Papunësia?!

02/05/2013 Shkruan Agron Demi

Që tani, koalicioni qeverisës në pushtet e ka siguruar sloganin e fushatës zgjedhore: “Kemi ulur papunësinë për rreth 30%.

Publikuar në gazetën `Tribuna`, 2 maj 2013.

Dy vite më parë, Qeveria e Kosovës ishte mbyllur në qendrën turistike të skijimit në Bansko të Bullgarisë për të diskutuar prioritetet e zhvillimit ekonomik të Kosovës. Plani të cilën e nxorën, i cili ishte një plan i prezentuar në “powerpoint” dhe jo formalisht u quajt “Plani Bansko”, parashihte ndër të tjera, edhe uljen e papunësisë 8-10% në vit.

Dy ditë më parë, Agjencia e Statistikave të Kosovës publikoi të dhënat më të fundit lidhur me papunësinë në Kosovës. Sipas ASK, në gjysmën e parë të 2012, papunësia në Kosovë ishte 35.1%!

Si u bë që papunësia të bie nga 45.4% (rezultat i anketës së fundit të ASK të publikuar më 2009) në 35.1%? Apo si u bë që brenda një viti ASK të jap dy shifra të ndryshme të papunësisë? Një vit më parë, ASK publikoi rezultatet e regjistrimit të popullsisë. Sipas këtyre të dhënave, prej 1.7 milion banorëve, popullsi e aftë për punë doli të jenë 1.135.463 qytetarë (15 deri 64 vjeç). Edhe në rezultatet e regjistrimit të popullsisë edhe një herë u konfirmua se shkalla e papunësisë është 47%.

Të gjithë të punësuarit formal në Kosovë duhet domosdo të jenë edhe kontributpagues në Trustin e Kursimeve Pensionale. Sipas të dhënave të Trustit, deri në mars 2013 në këtë fond janë rreth 424.170 kontributpagues (edhe pse ky numër është tepër i fryrë ngase ka individë të cilët janë të regjistruar dy herë si kontributpagues ose kanë qenë aktiv për një kohë të shkurtër). Nëse i marrim të dhënat e kontributpaguesve në Trust dhe i krahasojmë ato me të fuqinë punëtore, del se shkalla e papunësisë në Kosovë është 62.6%.

Por, duke marrë parasysh se Kosova ka një shkallë të lartë të informalitetit, një numër i madh i të punësuarve nuk janë fare të regjistruar dhe kësisoj nuk figurojnë si kontributpagues në Trust. Kjo kategori e të punësuarve janë kryesisht të punësuar sezonal ose të vetëpunësuar të cilët nuk regjistrohen. Por, nëse shkalla e papunësisë është ulur nga 45.4% në 35.1%, atëherë ku u punësuan një numër i konsiderueshëm i kosovarëve të papunë?

Në fakt, ajo çfarë mund të nxirret prej të dhënave të ASK nuk është se është rritur numri i të punësuarve, por është ndryshuar metodologjia e ASK rreth asaj se kush mund të klasifikohet si i papunë. Sipas metodologjisë së ASK, të papunë nuk mund të konsiderohen ata të cilët punojnë arat e tyre dhe sigurojnë bukën e gojës nga ajo pak tokë familjare, të papunë nuk konsiderohen 68.000 studentë (edhe pse këta studentë kanë zgjedhur studimet në mungesë të punësimit), të papunë nuk konsiderohen amviset, etj. Shkurt: çdokush i cili gjatë vitit të fundit ka pasur të hyra të çfarëdoshme, nuk mund të konsiderohet i papunë. Sipas kësaj metodologjie, edhe lypësit në rrugë, nuk mund të klasifikohen si të papunë ngase si “profesion” të tyre kanë “zgjedhur” të kenë lypsarinë, e cila gjeneron të hyra.

Nga të dhënat e fundit të ASK nuk është edhe aq skandaloze shifra prej 35.1% e papunësisë. Ajo çfarë është më skandaloze është klasifikimi i 63.2% të popullsisë si popullatë ekonomikisht jo aktive! Sipas ASK, mbi gjysma e popullsisë së Kosovës e aftë për punë, janë dembelë që nuk dëshirojnë të punojnë.

Pas insistimit për të kontrolluar BQK dhe në këtë formë edhe indikatorët e zhvillimit ekonomik, tani Qeveria e Kosovës synon të përmirësoj imazhin ekonomik të vendit duke kontrolluar edhe rezultatet e ASK. Një shembull të cilin e kemi parë tani e disa vite në Shqipëri. Që tani, koalicioni qeverisës në pushtet e ka siguruar sloganin e fushatës zgjedhore: “Kemi ulur papunësinë për rreth 30%.

Loading Facebook comments ...

From authorArchive

“Stupcat” against corruption

07.10.2014 Shkruan Agron Demi