Rrugët dhe Pagat nuk mjaftojnë

27/06/2013 Shkruan Agron Demi

Mësimet që duhet të nxjerr qeverisja në Kosovë nga humbja e PD në Shqipëri

Publikuar në Gazetën `Tribuna`, 26 qershor 2013.

Partia Demokratike (PD) dhe Kryeministri Sali Berisha, pothuajse tërë fushatën zgjedhore e përqendruan në këto dy aspekte të punës së tyre tetë vjeçare: Qeveria e tyre ka shtruar rrugë dhe ka rritur paga. Sipas PD, këto do të duhej të ishin arsye të mjaftueshme përse elektorati shqiptar do të duhej ti votonte edhe për një mandat katër vjeçar. Mandat të cilin do ta shfrytëzonin për të shtruar më shumë rrugë dhe për të rritur edhe më shumë pagat. Nga rezultatet e gjertanishme të zgjedhjeve të 23 qershorit, si duket elektorati shqiptar nuk është bindur se do të duhej të kalonin edhe katër vite të tjera, për të shtruar rrugë dhe rritur paga të një kategorie të caktuar të punonjësve – kryesisht të atyre që punojnë në sektorin publik.

 

Edhe në Kosovë, partia më e madhe qeverisëse PDK, që nga 2008 përcjell dy strategji zhvillimore: shtrim të rrugëve dhe rritje të pagave të punonjësve në shërbimin publik. Rasti i Shqipërisë dhe Kosovës tregojnë se rrugët, sado të domosdoshme, të vetme nuk arrijnë të gjenerojnë zhvillim ekonomik. Po ashtu, kur mungon zhvillimi ekonomik, rritja e pagave për punonjësit në sektorin publik, do të ndikoj negativisht tek pjesa më e madhe e popullsisë: tek ajo pjesë e popullsisë e cila është e papunësuar.

 

Shqipëria dhe Kosova, në vend se të përqendrohen në ata sektorë të cilët ndikojnë në rritjen ekonomike, dhe nga kjo rritje ekonomike të shfrytëzohen mjetet buxhetore për shtrimin e rrugëve dhe rritjen e pagave; këto dy vende kanë shfrytëzuar dhe shfrytëzojnë një qasje të mbrapshtë me anë të së cilës synohet që përmes rrugëve të reja dhe rritjes së pagave të krijohen kushte për zhvillimin ekonomik. Qasja e tillë ndaj ekonomisë ka dështuar në të dy vendet. Rrugët e reja dhe shumë të kushtueshme dhe rritja e pagave në sektorin publik, dëmtojnë në masë të madhe sektorin privat. Sektori privat do të jetë ai i cili do të kushtëzohet me më shumë taksa. Me qëllim që të rriten të hyrat buxhetore dhe të mundësohet pagesa e pagave me rritje në sektorin publik, shteti detyrohet të rrit tatimet në çdo fushë. Në Kosovë, rritja e pagave në sektorin publik në 2011 bëri që të shtrenjtohet çmimi i energjisë për të gjithë qytetarët (rritja e tantiemës për qymyr), të importohen automjete më të vjetra se tetë vite (me qëllim që të grumbullohet një 20 milion euro shtesë), të rritet tatimi në pronë, të rriten çmimet e produkteve bazë, etj. Si rrjedhojë, qytetarët e shtetit paguajnë më shumë mjete monetare, për më pak shërbime dhe produkte.

 

Qytetarët do të vlerësonin shumë më shumë një qeverisje e cila ata i trajton të barabartë, ku vlerësohen në bazë të meritokracisë dhe jo në bazë të favore familjare apo partiake. Qytetarët do të vlerësonin shumë më shumë një qeverisje e cila krijon kushte për zhvillim të biznesit privat, prodhim dhe posedim të mjeteve të domosdoshme, për të cilat autostrada hyn në funksion. Por mbi të gjitha, qytetarët do e vlerësonin shumë më shumë të mos ju thuhet se vendi po prosperon ekonomikisht, në kohën kur 80% e qytetarëve në Kosovë dhe 60% e qytetarëve në Shqipëri, jetojnë në varfëri.

Loading Facebook comments ...

From authorArchive

“Stupcat” against corruption

07.10.2014 Shkruan Agron Demi