Publikoni të dhënat!

20/06/2013 Shkruan Agron Demi

Institucionet publike mund të përfitojnë shumë nga publikimi i të gjitha të dhënave zyrtare të grumbulluara gjatë këtyre viteve

Publikuar në gazetën `Tribuna`, 19 qershor 2013.
Më 9 maj 2013, Presidenti i SHBA urdhëroi të gjitha agjencitë qeveritarë që të publikojnë të gjitha të dhënat që i kanë në posedim, përveç atyre të dhënave që cenojnë privatësinë. Përveç që u urdhërua publikimi i tyre, agjencitë qeveritare urdhërohen që ti publikojnë ato në formë të lexueshme dhe lehtë të interpretueshme.

Gazeta “The Economist” këtë hap të Presidentit amerikan e cilësoi si një “big bang për të dhënat”. Sipas gazetës, publikimi i të dhënave zyrtare nga shtetet evropiane mund të gjenerojë deri në 140 miliard euro në vit.

Edhe vendet tjera kanë ndërmarr një hap të tillë. Britania është vendi më i avancuar evropian në këtë aspekt. Qeveria britanike ka marrë vendim që të publikoj të gjitha të dhënat për të gjitha transaksionet që qeveria i bën me qytetarët. Krejt kjo për shkak të një parimi të thjeshtë demokratik: çdo gjë që grumbullohet në emër të publikut, me pare të publikut duhet ti servohet publikut.

Në Kosovë, kushdo që dëshiron të ketë qasje në të dhëna zyrtare duhet ta kërkoj atë, ngase Qeveria nuk ta ofron. Ligji mundëson qasje në këto të dhëna, por zyrtarët përgjegjës për zbatimin e këtij ligji në shumicën e rasteve ta pamundësojnë qasjen në to. Në disa raste, edhe nëse zyrtarët të lejojnë qasjen në të dhënat zyrtare, grumbullimi dhe ruajtja e të dhënave zyrtare është bërë në nivelin më të keq të mundshëm, saqë nuk mund ta përdorësh atë informacion. Problem tjetër paraqet edhe fakti se institucionet publike nuk kanë fare sistem të rregullt të grumbullimit, ndarjes dhe ruajtjes së të dhënave.

Institucionet publike në Kosovë do të duhej të publikonin të gjitha të dhënat zyrtare për shumë arsye. Së pari, ato të dhëna grumbullohen falë taksave të qytetarëve. Së dyti, qasja në të dhëna nga analistët dhe ekspertët që ndodhen jashtë institucioneve, do ti ndihmonte vetë institucioneve që të përmirësojnë politikat publike. Dihet se në kuadër të institucioneve, për shkak të nivelit të pagave dhe vështirësive tjera, ka shumë pak individ të angazhuar të cilët kanë për detyrë që të analizojnë të dhënat dhe ti përdorin ato si bazë për hartimin e politikave publike. Organizatat jo qeveritare, studjuesit dhe të tjerë, do të mund të përdornin këto të dhëna për të ofruar zgjidhje të shumta për vendimmarrësit. Së treti, këto të dhëna do të përmirësonin dukshëm punën e organizatave jo qeveritare, mediave dhe universiteteve.

Në rast se Qeveria do të publikonte të dhëna të detajuara për të gjitha shpenzimet buxhetore, kjo do të ndryshonte dukshëm mënyrën e shpenzimit të parasë publike. Zyrtarët publik shpenzojnë pa kontroll, ngase e dinë së askush nuk është duke monitoruar sjelljen e tyre. Publikimi i të dhënave të detajuara për strukturën e të punësuarve në administratën publike, arsim dhe shëndetësi, do të mundësonte reformimin e sektorit publik, përcaktimin e madhësisë së administratave dhe profesionalizmin në administratë, arsim e shëndetësi. Publikimi i të dhënave të detajuara të doganave për importet dhe eksportet e mallrave do të mundësonte analiza më të mira të politikave publike dhe sugjerime kreative për uljen e deficitit tregtar apo ndërmarrjen e masave të caktuara qeveritare.

Askush nuk duhet të frikohet nga publikimi i të dhënave. Shembujt e gjertanishëm kanë treguar se sa më shumë të dhëna, niveli i qeverisjes, analizave dhe debateve do të jetë dukshëm më i mirë.
Loading Facebook comments ...

From authorArchive

“Stupcat” against corruption

07.10.2014 Shkruan Agron Demi