Shit për të shtruar

21/03/2013 Shkruan Agron Demi

Sqarim: Fjala “shit” në titull është e shkruar në gjuhën shqipe (edhe pse procesi i privatizimit në Kosovë lehtë mund të përshkruhet me këtë fjalë edhe në gjuhën angleze).

Publikuar në gazetën "Tribuna", 20 mars 2013
Nesër është afati e “fundit” kur Ministria e Zhvillimi Ekonomik pret ofertat finale të kompanive të interesuara për blerjen e PTK, pas shtyrjes së fundit që ndodhi javën e kaluar. Të preokupuar me dështimet e shumta në fushën e energjisë, gjatë këtyre ditëve u është kushtuar pak vëmendje një procesi po të menaxhuar po aq keq sa shitja e distribucionit të energjisë. Ishte udhëheqësi i misionit të FMN i cili dy ditë më parë na kujtoi edhe një herë se sa qëllimkeq dhe i pakuptimtë është procesi i privatizimit të PTK. FMN pranoi publikisht atë që Qeveria e Kosovës nuk dëshiron të ia tregoj qytetarëve – privatizimi i ndërmarrjeve publike po bëhet për të financuar autostradat dhe për të mbushur deficitin buxhetor, deficit i shkaktuar nga vendimet e papërgjegjshme të Kryeministrit të Kosovës për ngritjen e pagave në sektorin publik në prag të zgjedhjeve parlamentare të 2010.

FMN funksionon sipas një parimi kryesor: shtetet anëtare duhet të kenë të balancuar buxhetin. Për këtë arsye, FMN kërkon nga anëtarët e saj që të kenë të planifikuara mirë të hyrat, për të financuar shpenzimet. Në rastin e Kosovës, në mungesë të një sektori të zhvilluar privat, në mungesë të të hyrave nga burimet e përhershme tatimore, FMN obligon Kosovën që të shes çka të mundet, me qëllim që të financoj çfarë ka dëshirë partia në pushtet. Shitja e PTK, shitja e KEDS, ndërtimi i termocentralit të ri, ngritja e faturave të energjisë elektrike, të gjitha këto janë pjesë të marrëveshjes “Stand-by” në mes të FMN dhe Republikës së Kosovës.

Kjo është e meta kryesore e privatizimit në Kosovë: privatizimi për të financuar investimet kapitale dhe jo privatizim për të rritur funksionalitetin e ndërmarrjeve publike. Qeveria e Kosovës, me mbështetjen e FMN, janë të vendosur të shesin për më pak se 300 milion euro, një aset publik i cili i ka sjellur të hyra të mëdha në formë të dividentës buxhetit të shtetit, për një projekt autostrade impakti ekonomik i të cilit nuk dihet se cili do të jetë. 

Në 2011, Qeveria e Kosovës kishte angazhuar një kompani konsulente për të bërë vlerësimin e impaktit ekonomik të autostradës Morinë – Besi (Rruga 7 apo siç u emërtua më vonë autostrada “Ibrahim Rugova”). Sipas vlerësimeve të kësaj kompanie (Mott McDonald), autostrada do të jetë ekonomikisht e favorshme vetëm në vitin 2024. Mirëpo, ky përfitim ekonomik nuk është i sigurt, nëse tejkalohen 86 kilometra, nëse çmimi i punëve të kontraktuara kalon 734.7 milion euro dhe nëse në vitin 2024 janë në qarkullim më pak se 30.000 automjete në ditë në këtë rrugë! Kemi shpenzuar qindra miliona euro në një projekt i cili nuk është i sigurt se do të ketë ndikim ekonomik as më 2024.

Ende ne nuk e dimë se cili do të jetë ndikimi ekonomik i autostradës Prishtinë-Shkup. Por, ne e dimë se cili është ndikimi ekonomik i PTK. Përkundër korrupsionit të lartë, mbipunësimit dhe keqmanaxhimit, Qeveria e Kosovës nga viti 2009 e deri më tani ka vjelur nga PTK në formë dividente 410 milion euro.

Vendimi qeveritar               Shuma e dividentës së PTK (miliona euro)    

14 korrik 2009.................200    

13 maj 2010...................80    

9 mars 2011...................40    

25 gusht 2011.................15    

22 shkurt 2012.................35    

27 shkurt 2013..................40    

Total: 410  

Autostradat janë investime kapitale shumë të nevojshme për zhvillimin e vendit. Mirëpo, është e pakuptimtë të shitet gjithçka publike dhe të krijohet deficit buxhetor prej vendimeve të pamenduara mirë, vetëm e vetëm për të ndërtuar autostradat – ndikimi ekonomik i të cilave është i paqartë.
Loading Facebook comments ...

From authorArchive

“Stupcat” against corruption

07.10.2014 Shkruan Agron Demi