Çmimi i dështimit

16/05/2013 Shkruan Agron Demi

Apo, si të fillojmë e të masim në vlerë monetare neglizhencën dhe mos punën e zyrtarëve publik?

Publikuar në gazetën `Tribuna`, 15 maj 2013.

Shumica e qytetarëve kosovarë nuk arrijnë të ndërlidhin mospunën dhe jo kompetencën e liderëve të zgjedhur me pasojat e drejtpërdrejta ekonomike me të cilat ata përballen për çdo ditë. Natyrisht, jo të gjitha çështjet mund të zgjidhen nga qeveria. Mirëpo, ekzistojnë problem të shumta, të cilat sado që mundohesh, prapë se prapë nuk arrin ti zgjidhësh i vetëm apo edhe në grup. Një ndër to është edhe mundësia e të lëvizurit lirshëm, pa viza, jashtë territorit të vendit tënd.

Javën e kaluar ishte “Jave e Evropës” – një manifestim i pa arsyeshëm i cili nga viti në vit, në vend se të largohet i tëri si manifestim zyrtar, ai po merr përmasa edhe më të mëdha. Duke vuajtur nga kompleksi i margjianlizimit dhe mos pranimit, gjithnjë e më shumë mundohemi me piskama e manifestime të tregojmë se ne jemi evropian. Dhe këtë e bëjmë në formën më jo evropiane të mundshme. Madje, tërë fushatën mbi 5 milion euro për promovimin e Kosovës e kemi identifikuar me “Kosovarët – evropianët e rijnë”!

Ajo çfarë fshihet pas këtyre manifestimeve zyrtare është vetë mos puna e Qeverisë për të hapur rrugë drejt integrimit evropian. Kjo mos punë e Qeverisë, e shoqëruar me skandale dhe keqpërdorime të shumta të cilat drejtpërdrejtë kanë ndikuar në izolimin e kosovarëve (kujtojeni vetëm skandalin e pasaportave), po ndikon drejtpërdrejtë në xhepat tanë.

Në kohën kur Ministria e Integrimeve Evropiane “integron” Kosovën në një rrugë “evropiane” në Prishtinë, me mijëra kosovarë presin para ambasadave për të marrë një vizë. Përveç pritjes, nevoja për të pas një vizë në pasaportë kosovarëve u kushton me miliona euro. Në mesatare, çdo kosovari i cili aplikon për vizë i duhet të shpenzoj minimum 69 euro. Tri vitet e fundit, 217.862 kosovarë kanë aplikuar për viza, të cilët në total kanë shpenzuar së paku 15 milion euro. Këto të dhëna janë nxjerrë nga një studim i Institutit GAP dhe Grupit për Studime Juridike dhe Politike.

Në ndërkohë, përgjegjësit për këtë gjendje, nuk përballen fare me këso problemesh. Ata nuk e dinë sa kushton një vizë, çfarë dokumentesh nevojiten, sa kushton bileta e udhëtimit dhe sa kushton qëndrimi në një vend të caktuar. E tëra që ata e dinë është mëditja që marrin si shpërblim për vizitën e tyre jashtë territorit të Kosovës. Miliona euro ndahen për çdo vit nga buxheti i Kosovës për të paguar vizitat dhe mëditjet e zyrtarëve publik, apo për ata të cilët janë përgjegjësit kryesor përse kosovarët nuk mund të lëvizin lirshëm sikur përfaqësuesit e tyre.

Me këto trende të punës së Qeverisë, në kohën kur priten zgjedhjet lokale dhe parlamentare, kur do të harrohen të gjitha “reformat”, edhe ashtu të harruara, kosovarët do të paguajnë për viza minimum 5 milion euro në vit, së paku edhe për vitet 2013 dhe 2014. Miliona euro në vit të cilat do të mund të shfrytëzoheshin për pagesa të udhëtimeve, lidhje më të lehta në mes bizneseve, shkëmbim të përvojave në mes universiteteve, punë sezonale, zgjerim të njohurive. Pikërisht mundësive të humbura në biznes, punë dhe edukim, nuk mund ti vihet një kosto monetare, ngase janë shumë më të kushtueshme se sa ato 15 milion euro që qytetarët kanë dhënë këto tri vitet e fundit dhe do të vazhdojnë të japin edhe së paku 10 milion euro në dy vitet në vazhdim.

Dështimi për të përmbushur një premtim dhe dështimi për të zbatuar reformat e nevojshme për të liberalizuar vizat, është dështim të cilin po e paguajmë së paku 5 milion euro në vit. Andaj, si qytetarë, duhet ti vëmë një çmim mundësive të humbura dhe dështimeve të cilat vinë drejtpërdrejtë nga paaftësia dhe neglizhenca e punës së zyrtarëve publik.

Loading Facebook comments ...

From authorArchive

“Stupcat” against corruption

07.10.2014 Shkruan Agron Demi