Alkimistët

12/06/2013 Shkruan Agron Demi

Mbi logjikën ekonomike të zyrtarëve të lartë publik

Publikuar në gazetën `Tribuna`, 12 qershor 2013.
Deklarimet e pasurisë së zyrtarëve të lartë publik, të cilat sipas ligjeve në fuqi, janë të obliguar ti bëjnë për çdo vit tek Agjencia Kundër Korrupsion, çdo herë shndërrohen në temë debati mediatik. Nëse lexohen me vëmendje të gjithë formularët e deklarimit të pasurisë, mund të nxirren këto konstatime të përbashkëta për zyrtarët publik:

  • Prona e paluajtshme e zyrtarëve të lartë publik ka vlerë më të madhe monetare në fshat se sa në qytet. Prona e tyre në fshat ka vlerë milionëshe, e cila kur shitet (e që zakonisht shitet), siguron pasuri të madhe të patundshme në qytet (lexo: Prishtinë). Kurse, për qytetarët e tjerë, prona e paluajtshme në fshat nuk vlen as si peng për kredi në banka.

  • Shumica e grave të zyrtarëve të lartë publik janë të punësuara po ashtu në sektorin publik dhe në disa raste paguhen më shumë se burrat e tyre. Nëse merren për bazë të dhënat për punësimin e familjarëve të zyrtarëve të lartë publik, dikush mund të mendoj se shkalla e punësimit të femrave dhe meshkujve në Kosovë është e barabartë. Kurse, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, shkalla e papunësisë për meshkuj është 42.7%, kurse për femra 59.6%.

  • Automjetet e tyre personale janë të viteve të fundit, të blera me kilometrazh zero. Kurse, sipas të dhënave të Departamentit për Regjistrimin e Automjeteve në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të dhënat për strukturën e vjetërsisë së automjeteve, tregojnë se pjesa më e madhe e automjeteve në qarkullim të cilat përdoren nga shumica e popullsisë janë të prodhuara në vitet në mes 1988-1998.

  • Pothuajse të gjithë zyrtarët e lartë publik janë në kredi me shuma mbi pesë shifrore, të cilat janë të obliguar që ti kthejnë brenda 3-4 viteve (aq sa zgjat edhe një mandat qeverisës). Të njëjtit persona që marrin kredi, zakonisht kanë të depozituara para të gatshme në banka të ndryshme komerciale, depozita të cilat janë të barazvlefshme me shumën e kredisë që ata kanë marrë.

  • Për pjesën më të madhe të udhëheqësve politik, më të larta janë mëditjet që tërheqin ata gjatë një viti se shuma vjetore e pagave qe marrin pjesa me e madhe e kosovarëve. Mëditjet e deputetëve dhe udhëheqësve të tjerë sillen ndërmjet 4 deri 6 mijë euro brenda një viti, gjersa për 12 muaj një qytetar i punësuar tërheq pagë 3 mijë euro. 

  • Për zyrtarët e lartë publik nuk vlen Ligji i Punës dhe orari i rregullt i punës prej 40 orë në javë. Ata janë mbi-njerëzor dhe mbajnë deri në katër vende të punës. Një pjesë e konsiderushme e tyre marrin më shumë se një pagë nga Buxheti i Kosovës, i cili mbushet nga taksat e popullsisë, 45.4% e të cilëve nuk kanë asnjë vend pune.

Andaj, pikërisht për këto arsye, në Kosovë ekzistojnë dy realitete ekonomike. Për këtë arsye, politikanët vendorë flasin me plot bindje se gjendja ekonomike në Kosovë nuk është e keqe, se vendi është duke u zhvilluar ekonomikisht, se kemi rritjen më të madhe ekonomike dhe se varfëria po bie. Nga perspektiva e tyre kanë të drejtë. Ata po zhvillohen ekonomikisht.
Loading Facebook comments ...

From authorArchive

“Stupcat” against corruption

07.10.2014 Shkruan Agron Demi