Privatizimi ekstrem

11/04/2013 Shkruan Agron Demi

Apo, si e solli MZHE procesin e privatizimit të PTK në proces me rrezik për sigurinë e vendit dhe proces me vetëm një ofertues “normal”?

Publikuar në gazetën "Tribuna", 10 Prill 2013.

Në shtator të vitit të kaluar, Komiteti i Intelegjencës i Kongresit të SHBA, ftoi në dëgjim publik ekzekutivët e kompanisë më të madhe kineze të telekomunikimeve – Huawei. Arsyeja: rreziku të cilin e bartë kjo kompani për sigurinë nacionale amerikane, pas zgjerimit të saj në tregun amerikan. Huawei është kompania me rritjen më të shpejtë në tregun e telekomunikimeve, ku radhitet e dyta në botë pas Ericsson, e dyta në botë për nga përfitimet pas Cisco dhe e para në botë për nga numri i të punësuarve. SHBA beson se Drejtori Ekzekutiv i kësaj kompanie ka lidhje direkte me ushtrinë kineze dhe përmes saj, shteti kinez planifikon sulme kibernetike në SHBA dhe në shtetet tjera. Rrjedhimisht, SHBA është duke bllokuar hyrjen në tregun amerikan të Huawei, edhe pse nuk ka fakte të bazuara se kjo kompani ka lidhje me sulmet kibernetike apo edhe lidhje direkte me ushtrinë dhe qeverinë kineze. Kaq sa i përket tregtisë së lirë, kur është në pyetje siguria nacionale.

Kosova ka përqafuar modelin e tregut të lirë dhe konkurrencës. Qeveritarët krahasojnë modelin ekonomik kosovar me atë amerikan. Shumë herë kur procesi i privatizimit ka hasur në pengesa, ka qenë vetë ambasada e SHBA në Prishtinë e cila ka intervenuar duke i klasifikuar kundërshtarët e privatizimit (kësaj forme të çoroditur të privatizimit), si kundërshtar të tregut dhe demokracisë. Por, a është Kosova duke ndjekur shembullin e SHBA, në rastet kur kompani në tregun e telekomunikimeve dyshohen se mund të rrezikojnë sigurinë nacionale?

Në një intervistë dhënë në fillim të këtij viti, ministri i MZHE Besim Beqaj, kishte deklaruar se pas pasqyrimeve në media se njëri nga konkurrentët në garë për të blerë PTK ka lidhje me Hamas, kishte alarmuar institucionet e vendit! Kjo dëshmon se vetëm pas këtyre shkrimeve, shumë kohë pasi kompania “M1 International” ishte parakualifikuar për të blerë PTK, Qeveria ishte interesuar për aksionarët e saj dhe lidhjet e mundshme me Hamasin – organizatë e klasifikuar si terroriste nga SHBA.

Javën e kaluar, “M1 International Ltd.” bëri ofertën finale për të blerë PTK dhe është njëri nga dy ofertuesit final. Kjo mund të jetë një nga arsyet, se përse Qeveria e Kosovës nuk i hapi ofertat para publikut, për të parë çmimin e ofruar nga këto dy kompani. Kushti kryesor për blerësin potencial të PTK, është çmimi më i lartë i ofruar. Çfarë do të ndodhte nëse “M1 International Ltd.” do të ofroj çmimin më të lartë? Sipas kritereve tenderuese, Qeveria duhet t’ia shes PTK ofertuesit nga Libani. Në të kundërtën, Qeveria e Kosovës mund të paditet për një proces jo të drejtë tenderues. Qeveria nuk mund të arsyetohet se kjo kompani paraqet rrezik për sigurinë nacionale, ngase vetë Qeveria ka qenë ajo e cila e ka parakualifikuar këtë kompani, pa u interesuar për prapavijën e aksionarëve të saj.

Tani, ne kemi vetëm një ofertues i cili i plotëson kushtet e tenderit. Për rrjedhojë, procesi i privatizimit të PTK nuk i plotëson kushtet konform ligjeve në fuqi. Si i tillë, ky proces duhet të anulohet. Çdo vendim tjetër i Komisionit Ndërministror për Privatizimin e PTK, do të ishte vendim shumë i dëmshëm për ekonominë dhe sigurinë e vendit. Ministri Besim Beqaj nuk mund të arsyetohet se një vendim të tillë po e marrin sipas “propozimit të këshilltarëve të transakcionit” – arsyetim të cilin e përdor sa herë që zihet ngushtë qoftë për privatizimin në fushën e energjisë, ashtu edhe për PTK. Askush nuk do të gjykoj këshilltarët e transakcionit. Ata që do të gjykohen për këto procese të dëmshme ekonomike janë pjesëtarët e Qeverisë së Kosovës.

Loading Facebook comments ...

From authorArchive

“Stupcat” against corruption

07.10.2014 Shkruan Agron Demi