është e interesuar të investoj BERZH janë të cekura në Draft-Strategjinë e BERZH për Kosovën, e cila pritet të marrë formën përfundimtare në maj 2013.

Që në hyrje të dokumentit strategjik, BERZH potencon faktin se Kosova është një ndër vendet më të varfëra në Evropë, me shkallë të lartë korrupsioni, probleme të mëdha makroekonomike, sektor të dobët privat dhe klimë të pafavorshme për investime. Mirëpo, përkundër këtyre klasifikimeve, BERZH dëshiron të investoj në projekte sensitive, siç janë hapja e mihjeve të reja të linjitit dhe investimet në termocentralin e ri, projekte të cilat sipas vetë bankës klasifikohen si projekte të kategorisë “A”. Projektet e kategorisë “A” janë projekte të cilat kanë ndikim të madh mjedisor, shëndetësor dhe social. Dhe për të siguruar se këto projekte nuk bien ndesh me Politikat Mjedisore dhe Sociale të Bankës, BERZH i referohet studimeve të Bankës Botërore (BB) dhe Qeverisë së Kosovës. Mirëpo, as BB dhe as Qeveria e Kosovës nuk kanë bërë asgjë deri më tani sa i përket marrjes së masave se projektet investive në mihjet e reja dhe termocentralin e ri nuk do të dëmtojnë ambientin dhe shëndetin e popullatës. BB nuk e ka përfunduar ende studimin më bazik rreth ndërtimit të termocentraleve të reja, siçështë Vlerësimi i Ndikimit Ekonomik dhe Social. BERZH i referohet Strategjisë së Kosovës për Mbrojtjen e Ambientit 2011-2021 dhe Planit të Veprimit në Ambient 2011-2015, dokumente të cilat ende nuk janë dokumente zyrtarisht të aprovuara. Kjo lë të kuptohet se BERZH nuk do të ec një hap më tutje, por do të bëj gjënë e njëjtë e të gabueshme sikurse BB dhe Qeveria e Kosovës. 

Se vendit i mungojnë dokumente dhe projekte konkrete investuese në partneritet publiko-privat, e tregon edhe një herë Strategjia e BERZH për Kosovë. Në fushat potenciale për investime siç janë transporti, ujërat, menaxhimi i ujërave dhe mbeturinave, BERZH nuk është lëshuar në projekte konkrete, ngase nuk ekzistojnë projekte të tilla konkrete.

Fushat në të cilat do të duhej të orientohej involvimi i BERZH janë agrikultura, eficienca e energjisë dhe burimet e energjisë së ripërtëritshme. Tanimë, kompani private kanë kryer studimet e tyre të fizibilitetit dhe janë të bindura se Kosova ka potencial të mjaftueshëm për zhvillimin e kapaciteteve për energji të erës. Mundësia për të pasur qasje në fondet e BERZH, do të mundësonte zhvillimin më të shpejtë dhe më të qëndrueshëm të këtyre nismave, të cilat presin për licencim për më shumë se dy vite.

Ajo çfarë BERZH do të duhej të ndiqte si politikë është një qasje më ndryshe se deri më tani. Përndryshe, edhe BERZH është e destinuar t’i bashkëngjitet valles së investimeve të dështuara në Kosovë.

Mbetet që si shoqëri të ndihmojmë BERZH deri më 18 prill 2013, të dal me një Strategji më premtuese zhvillimore për Kosovën.
Loading Facebook comments ...

From authorArchive

“Stupcat” against corruption

07.10.2014 Shkruan Agron Demi