Marrëveshjet politike si shkatërruese të rregullave të tregut

05/06/2013 Shkruan Agron Demi

Apo, si po krijohet tregu paralel i telekomunikimeve dhe energjetikës?

Publikuar në gazetën `Tribuna`, 5 qershor 2013.

Sa më shumë që zhvillohen negociatat në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe sa më shumë tema që hapen për diskutime, aq më shumë Kosova është duke rishqyrtuar komponentët kryesore të shtetësisë së saj. Në këto negociata nuk është duke u biseduar tanimë vetëm për një pjesë të territorit dhe të drejtat shtesë të një komuniteti pakicë, por janë duke u negociuar parimet bazë ligjore, rregullative, ekonomike dhe shoqërore. Ndryshimi i Kushtetutës, ndryshimi i dhjetëra ligjeve, krijimi i buxhetit paralel me bazë territoriale, suspendimi i funksioneve të rregullatorëve të ekonomisë, etj., janë vetëm disa aspekte të asaj se si këto negociata nuk kanë të bëjnë tani më vetëm për pjesën veriore dhe komunitetin serb, por prekin shtetin në tërësi.



Telekomunikacioni

Së fundmi, në negociatat në mes Kosovës dhe Serbisë, u diskutua edhe për telekomunikacionin. Në fillim të këtij muaji, udhëheqja e grupit kosovar për këto bisedime Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri deklaroi se në këto negociata është arritur marrëveshja që Kosova të ketë kodin unik telefonik. Por nuk u tha se çfarë ofroi Kosova në shkëmbim të të drejtës për këtë kod? Në çdo marrëveshje të gjertanishme, palët kanë arrit kompromis, në të shumtën e herave në dëm të shtetësisë së Kosovës. Atëherë, cili është kompromisi që ka bërë Kosova me qëllim të marrjes së kodit telefonik? Kjo u kuptua shumë shpejtë: Kosova ka pranuar që në territorin e Kosovës të operoj operatori i tretë i telefonisë mobile. Një marrëveshje e tillë politike, shkatërron edhe më shumë rregullat e tregut (edhe ashtu të dobëta) në Kosovë. Ligjërisht, në bazë të procedurave të Autoritetit Rregullativ të Telekomunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), Kosova ka dy operator mobil të licencuar dhe dy operator virtual. Futja e operatorit të tretë, në kundërshtim me rregullat e tregut të vendosura nga ARKEP, do tu bënte dëm të madh dy operatorëve vendor dhe atyre virtual, të cilët operojnë në bazë të rregullave në fuqi. Lejimi i operatorit nga Serbia, do të ishte një hap mbrapa edhe në integrimin e komunitetit serb, kur dihet se së paku në tri vitet e fundit, pjesa më e madhe e këtij komuniteti tanimë përdorin shërbimet e kompanive vendore të licencuara të telekomunikacionit. 


Energjetika

Temë tjetër e bisedimeve, pas telekomunikacionit, do të jetë edhe energjetika. Njëjtë sikurse edhe me telekomunikacionin dhe me çdo fushë tjetër të bisedimeve, edhe në këtë fushë Kosova do të bëj kompromise. Serbia insiston që në pjesën veriore të Kosovës të ketë një operator serb. Me rastin e shitjes së rrjetit të energjisë, Qeveria e Kosovës dhe konsorciumi turk, asnjëherë nuk kanë shpalosur planet se si do të operojnë në pjesën veriore të Kosovës. Përkundër insistimeve të shumta të shoqërisë civile dhe mediave, Ministria e Zhvillimit Ekonomik nuk ka pranuar të bëj publike asetet e KEDS. Një nga arsyet përse asetet e KEDS nuk janë bërë publike është edhe vlera e aseteve të kësaj kompanie në pjesën veriore të Kosovës. Edhe me rastin e negociatave për energjetikën, do të anashkalohen ligjet në fuqi dhe do të suspendohet roli i Zyrës së Rregullatorit për Energji.


Përmes këtyre negociatave, Kosova rrezikon që jo vetëm të minoj bazën e krijuar kushtetuese dhe ligjore, mirëpo nëse ratifikohen marrëveshjet për telekomin edhe energjetikën, rrezikohet edhe funksionimi i rregullave të tregut në Kosovë. Operatorët në fushën e telekomunikimeve dhe energjetikës, të cilët do të operojnë në bazë të marrëveshjeve politike dhe jo në bazë të kritereve të tregut dhe konkurrencës, do të jenë operator të cilët nuk do ti nënshtrohen asnjë kontrolli nga zyrat rregullatorë dhe në këtë mënyrë do tu lejohet operim i padrejtë në treg.

 

Loading Facebook comments ...

From authorArchive

“Stupcat” against corruption

07.10.2014 Shkruan Agron Demi